Peizazhi si metaforëkulturore e betonizimit

Korab Kraja

Nga çfarë përbëhen peizazhet? Përbëhen nga grupe të ekosistemeve të dallueshme tokësore dhe ujore që ndërveprojnë me njëri-tjetrin. Çfarë definon fjala “peizazh”? Përpos ekosistemit, ai mund të shpërfaqet në piktura që tregojnë skena nga natyra përmes artit. Zakonisht këto lloj të pikturave ngërthejnë në vete male, lugina, trupa ujore, fusha, pyje dhe brigje. Herë nuk përmbajnë, por ndonjëherë edhe përmbajnë struktura të ndërtuara nga njerëzit apo edhe vet njerëzit e pikturuar në atë pamje.
Po kaq thjesht mund të definohet edhe kultura. Sjelljet e veçanta të njeriut të përdorura së bashku me objektet materiale që përbëjnë pjesën integrale të sjelljes. Kështu, kultura përfshin gjuhën, idetë, besimet, zakonet, kodet, institucionet, mjetet, teknikat, veprat e artit, ritualet dhe ceremonitë. Nëse këto dy terminologji do të bashkoheshin me njëra-tjetrën, atëherë do krijohej termi tjetër i veçantë dhe mjaft specifik: “peizazhi kulturor”.
Por, çfarë është ky lloj peizazhi që përmban në vete edhe diçka kulturore në të? Kombinimi i veprave të natyrës dhe të njerëzimit shfaqin një marrëdhënie të gjatë dhe intime midis popujve dhe mjedisit të tyre natyror. Një ndërveprim i tillë ndërmjet fushave gjeografike dhe studimeve të trashëgimisë kulturore, përshkruajnë shumë thjeshtë simbiozën e aktiviteteve të njeriut me mjedisin rrethues të tij. Peizazhi kulturor është një e mirë domethënëse me rëndësi historike që tregon dëshmi të ndërveprimit njerëzor me mjedisin fizik. Pra, peizazhi natyror i ndryshuar nga aktivitetet njerëzore. Dhe, është e domosdoshme, që aty ku ka jetë njerëzish, natyra të marrë pamje tjetër. Prandaj, shpeshherë në të kaluarën, ndërhyrjet njerëzore në natyrë, kanë prodhuar struktura ndërtimore të harmonizuara me natyrën. Ato buruan nga natyra dhe nga dija krijuese e njerëzve, që i përshtaten nevojat e tyre jetësore me ambientin rrethues. Në këtë mënyrë ndërtimet e tilla u bënë me mjete dhe teknologji të thjeshtë dhe që përkufizonin një rajon të caktuar. Kështu, do të shfaqet arkitektura vernakulare. Një arkitekturë e tillë, ndërtimet e së cilës shfaqnin një potencial kulturor dhe historik të popujve që do t’i ndërtonin. Në ato ndërtime ka shprehje stilistike të bazuara në natyrën, mënyrën e jetesës, kulturën e popullit dhe do të bazohen edhe në traditat si shprehje shpirtërore e të jetuarit.
Të tilla ishin të gjitha ndërtimet, që sot quhen si ndërtime të vjetra. Të tilla ishin edhe kalatë. Edhe ndërtimet e mëvonshme përreth kalave, që e shtrinin vendbanimin më gjerë se qyteti i vjetër. Për fat të mirë, kalaja e Ulqinit i mbijetoi kohës. Për fat të keq, nga rrethanat historike dhe politike, kalaja nuk e ruajti integritetin dhe autenticitetin e plotë. Sidomos, ndërhyrjet e paetikë brenda saj, jashtë saj dhe në rrethinën e saj e katandisën kalanë në një gjendje të mjerueshme estetike dhe historike. Po të ndalojmë pikërisht te rrethina e kalasë, menjëherë mendja të shkon te peizazhi rrethues i saj. Natyra kodrinore me gjelbërime të shumëllojta dhe me ndërtime. Nga fotografitë e vjetra mund të konstatohen shumë ndërtime. Përgjithësisht të një lloji, me një stil arkitektonik të përhapur në kohën e ndërtimit të tyre dhe me një unifikim stilistik që tregonte një përfaqësim kulturor të ndërtimit. Mund të shihen shtëpi të thjeshta dhe modeste, por në ato shtëpi mund të shihet një përmbajtje e jashtëzakonshme e mjeshtrit popullor. Përpos arkitekturës që e bënte shtëpinë ulqinake të dallueshme dhe bashkëvepruese në kontekstin e peizazhit të kalasë së Ulqinit, shtëpia përmbante një oborr të gjelbëruar. Hija e pemëve në oborret e këtyre shtëpive, përçon freskinë edhe përmes fotografive të vjetra, që me të drejtë tani mund të konsiderohen si fotografi historike. Pra, tërë kjo hapësirë integrale me natyrë dhe ndërtim me material natyror- me gurë dhe me dru- përbënte një peizazh të jashtëzakonshëm kulturor dhe një peizazh me plot vlera estetike të rrethinës së kalasë.
Çfarë ndodhi? Peizazhi rrethues, sot, për fat të keq, me të vërtetë që i tejkalon përmasat e të jashtëzakonshmes. Pra, jashtë çdo zakoni etik të ndërtimit, u krijua një ekstravagancë ndërtimore që tejkalon kushtet e të lejuarës jetësore. Nëse rrëfimi do të shmangte kushtet e jetës dhe të përqendrohej vetëm në narracionin arkitekturor, atëherë peizazhi kulturor i dikurshëm, sot mund të përkufizohet si peizazh i betonuar. Betoni është bërë identifikim i qytetit. Është përhapur në qytet më shpejt se që përhapet era e murrlanit. Asnjë shtëpi që përfaqësonte një të kaluar historike, nuk është më e dukshme në tërë peizazhin rrethues. Edhe ato shtëpi të pakta që kanë mbetur, disa prej tyre janë ndryshuar, pjesa tjetër është gllabëruar nga betonimi i shtëpive të tjera, ndërsa pjesa dërrmuese është rrënuar. Pemët që krijonin hijen në pikun e verës, janë zëvendësuar me mure betoni. Nëse dikur hija e pemës shërbente si strukje nga vapa, tani hija e betoneve e shumëfishon temperaturën e mjedisit.
Mjafton të bëhet një shëtitje e thjeshtë nëpër lagjen mbi plazhin e vogël dhe do të arrihet në përfundimin se përballë detit është krijuar një “ekosistem” i xhunglës nga betoni. Nga syri i largët, aty nën kala mbi molin e madh, një hedhje e shikimit mbi kodrën përballë, të rrëqethet trupi pa parë asnjë gjelbërim ndërmjet shtëpive. Të ngacmohet syri nga ndërtimet e shumta që dalin të dyfishuara si kuçedrës kur i prehen kokat. Njëtrajtshmëria e vijës së lakuar të kodrës së Pinjeshit, që përbën kufirin ndërmjet tokës dhe qiellit, shkëputet panatyrshëm nga ndërtimet e parregullta dhe pa asnjë përfaqësim arkitektonik vendor. Ndërtesat shtohen më shumë e më shpejt se që shtohen kërpudhat pas shiut. Çdo vit shtohen kate si mbindërtime të ndërtesave ekzistuese. Ato bëhen ekosisteme të mbindërtimit midis pikës së ditës me plot diell, njëlloj si myshku që i shtohet sipërfaqes së padiellosur.
Shtresëzimet e tilla ndërtimore kërcënojnë rëndë ekosistemin natyror dhe trashëgiminë kulturore. Nëse aseti më i rëndësishëm historik dhe kulturor i qytetit është shpërfytyruar jashtë mase, atëherë pse një çoroditje e tillë mos t’i ndodh edhe peizazhit përballë saj? Në këngën popullore shikohet deti nga kalaja dhe dita shkon duke vajtuar, arkitektët tonë sikur lirikën popullore e kanë kthyer në biznes arkitekturor:
Prej kalasë e shoh Pinjeshin,
Më shkon dita tuj provu,
Fare vetëm unë bëj projektin,
Tërë Ulqinin me rrënu.
Pra, të rrënojë duke ndërtuar. Me projekt. Dhe, me profesion arkitekt, më falni, arkitekt biznesmen. Kryefjala e arkitektëve të tillë është betoni dhe thirrjet e tyre për të kontribuuar në shoqëri, në të vërtetë pasqyrojnë rrotullimet e përzierësit të betonit. Nga një peizazh kulturor, që Ulqini do të duhej ta kishte si qytet me vlera të tilla dhe historike, në të vërtetë kultura si nocion në termin peizazh përdoret si metaforë e betonizimit.

Të fundit

më të lexuarat