“Para 21 vjetësh nga botimi i parë i librit me titull ‘Gjykimet e Pengjeve’ më 2002 në shqip dhe më 2007 në serbisht me titull ‘Montirani procesi protiv kosovskih Albanaca”, e pashë të nevojshme dhe të arsyeshme që ta ribotoj këtë libër me pak plotësime, por me titullin e ri ‘Proceset e kurdisura kundër shqiptarëve të Kosovës (1999-2001)”, shprehet në fillim të parathënies autori – gazetari, publicisti dhe përkthyesi i mirënjohur, Fahri Musliu, nga fshati Zapllugje i Opojës të Komunës së Dragashit, Republika e Kosovës, i cili një gjysmë shekulli në detyrën e gazetarit e kaloi në Beograd, si gazetar i rregullt, korrespondent dhe bashkëpunëtor i shumë mediave të shkruara e elektronike në gjuhën shqipe dhe serbo-kroate në vazhdimësi deri në vitin 2013 kur dhe u pensionua dhe u kthye në Prizren për ta vazhduar jetën me familje, por edhe punën e mëtejme gazetareske e publicistike.
Autori Musliu në vazhdimin e fjalës së vet në parathënie thekson se “Ky libër i veçantë i llojit dokumentar e publicistik, jo vetëm në hapësirën e Ballkanit, por edhe në Evropë, përmban informata për proceset e ndryshme gjyqësore individuale e grupore, nëpër gjykatat e Serbisë, kurse në veçanti përpunohen pesë procese që kanë zgjuar interesimin e opinionit të vendit dhe të atij ndërkombëtar: 1. Procesi gjyqësor kundër mjekes dhe poetes Flora Brovina, 2. Procesi kundër udhëheqësit studentor dhe bashkëpunëtorit të Adem Demaçit, udhëheqës i krahut politik të UÇK-së, Albin Kurti, 3. Procesi kundër grupit të studentëve shqiptarë të Universitetit të Beogradit, 4. Procesi kundër grupit gjakovar prej 145 vetash, dhe 5. Procesi i rastit “Kleçka” kundër kushërinjve Mazreku. Në këtë kontekst ai pohon se vlera kryesore është se në libër është përfshirë lista zyrtare e të burgosurve, e siguruar nga Ministria e Drejtësisë e Serbisë, pastaj aktpaditë e aktgjykimet, reagime të shumta të shoqatave të ndryshme për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, shkrime të disa intelektualëve të Beogradit, analiza të gjykimeve.
Autori i veprës voluminoze në fjalë konfirmon se qëllimi i këtij botimi të dytë është që viktimat rreth 2050 pengje të luftës, ta kujtojnë atë kohë që ishte me shumë vuajtje mizore, kurse atyre që nuk e kanë lexuar botimin e parë dhe gjeneratat e reja, si dhe shtetet e aleancës perëndimore t’i njoftojë me burgjet dhe gjykimet e njerëzve të pafajshëm, çfarë nuk ka ndodhur gati askund në Evropë dhe, më në fund, për ta demaskuar fytyrën dhe filozofinë e një pushteti mizor, gjakatar e antinjerëzor.
Për fat të keq, shprehet autori Musliu, të cilin ua ka kushtuar të gjitha viktimave shqiptare të territorit shtetëror serb dhe të përndjekjes politike në këto hapësira nga viti 1989-2000, por edhe atyre që u angazhuan dhe u vunë në mbrojtje të tyre, po botohet falë sponsorëve privatë, meqë institucionet shtetërore, në kë rast, nuk treguan interesim, edhe pse ngjarjet që përmban ky libër, janë me rëndësi të veçantë historike dhe dokumentare për një periudhë kohore dhe për një hapësirë, ku pushteti serb ushtroi dhunë të pashembullt mbi shqiptarët e Kosovës.
Andaj, shprehet autori, ky libër dokumentar do të jetë dëshmi faktike për një kohë të errët të një regjimi satrap që nuk zgjodhi metoda për të ushtruar mizori mbi shqiptarët e Kosovës, në veçanti përmes proceseve të kurdisura e montuara ndaj tyre, për shpalosjen dhe reflektimin e tyre përdori shprehjen adekuate “A mund të harrohet…?!”, siç vijon:
- A mund të harrohet angazhimi i drejtoreshës së Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), Natasha Kandiq, e cila autorin Musliu e ka njoftuar në gusht të vitit 1999 se, nga Kosova, në burgjet e Serbisë, janë transferuar rreth 2000 të burgosur shqiptarë të arrestuar gjatë luftës dhe për fat ata janë gjallë e mirë. Këto transferime, thotë ajo, e që e konfirmon edhe autori Musliu, janë bërë me qëllim të këmbimit të tyre me robër serbë të Kosovës, por kur janë bindur se të tillë nuk ka, atëherë informatat për transferimin e tyre në burgjet e Serbisë ia kanë dhënë Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe përfaqësuesve të OKB-së për të drejtat e njeriut.
- A mund të harrohet vendimi që t’i përcjell proceset më të njohura gjyqësore në Gjykatën e Qarkut të Nishit, kur Fahriut (autorit të librit) i duhej të paraqitej si përfaqësues i OJQ-së për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe rrugëtimin e parë me makinën e Natasha Kandiqit, bashkë me avokatët Dragolub Todoroviq dhe Mojca Shivert,
- A mund të harrohet vizita që gazetari Musliu ua bëri 8-të të burgosurve shqiptarë në Burgun Ushtarak në Beograd, në fund të dhjetorit të vitit 1998 dhe takimin me Afrim Berishën më 22 qershor të vitit 2000, si ta harrojë frikën e tij dhe belbëzimin “dajë kam gabuar shumë”, si ta harrojë qëndrimin e vet për ta qetësuar e për t’i dhënë zemër se s’duhet të pendohet e të dëshpërohet, se do të lirohet së shpejti, nuk do t’i harrojë as fjalët e drejtorit të burgut Radivoje Gudalloviq, kapiten i klasës së parë, i cili erdhi për ta përshëndetur në dhomën ku ishte me Afrimin: “Afrimi është shumë djalë i mirë, shpresoj se së shpejti do të përfundojë kjo dhe, edhe Afrimi, edhe unë do të jemi më të lirë”,
A mund të harrohet gjykimi i mjekes, poetes dhe veprimtares Dr. Flora Brovina , me shëndetin e saj të brishtë dhe lotët në sy në çdo seancë Gjyqësore, fjalët e saj të mbrojtjes. “Si nënë, si mjeke, si humaniste, kurrë nuk i kam ndarë dhe shëruar njerëzit sipas nacionalitetit, sepse ne nuk i zgjedhim prindërit… Vendi im është kudo që gjenden miqtë e mi dhe ku lexohen e dëgjohen vjershat e mia… Është koha që intelektualët shqiptarë të deklarohen dhe të pajtohen me popullin serb”, - A mund të harrohet gjykimi i ish liderit studentor dhe zëdhënës i përfaqësuesit politik të UÇK-së, Albin Kurtit, dhe mbrojtja e tij në dy seanca që ishte antologjike: “Unë këtë gjyq nuk e njoh as nuk e pranoj, ashtu siç nuk e njoh e as nuk e pranoj as Serbinë, as Jugosllavinë… Ky gjyq është në shërbim të politikës ditore fashiste të regjimit të Millosheviqit… Unë përgjigjem vetëm para Gjyqit të popullit tim. Rrjedhimisht nuk ka rëndësi se sa do të më dënoni – 10, 20, 30 apo 50 vjet”. E paharrueshme i është autorit e gazetarit Musliu intervista me Albin Kurtin në burgun e Quprisë, në maj të vitit 2001, intervista e parë zhvilluar me një të burgosur shqiptar në burgjet e ish-Jugosllavisë dhe Serbisë nga një gazetar shqiptar,
- A mund të harrohen me dhjetëra procese të tjera politike gjyqësore, nëpër gjykatat e ndryshme të Serbisë, kundër të burgosurve shqiptarë të akuzuar për “veprimtari armiqësore dhe terrorizëm”, pa asnjë fakt, ku çdo aktgjykim pritej me ankth…,
- A mund të harrohet procesi Gjyqësor i 9 studentëve shqiptarë të Universitetit të Beogradit, të akuzuar për diversione të ndryshme si: helmimi i ujësjellësit të qytetit, minimi i godinës së postës qendrore dhe i stacionit hekurudhor në qendër të qytetit… Është për t’u mbajtur mend mbrojtja e Petrit Berishës, i cili tha: “Kam pranuar gjithçka para hetuesve nën trysninë e torturave policore deri edhe me kërcënime me pushkatim… bile në ato çaste mundimesh të padurueshme do ta pranoja çdo vepër, madje edhe sikur të më kishin thënë se e kam përgatitur vrasjen e Millosheviqit…”, ose fjalët e avokatit Rajko Danilloviq për këtë proces: “Qëllimi i gjithë kësaj është që Universiteti i Beogradit të pastrohet nga shqiptarët etnik që ata të frikësohen në Beograd dhe jashtë tij… Që të rritet fushata propaganduese, se shqiptarët etnikë nga Kosova sipas parimit etnik janë të gatshëm të kryejnë vepra të tilla rrënimtare”
(vijon)
(Vijon nga numri i kaluar)
- A mund të harrohet procesi gjyqësor në Gjykatën e Qarkut të Nishit, kundër 143 gjakovarëve, veçanërisht është i dhimbshëm dhe nuk zbehet kurrë nga kujtesa njerëzore… (aty mungonte një i mitur dhe një i sëmur psikik), të arrestuar në rrugë, nëpër dyqane me strajca në dorë, duke shkuar në punë, në shtëpi, anëtarë të familjes, njerëz nga lagjet e njëjta. Të gjithë u sollën me autobus nga tri burgje të Serbisë dhe të gjithë u vendosën në sallën në Gjykatën e Qarkut në Nish, ku gjykimin e drejtonte gjyqtari i gjykatës së instaluar serbe në Pejë, e zhvendosur në Nish, Goran Petronijeviq, i cili i dënoi me gjithsej 1.632 vjet heqje lirie. Ky proces ishte tepër i veçantë, sepse nuk mbahet mend në analet e gjyqësisë serbe dhe jugosllave nga viti 1945, të jetë gjykuar ndonjë grup kaq i madh dhe të shpallet fajësia kolektive. Për këtë proces autori i librit Musliu ka pas thënë: “Kjo është rrëshqitja më e madhe morale e profesionale e gjyqësisë serbe, falë kolegjit penal politik të drejtuar nga gjyqtari Petronijeviq”,
- A mund të harrohet gjykimi maratonik dhe absurd i Luan e Bekim Mazrekut në rastin “Kleçka”, rrëfimet e tyre trishtuese për torturat e përjetuara në procesin hetimor, i cili nuk u ndërpre kundër tyre, as pas amnistisë sipas Ligjit jugosllav për amnistinë,
- A mund të harrohet e burgosura Igballe Ramiz Xhafa nga Ferizaji, e cila në Burgun e Pozharevcit e lindi djalin Altinin, më 7 tetor 1999,
- A mund të harrohet angazhimi dhe beteja e pashoqe e drejtoreshës së Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), Natasha Kandiq, për ndihma juridike e të tjera që u ka dhënë të burgosurve shqiptarë dhe për ndërkombëtarizimin e këtyre proceseve,
- A mund të harrohet Komiteti Jugosllav për të Drejtat e Njeriut me drejtuesen Biljana Kovaçeviq-Vuço, Këshilli i Helsinkit për Serbi i drejtuar nga Sonja Biserko, OJQ “Gratë në të zeza”, “Grupi 484” dhe individët: Dushan Janjiq, Zharko Koraq, Borka Paviqeviq, Desanka Peshiq, Mira Mioçinoiviq, Filip David, Jelica Miniq, Mirko Tepavac, Nikolla Baroviq dhe Barbara Dejvid (shefe e Zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut në Beograd)… do të mbahen mend përfundimisht për angazhimin e tyre të pakursyer për ta vënë në binarët e drejtësisë këtë katrahurë njerëzore,
- Të paharrueshme janë edhe mbrëmjet e protestave të qytetarëve të Beogradit për lirimin e Flora Brovinës, të Albin Kurtit dhe të burgosurve të tjerë shqiptarë në sallën e “Qendrës për Dekontaminimin Kulturor”, me pjesëmarrje të madhe, përfshirë edhe intelektualë të pavarur, shkrimtarë, gazetarë, ku ishte edhe ish-politikani i njohur Ivan Stambolliq dhe iniciativa e tyre për miratimin e Ligjit për Amnistinë e të Burgosurve Shqiptarë,
- A mund të harrohet lufta e pakompromis dhe e argumentuar, për t’i mbrojtur të pafajshmit e 34 avokatëve të angazhuar nga FDH-ja dhe nga familjet e të burgosurve, por do të mbahen në mend gjatë edhe gjyqtarët politikë pa dinjitet etik-profesional, që nuk i respektonin faktet si: Goran Petronijeviq, Sllagjana Petroviq, Marina Millanoviq, Dragisha Slijepçeviq, Millomir Llukiq, Nikolla Vzura dhe Dushan Spasiq (gjyqtarë të gjykatës së instaluar serbe në Prizren të transferuar në Pozharevac) si dhe të gjithë prokurorët që në këto raste kanë vepruar e punuar sipas direktivave politike,
- A mund të harrohet rrëmbimi i avokatit Teki Bokshi, më 3 dhjetor të vitit 1999, dhe mbajtja peng 13 ditë, i lidhur me pranga në banjën e një garsoniere në Beogradin e Ri, për lirimin e të cilit pengmarrësit kërkuan 500 mijë DEM, e që më në fund familja e tij ia pagoi 100 mijë DEM avokatit Tomisllav Stojkoviq, përfaqësues i grupit të bandës në vendkalimin kufitar Merdare, në prani të përfaqësuesve të KFOR-it dhe të UNMIK-ut,
- A mund të harrohet rasti tragjik i avokatit Hysni Bytyçi i cili më 16 mars të vitit 2000, në banesën e vet në Zemun, u sulmua me bashkëshorten nga persona të panjohur dhe mori lëndime të rënda në kokë, por, falë doktor Gjuroviqit shpëtoi nga vdekja. Ky sulm u organizua nga avokatët matrapazë serbë të Kosovës, të cilët merrnin para të mëdha nga shqiptarët nga se Hysniu i kritikonte. Ai s’vonoi e, me ndihmën e-HRW-së, e braktisi Serbinë dhe me familje u vendos si azilkërkues në Londër, njofton autori i librit Musliu.
- Si të harrohet marrja e shumave të mëdha të parave prej familjarëve të të akuzuarve nga disa avokatë serbë të Kosovës, e cilat kanë arritur deri në 75 mijë DEM.
Gazetari, publicisti, përkthyesi dhe autori i librit në fjalë, Fahri Musliu, thekson se kurrë s’i zbehet nga kujtesa rasti kur në shtëpinë e tij në Prizren, në gusht të vitit 2000, erdhi nipi i familjes, Muhamed Berisha me dy prindër të tjerë dhe, në emër të pesë familjeve, fëmijët e të cilëve ishin dënuar në Gjykatën ushtarake në Nish, i thanë se kanë dëgjuar se avokatët me nga 30 mijë DEM po i lirojnë të burgosurit… I thanë se kanë tubuar 240 mijë DEM për tetë (8) veta. I nxorën paratë mbi tavolinë dhe iu lutën që ai t’ua kryejë këtë shërbim, duke i gjetur avokatët e duhur. Fahriu thekson se është qeshur dhimbshëm me ironi nga vuajtja e tyre duke u thënë: “Këto janë mashtrime që po u bëhen shqiptarëve nga disa avokatë serbë matrapazë. Nuk ka nevojë të jepni asnjë cent, sepse fëmijët tuaj që fatmirësisht janë gjallë e shëndosh, së shpejti do të lirohen. Këtë po ua garantoj unë, sepse së shpejti do të miratohet Ligji për amnistinë e të gjithëve dhe ju këto para merrini me vete e shfrytëzojini për diçka më të mirë”, - Nuk mund të harrohet miratimi i ligjit për amnistinë e të gjithë shqiptarëve të burgosur, falë trysnisë së organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Serbi, shumë intelektualëve e mediave si dhe trysnisë së madhe të shteteve perëndimore për lirimin e kthimin e tyre në Kosovën e çliruar.
- Të gjitha këto edhe mund të harrohen, si harrohet shumëçka në jetë, por nuk mund t’i harrojnë ata që i kanë përjetuar torturat, vuajtjet e poshtërimet dhe familjarët e tyre. Por as gazetari (autori i librit), si dëshmitar dhe përcjellës i këtyre gjykimeve nën rrethana shumë të vështira dhe plotë frikë.
Këto ngjarje duhet të kujtohen si një e keqe e madhe për shqiptarët e Kosovës, por edhe për të gjithë ata serbë që ishin kundër terrorit të regjimit të Millosheviqit mbi fqinjët e tyre, e njëkohësisht edhe mbi ta, sepse kur mbi ju bien bombat, pushon çdo logjikë e shëndoshë.
Në fund, pa ngurrim, me plot gojë dhe ndjenja shpirtërore e mbresëlënëse, konfirmoj se libri “Proceset e kurdisura kundër shqiptarëve të Kosovës (1999-2001) e autorit Fahri Musliu, kolegut, shokut e mikut tim personal, me të cilin në fund vitet e 60-ta të shekullit të kaluar, në Opojën e Komunës së Dragashit, ku aso kohe punoja si mësimdhënës, i filluam hapat e parë në fushën e gazetarisë, si korrespondent dhe bashkëpunëtor i të përditshmes “Rilindja” dhe programit të “Radio Prishtinës” nga kjo komunë, është vepër vëllimore dokumentare me vlerë vërtetë të madhe e shpalosjes dhe reflektimit të ngjarjeve të tmerrshme dhe proceseve të montuara e kurdisura të tyre kundër shqiptarëve të Kosovës, kryesisht në vitet 1999-2001.
(Fund)