Koha për t’u thënë e vërteta

Në saje të të dhënave të cilat disponojmë, del qartë se ishte pikërisht pushteti i ri ideologjik që nuk zgjodhi mjete për t’i eliminuar personat dhe familjet me autoritet në Ulqin. Kemi të bëjmë me kohën e manipulimit ideologjik, sepse sipas demagogjisë së tyre çdo gjë fillonte me ta, duke eliminuar traditën shoqërore në Ulqin dhe më gjerë

Nail Draga

(vijon nga numri i kaluar)

Vrasja e Hasan Llunjit
Nga ana tjetër, Hasanin e torturuan mizorisht duke e kërcënuar me pushkatim. Nga ai kërkonin të fliste për aktivitetin dhe shokët e tij. Ndonëse përkohësisht, hafëz Hasanin e lëshuan pasi nuk siguruan prova për akuzën që ia ngarkonin, por nuk vonoi shumë dhe e burgosën përsëri. Organet e OZN-ës, përmes spiunëve të tyre, përfundimisht e realizuan qëllimin e tyre, sepse ata i detyruan për të mbledhur nënshkrime nga populli për gjoja krimet që ai kishte bërë gjatë viteve 1941-1944. Dhe në një gjyq të improvizuar në Ulqin, në mbështetje të nënshkrimeve të mbledhura, organet e OZN-ës, gjoja në emër të “gjyqit të popullit”, dhanë fjalën e tyre përfundimtare – deportimin e tyre në Cetinë, në vazhdimin e hetuesisë.

Në varr të përbashkët
Por, më 15 dhjetor 1944 katër të burgosurit me duar lidhur: hafëz Hasan Llunji, Memin Resulbegu, punonjës i gjeodezisë, Caf Canka dhe Zyhdi Fici, nën përcjelljen e rojeve të maskuara dhe të armatosura përcilleshin gjoja drejt Cetinës, që atje t’iu shqiptohej dënimi përfundimtar. Dhe në drejtim të Tivarit, pranë fshatit Braticë, arritën në një kthesë ku iu ishte vendosur prita, i pushkatuan të gjithë dhe i varrosën në një varr të përbashkët. Edhe sot janë mu në atë vend, pa asnjë shenjë dalluese, edhe pse e kanë merituar të zhvarrosen dhe të varrosen me ceremoni të veçantë.
Veprimet e tilla të komunistëve dëshmuan se ata kishin hartuar me kohë lista për t’i eliminuar figurat e njohura me autoritet në Ulqin, të cilët i trajtonin si armiq të pushtetit, përkatësisht si pengesë në realizimin e vendosjes së pushtetit sipas strategjisë së tyre politike. Ishte ky veprim patologjik kundër shqiptarëve, që u dëshmua me veprimet kriminale, ku për 18 ditë i pushkatuan tetë qytetarë të Ulqinit pa procedurë gjyqësore.
Në saje të të dhënave të cilat disponojmë, del qartë se ishte pikërisht pushteti i ri ideologjik që nuk zgjodhi mjete për t’i eliminuar personat dhe familjet me autoritet në Ulqin. Kemi të bëjmë me kohën e manipulimit ideologjik, sepse sipas demagogjisë së tyre çdo gjë fillonte me ta, duke eliminuar traditën shoqërore në Ulqin dhe më gjerë.

Sigurimi i Shqipërisë bashkëpunoi me jugosllavët
Çështja e bashkëpunimit të Sigurimit të Shqipërisë me OZN-ën jugosllave dëshmon më së miri angazhimin e tyre të përbashkët për t’i eliminuar armiqtë ideologjikë. Të vetëdijshëm se janë të rrezikuar nga pushteti i komunistëve, disa individë me autoritet u larguan nga Ulqini dhe u vendosën në Shqipëri, duke menduar se aty do të gjejnë strehim të sigurt.
Kështu dom Nikollë Tusha e detyrua të largohej nga Ulqini dhe u strehua te kushëriri i tij në fshatin Juban afër Shkodrës. Por, as këtu nuk ishte i sigurt, sepse Sigurimi shqiptar zbuloi vendqëndrimin e tij dhe pasi e arrestoi, ua dorëzoi jugosllavëve. Ishte ky një rast i jashtëzakonshëm, ku shtetasi shqiptar iu dorëzohet organeve të ndjekjes së një shteti tjetër. Por një veprim i tillë nuk është për t’u çuditur, sepse për pushtetarët e rinj parësor ishte orientimi ideologjik e jo ai kombëtar. Në mënyrë identike është vepruar edhe me kosovarët që patën fat të shpëtojnë gjallë në Masakrën e Tivarit (1 prill 1945), të cilët pasi janë zbuluar në Shqipëri u janë dorëzuar jugosllavëve!

Burgosja dhe pushkatimi i Hodo Alibegut
Ngjashëm kanë vepruar edhe me Hodo Alibegun, të cilin e burgosën në Ndroq afër Tiranës në Shqipëri dhe e sollën në burgun e Tivarit, kurse më pas të dy i sollën në burgun e Ulqinit. Pas hetuesisë së rëndë, u mbajt gjykimi publik në sallën e hotelit “Jadran” në Ulqin.
Gjykata i dënoi këta dy patriotë me nga 20 vjet burg të rëndë. Pas shpalljes së dënimit, dom Nikollë Tusha e Hodo Alibegu u dërguan për të vuajtur dënimin në burgun e Cetinës. Atje, ne burgun Bogdanovkraj, Nikollë Tusha mbajti qëndrim burrëror, por pikërisht për këtë qëndrim u pushkatua më 4 nëntor 1946, në Bjellashka Papretina.
Se pushteti i kohës kishte planifikuar të eliminonte Hodo Alibegun dëshmon e dhëna se gjykata e rishqyrtoi vendimin e dënimit të mëparshëm me 20 vjet burg, duke e dënuar me pushkatim, i cili u zbatua më 17 mars 1948, ku ende nuk dihet vendvarrimi i tij.
Me këtë rast cekim se janë pushkatuar edhe Vasë Filip Mirdita nga Pistulli, Ali Beqir Bajrami nga Krytha, Merush Halil Omeri nga Krytha, Ali Veli Kalimani nga Kalimani, Lekë Maci Perkolaj, Vukë Pjetër Malaj, Gjon Zef Malaj nga Shestani etj. Ende sot nuk dihet gjë për eshtrat dhe varret e tyre.

Mungon ballafaqimi me të shkuarën
Në rrethana të reja shoqërore pas dështimit të ideologjisë komuniste, pas vitit 1990 është pritur me të drejtë që të punohet në ndriçimin e ngjarjeve dhe personaliteteve e individëve të ndryshëm, të cilët u eliminuan nga pushteti i ri pas Luftës së Dytë Botërore. Por ngjarjet e viteve 1944-1945, kur është instaluar pushteti komunist në Ulqin, ende nuk janë hulumtuar me kompetencë profesionale nga studiuesit e ndryshëm. Nëse në kohën e sistemit monist trajtimi i temave të tilla ishte me pasoja, pas rënies së tij qëndrimi indiferent ndaj kësaj periudhe nuk mund të arsyetohet me asgjë.
Në lidhje me këtë periudhë kohore, në mjediset e ndryshme në vendet e ish-kampit socialist janë hapur temat e tilla duke dëshmuar me dokumente krimet e komunistëve. Por në këtë aspekt përjashtim bën Mali i Zi, sepse këtu ende ngurrojnë të ballafaqohen me të kaluarën, që është në kundërshtim me të drejtat qytetare e nacionale të qytetarëve dhe obligim sipas standardeve demokratike evropiane.

Dy rezoluta nga Këshilli i Evropës
Edhe pse në Këshillin e Evropës janë miratuar dy rezoluta kundër krimeve të komunizmit: e para, me nr. 1096 “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste” në vitin 1996, dhe e dyta, nr. 1481 “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste” në vitin 2006, asnjëra prej tyre nuk është miratuar në Kuvendin e Malit të Zi. Një veprim i tillë refuzues dëshmon mosgatishmërinë e pushtetit aktual për t’u ballafaquar me të shkuarën komuniste, siç kanë vepruar vendet e tjera në Evropën Juglindore.
Nuk ka dilemë se një qëndrim i tillë politik dëshmon në mënyrë transparente se këtu ka mbetur i ngulitur në psikologjinë e tyre sistemi monist, i cili për qëllime ideologjike dhe për pushtet ka eliminuar individë të ndryshëm, ku as shqiptarët në Ulqin dhe më gjerë në Mal të Zi nuk bënin përjashtim.

Heshtja, dobësi jo vetëm qytetare
Andaj është obligim moral e profesional e politikanëve tanë, si përfaqësues në institucionet qeveritare në Mal të Zi, që të riaktualizojnë çështjen e zbardhjes së të vërtetës së eliminimit të qytetarëve tanë pa gjyqe nga pushteti komunist i kohës. Një veprim i tillë do të eliminonte dilemat dhe spekulimet për temat tabu, të cilat kanë qenë të pranishme për rreth pesë dekada.
Ndërsa heshtja, pas dëshmimit të komunizmit, dëshmon dobësi personale e familjare, por edhe qytetare, që nuk arsyetohet me asgjë. Në këtë aspekt, ne duhet të marrim shembuj nga vendet e tjera në regjion, të cilët individët me dosje kriminale i kanë shpallur heronj, ndërsa ne vazhdojmë të heshtim për viktimat e pafajshme të komunizmit, të cilët ende nuk kanë varre apo ndonjë pllakë përkujtimore.
Edhe pse të vonuar, siç është ky takim përkujtimor për hafëz Hasan Llunjin me rastin e 80-vjetorit të vdekjes, është koha për t’u thënë e vërteta ndaj viktimave, familjarëve dhe brezave të tashëm dhe të ardhshëm, andaj duhet angazhim politik, intelektual dhe guxim qytetar, sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.

Propozime në nderim të viktimave
Nga ajo që u tha më lart në këtë takim përkujtimor, është obligim qytetar, moral e familjar për t’u angazhuar si vijon:

  1. Ndonëse të vonuar, pa ngurrim duhet të bëhet rivarrosja e viktimave me të gjitha nderimet në një mjedis të ri, si aksion i përbashkët nga familjarët, Bashkësia Islame dhe pushteti lokal, ashtu siç veprohet në vendet demokratike.
  2. Në nderim të veprimtarisë së tyre shoqërore e kombëtare, një rrugë apo shesh duhet të emërtohet me emrin hafëz Hasan Llunji, dom Nikollë Tusha dhe Rafo Gorana.
  3. Në arkivin e UDB-së duhet kërkuar dosjet e viktimave të vrara dhe ato të publikohen për opinionin.
  4. Duke marrë parasysh se viktimat nuk kanë qenë kriminelë por individë me autoritet familjar dhe shoqëror në Ulqin, ata duhet të dekorohen me mirënjohje të veçanta (pas vdekjes) nga pushteti lokal i Ulqinit. (Fund)

(Fjala e mbajtur me rastin e shënimit të 80-vjetorit të vrasjes së hafëz Hasan Llunjit në Ulqin, më 9 maj 2024)

Të fundit

më të lexuarat