Besëtytnitë në mendësinë popullore të trieshianëve

Gjekë Gjonaj

Edhe trieshianët i kanë besëtytnitë e veta që janë të njëjta apo të ngjashme me besëtytnitë shqiptare dhe përkojnë me besëtytnitë e popujve tjerë , të cilat kanë të bëjnë qoftë për mirëqenie, për rreziqe, për ikjen e ndonjë të keqeje, për pjellori, etj..
Këto besime të kota e kanë përcjellë trieshianin gjatë gjithë rrugëtimit të tij, prej lindjes deri në vdekje. Po përmendi disa forma të besëtytnive që janë të njohura në Triesh, si: vendosja e patkoit të kalit në derën e hyrjes në shtëpi e mbron shtëpinë nga krijesat e liga dhe sjellë fat e pasuri, vendosja e brirëve të dashit, kokës së gjarprit , hudhrat, hajmalitë, të mbajtura në shtëpi, në makinë, në dyqan ose në vende të ndryshme për të larguar syrin (synin) e keq dhe të ligën. Shumë trieshianë përdorin edhe vendosjen e dordolecëve në ara ose në oborret e shtëpive, jo për të mbajtur larg shpendët dëmtues, por për të larguar syrin e keq. Ata shpesh luajnë nga vendi sa herë që dëgjojnë ndonjë fatkeqësi, ose e fërkojnë hundën lehtë me dorë duke e shoqëruar me shprehjen “ mashalla” për t’u ruajtur nga syri i keq. Disa të tjerë i fryjnë dorës sa herë që fërkojnë gushën e tyre që të mos i kapin sëmurjet e caktuara. Ka disa prej tyre që kur dëgjojnë ose përmendin ndonjë rrezik, qoftë edhe imagjinar, prekin një gurë ose një dru duke shprehur disa herë radhazi nëpër dhëmbët formulën “ gurit dhe drurit. Trieshianët po ashtu besojnë se hedhja e kokës së kurbanit në themelet e shtëpisë apo çfarëdo ndërtese tjetër ose spërkatja e themeleve me gjakun e kurbanit sjell mbarësi dhe i ruan nga e keqja. Leximi i dorës dhe i filxhanit , kockave të kafshëve, në imagjinatën e trieshianëve njihen për të njohur gjoja të ardhmen, fatin dhe fatkeqësitë.

Syri i keq
Është një nga besëtytnitë mjaft të përhapura në Triesh, ashtu si kudo në Malësi të Madhe. Besohej se fuqia e syrit të keq ka fuqinë pothuaj e çdo gjëje që shkon keq. Po ashtu besohet se foshnjat e porsalindura dhe fëmijët, janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj dëmeve që mund të sjellë syri i keq, por ndaj këtij fenomeni nuk janë imun as kafshët. Kundër syrit të keq, popullata është mbrojtur me ilaçe dhe magji. Sipas gojëdhënave mjeti më i mirë kundër syrit të keq ka qenë hudhra, vendosja e një thelbi hudhre në rrobat ose djepin e fëmijës. Ndërkaq, kuajve të shalës, qeve etj. kundër syrit të keq u vinin në ballë hajmali me eshtra kafshësh. Për rastet që mendohej se fëmija apo ndonjë bagëti e sëmurë ka sysh ( ka marrë sysh) , gratë e kishin zakon me i shkrep dhgi (thëngjill) . Me procesin e “shkrepjes së thëngjijve” të ndezur në ujë të ftohtë gratë besonin se “ syri i keq” do të pëlciste e do të shuhej ashtu si thëngjilli në ujë. Frika nga syri i keq pasqyrohej në disa shprehje popullore, si: “Me marr sysh”, “ Me pas sysh”, “Me e hagër sysh”, “Mos e prekt syni i keq”, “ Mos e pat syni i keq”,

Zana e malit
Sipas besimeve popullore të malësorëve trieshianë zanat parafytyrohen si vajza a nuse të bukura , që jetojnë në male e vende të bukura e me burime të freskëta etj. Zanat parafytyrohen si qenie shumë të bukura, të hijshme e të lakmueshme për meshkujt, por edhe idhnake, të cilat kanë edhe fuqi të mëdha keqbërëse , prandaj atyre ua kanë frikën të gjithë, prandaj edhe emrin nuk ua zinin në gojë, por thuhej: Ato të pyllit, ato të bjeshkës, ato t’lumet, ato që shtoju Zot valët. Togfjalëshat më të shpeshtë në Malësi kanë qenë e janë: trim si zana, e bukur si zana e malit, trim si zana e malit , ka pi tambël ( qumësht) zanash, filani është trim si Zana. Zanat duhen marrë me të mirë se mund të ndihmojnë ose të të dëmtojnë. Në këtë kontekst përdoret shprehja: Motër të paça, ndërkaq për ndonjë njeriu të mbrapshtë mund t’i thuhet: “Të shitoftë zana!” ose “U shitosh me zanë.” Tradita na tregon se zanat karakterizohen nga dy tipare, pozitive: ku ndihmon kreshnikët dhe heronjtë në betejat e tyre dhe negativ : ku dinakëria del në pah për të mbrojtur territorin e tyre.

Ora e maleve
Në besimet popullore “Ora“ paraqitet si një gjë e padukshme, përgjithësisht pa trup dhe pa formë, përveçse kur është e trupëzuar”, si një vashë a gjarpër që ruan një njeri, një shtëpi, një fis etj. Ajo besohej se jetonte në male, në pyje, në fusha, në kroje ose pranë njerëzve, dhe i ndihmonte a u sillte fat të mirëve dhe ndëshkonte të këqijtë. Mendohej se çdo njeri, si dhe çdo shtëpi ka orën e vet . Madje, besohej se edhe zana e maleve kishte orën e vet. Ajo është këshilltarja e kreshnikëve. Emri i orëve shpeshherë nuk zihej në gojë se ishte tabu, prandaj edhe zëvendësohej me emërtime femistike , si p.sh. “Qofshin të bardha!” etj. Del në shumë shprehje e frazeologji popullore: Ora e shpis, Ora e njerit, Ora e filanit , Ora e fisit, Ora e bajrakut, E ka orën e madhe, Nier me orë, Nier me orë çuom, Paç orën e mirë, Orëbardhë, Orëlig, Orëzi, Orëzezë, Më ruajti ora, Më qiti ora, I vdiq ora e shtëpisë , katunit ose bajrakut, si dhe mallkimet: Dekti ora!, Ligtju ora! E vraftë ora! etj. .

Shtrigat
Në Triesh thuhej se shtrigat kanë ekzistuar. Ato imagjinoheshin ( parafytyroheshin) si plaka të shëmtuara, keqbërëse, me vese e huqe të këqija, duarshtrënguara, zemërngushta, shpirtkazmë e shpirtzeza, të cilat është vështirë të dallohen se cilat janë. Në asnjë rast ato nuk janë gra të reja dhe burra. Besohej se shtrigat janë shpirtzeza, të cilat hanë njerëz të gjallë dhe merren me magji për të bërë të këqija e dëme. Madje gojëdhënat thonë se këto plaka ushqehen edhe me fëmijët e tyre.
Tregimet tregojnë se shtrigat pinin gjak dhe ushqeheshin me mish. Zakonisht ato dalin dhe gjuajnë gjahun e tyre natën. Kur vjen nata, shtrigat marrin një formë të frikshme. Në momentin kur ato bien në shtrat, shpirti i shkëputet nga trupi përmes gojës.
Sipas rrëfimeve të hershme fshatarët zakonisht e dinin se cila plakë në fshat është shtrigë, dhe në disa raste i kanë rrahur e linçuar publikisht, duke i detyruar të rrëfejnë sekrete, bëmat e dashnorët. Dikur thuhej se i zoti i shtëpisë i “ lidhte shtrigat” Natën e T’lidhunave (të mërkurën e përhime) 6 javë para Pashkëve. I zoti i shtëpisë në mbrëmje pas darke merrte një pe të zi të leshtë dhe pranë zjarrit në oxhak lidhte me një nyje të fortë shtrigat e katundit që mos të bëjnë dëm as në familje, as në mall. Pasi t’i lidhë “të gjitha shtrigat” kryefamiljari e fut perin me plot nyje në një birë ( vrimë), të cilën e shpon me turjelë në një tra, në kosh të drithit ose në ndonjë vend tjetër jashtë shtëpisë, e mbyll me një kunj dhe e fsheh pa ditur askush.

Të fundit

më të lexuarat