(Vijon nga numri i kaluar)
Lezha përveç rrënjëve të veta parahistorike dhe ilire vazhdimësinë e vet si qendër e rëndësishme për historinë tonë kombëtare e ka edhe në mesjetë. Lezha është qyteti i Skënderbeut. Heroi ynë kombëtar këtu mblodhi gjithë parinë arbërore dhe përmes Besëlidhjes së Princërve (2 mars 1444) mund të themi se krijoi shtetin e parë të Arbërit. Në Lezhë, ka ndërruar jetë dhe është varrosur Skënderbeu. Pra, Lezha për historinë tonë kombëtare është një qytet i rëndësisë së veçantë.
Sipas planit tonë pika e tretë e pushtimit ishte Maja e Shelbumit, apo maja shkëmbore e Akrolisit në lartësi mbidetare prej 407m. Së pari u ulëm përballë tij, në mënyrë që të bëjmë planin se si ta pushtojmë këtë maje dhe nga cila anë t’i afrohemi, mirëpo Fatmiri veç e kishte studiuar terrenin më parë përmes Google Maps, andaj edhe e lamë atë që të na prijë. Dolëm në rrugën e Varoshit për të vazhduar rrugës së asfaltit rreth 1,5km. Fillimisht ndaluam te kroi me ujë të bollshëm nën rrëzën e këtij mali, ku mbushëm ujë dhe u freskuam, pastaj u nisëm drejt pikës tonë të interesit. Kur arritëm në fund të rrugës së asfaltuar aty parkuam makinën dhe u detyruam të vazhdojmë këmbë nëpër rrugën që quhej “Rruga e Tyrbes”, meqë kjo rrugë ishte e kalueshme vetëm për makina të larta. Tanimë ishim në destinacionin e duhur dhe na duhej vetëm përgatitja e mirë fizike për ngjitje. Deri në maje duhej kaluar këmbë distancën prej 2,5km me një ndryshim lartësie prej 140m në 407m.
Këtë rrugë, pa ndonjë mundim të madh, e kaluam për 1 orë. Gjatë ecjes zhvilluam biseda të ndryshme dhe shkëmbyem informata trepalëshe. Unë ofrova informata themelore për mundësinë e gjetjes së një vendbanim më të hershëm që nga periudha e hekurit të cilin të parët e dalluan studiuesit Prashniker dhe Shober. Këtë fortifikatë studiuesit e kanë quajtur Akrolis por antenat e vendosura aty shumë pak premtonin se do të gjejmë diçka. Konfiguracioni dhe madhësia e terrenit në maje ishte përafërsisht i njëjtë me majën e Malit të Sumës në Ulqin e që në të dy vendet janë identifikuar fortifikata parailire dhe për kënaqësinë time unë që të dyja i kam pushtuar. Derisa në malin afër Ulqinit identifikuam muret ilire, në majën e Shelbumit, përveç se në literaturë në terren nuk hasëm në mure. Në të vërtetë në anën lindore të majës dalloheshin grumbuj gurësh të cilët të shtynin të mendosh se mund të jetë ndonjë varr i tipit tumular i ngjashëm me atë të majës së Pllanicës në Dinoshë dhe tumulës së madhe në Shushan të Tivarit por na mbetet vetëm të bazohemi te Prashniker dhe Shober që flasin për disa tumula mbi kurrizet e malit të Rrencit dhe të Kakarriqit. Apo ndoshta vetëm na rrenin sytë.
Fatmiri e Samiu, të parapërgatitur më parë me informacione, flisnin për mundësinë e gjetjes së “Tyrbes së Skënderbeut” në majën e këtij mali. Samiu tregonte për studiuesin Dhosi Liperi dhe argumentet që kishte dhënë ai në vitin 1968 e që Samiu pajtohej me te. Fatmiri ia vërtetonte dhe shtonte të dhëna lidhur me misterin e varrit apo vendvarrimit të Skënderbeut.
Me të vërtetë “Pse heroi ynë nuk u varros në Krujë?” të imponohet pyetja. Ky mister do të jetë gjithmonë prezent dhe është i ngjashëm me misteret e të gjitha figurave më të mëdha historike botërore. Ne duke u ngjitur majës së Shelbumit jemi, ta quajmë ashtu, në kërkim të tyrbes, por a është ajo e Skënderbeut ia lëmë kohës dhe studiuesve tjerë të merren me te. Mua më kujtohej qartë skena e pikturuar nga Richard Caton Woodwille dhe nënshkrimin në te “Shqiptarët ke Varri i Skënderbeut në datën e vdekjes së tij”. Me të vërtetë ai pak në mënyrë artistike kishte paraqit një vend që quhej Varri i Skënderbeut dhe që në periudhën kohore kur e kishte krijuar ai këtë pikturë të shtyn të pyetesh se a e ka parë me të vërtetë Woodvilli varrin e Skënderbeut?
Po, thotë Fatmiri dhe vazhdon me shpjegim. Në vitin 1912 një grup ushtarësh serbë me rastin e pushtimit të Lezhës në mënyrë triumfuese janë fotografuar para një tyrbeje që gjendej në majën e malit ku po ngjitemi dhe ata e quajnë Tyrbja e Skënderbeut.
Arritëm në majën e malit dhe u përballëm me faktin se operatorët e telefonisë celulare kishin rrethuar majën me tela dhe parmakë dhe pengonin ngjitjen e mëtejme. Të ndodhur në një situatë të re, pas një ore ngjitjeje një pengesë parmakësh do të duhej të ishte më e vogla andaj u kthyem 10m mbrapsht dhe përmes malit u futëm në rrafshinën e majës së Shelbumit. Unë edhe ashtu skeptik gjatë ngjitjes jo që nuk shpresoja të gjejmë ndonjë varr ilir tumular e sa për tyrbe fizike jo se jo. Mendoja se regjimi i mëparshëm monist do ta kishte zhdukur. Nga maja fillova të bëj fotografi dhe duke u mahnitur me pamjen që ofrohej që nga Gryka e Otrantos e deri në kalanë e Ulqinit konstatuam se kjo ishte një pikë shumë e rëndësishme strategjike.
Papritmas nga jo shumë larg dëgjohet thirrja e Fatmirit i cili në anën tjetër kishte gjetur muret e tyrbes!!! Unë e Samiu u nisëm në drejtimin e tij duke e uruar për gjetjen. Me të vërtetë në anën e majtë tonën dhe pjesën më të skajshme të majës së malit ende në këmbë qëndronin dy anë e gjysmë muri që për nga konfiguracioni dhe forma qartë identifikohej tyrbja e që grupi ynë falë iniciativës së Samiut e Fatmirit më në fund gjetëm, nga dëshira jonë e madhe po e quajmë “Tyrben e Skënderbeut” kurse studiuesit dhe shteti le të marrin iniciativa për vërtetimin e këtij pretendimi. Morëm fotografitë e duhura, u lidhëm në rrjetet sociale dhe bëmë të publike atë që gjetëm e që ishte vërtetuar hamendësimi ynë i ekzistimit të një objekti të tillë në majën e malit. Trupi i Skënderbeut se ku është i varrosur nuk do të mund ta dëshmojë kurrë askush. Mauzeleu i tanishëm nga qarqet serioze është shumë i diskutueshëm. Mundësia e marrjes së eshtrave të Skënderbeut për hajmali nga ana e Osmanëve është një përrallë e pabazë. Atëherë çka na mbet? Meqenëse misteri i vendprehjes nuk do zgjidhet kurrë logjikisht parashtrohen disa pyetje. Pse banorët lokal brez pas brezi, në memorien e vet kanë të trashëguar tregimin për tyrben e Skënderbeut në majën e këtij mali? Pse Woodvilli në vitin 1908 pikturoi vendin e quajtur “Varri i Skënderbeut” dhe e paraqiti si tyrbe? Pse ushtarët serb me rastin e pushtimit të Lezhës në mënyrë triumfuese u fotografuan para vendit që e quajtën Tyrbja e Skënderbeut? Pse u heshtën përfundimet që nxori Dhosi Liperi në vitin 1968 në Konferencën e Dytë të Studimeve Albanologjike të zhvilluar në Tiranë, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut? Shumë pyetje pa përgjigje dhe shumë dilema të pazgjidhshme.
Mundësia e fshehjes së eshtrave të Skënderbeut përmes zhvendosjes së tyre nga vendvarri origjinal është shumë e madhe. Jeta, pjekuria, arsimimi dhe formimi i Skënderbeut në kampet ushtarake jeniçere që nga fëmijëria e hershme është fakt i pamohueshëm e gjithashtu edhe mundësia e fshehjes së eshtrave të tij në një maje të malit shqiptar në formë të një monumenti është shumë i mundshëm. Kumtesa e Dhosi Liperit “Varri dhe shpata e Skënderbeut sipas legjendave popullore”, ofronte mjaft dëshmi të drejtpërdrejta të mbledhura në krahinat e Zadrimës, Matit, Krujës dhe Mirditës ku çuditërisht të gjitha gojëdhënat e popullit tregonin se turqit asnjëherë nuk e gjetën varrin e vërtetë të Skënderbeut.
Dita u tregua shumë e suksesshme sipas asaj që ishim nisë të vizitojmë dhe çka gjetëm në terren kështu që kthehemi mbrapshtë në Ulqin të plotësuar shpirtërisht e mendërisht duke mos ndjerë lodhjen fizike nga terreni. U përshëndetëm me Tyrben e kujtdo qoftë ajo e Skënderbeut apo e ndonjë të përvuajturi tjetër, përshëndetëm kalanë e Akrolisit dhe të Lisit, përshëndetëm Mauzeleun e Skënderbeut dhe në fund të fala i dërguam edhe Hafiz Ali Ulqinakut, të cilit edhe sot pasardhësit i jetojnë në Lezhë.
(Fund)