Tuz – 6 prilli i vitit 1911, përkatësisht 112-vjetori i Kryengritjes së Malësisë u përkujtua nga Komuna e Tuzit, me ç’rast organizoi një mbrëmje solemne në Qendren Kulturore Informative “Malësia”, ku të pranishmit patën mundësi që të njihen me historikun e kësaj ngjarjeje të bujshme, por edhe të dëgjojnë vargje poezie dhe të argëtohen.
Këtë manifestim fillimisht e hapi tenori i mirënjohur nga Tirana, Kastriot Tusha me himnin e flamurit kombëtar të interpretuar live, i cili me zërin e tij brilant solli çaste të këndshme për të pranishmit.
Ndërkohë, moderatorja e mbrëmjes, gazetarja Paula Dekaj theksoi se beteja e vitit 1911 rikujtohet edhe sot për rëndësinë që pati, duke shënuar një pikë kthese për shkëputjen e shqiptarëve nga Perëndoria Osmane.
Në të njëjtën kohë, mbi rëndësinë e kësaj date foli nënkryetari i Komunës së Tuzit, Ivan Ivanaj i cili në mes tjerash tha se ngritjen e flamurit të udhëhequr nga luftëtarët e lirisë dhe nga kryetrimi malësor Dedë Gjo’ Luli disa dekada më parë, edhe vetë historia shqiptare, e lëre më të tjerët, dëshironin ta anashkalonin, ta harronin dhe ta heshtnin.
Por, siç u shpreh ai, pikërisht për Kryengritjen e Malësisë, janë organizuar në Tuz tre simpoziume shkencore me pjesmëmarrjen e emrave më eminentë të historisë shqiptare nga Shqipëria, Kosova dhe nga shqiptarët e Malit të Zi.
“Por edhe nga studiuesit malazias të historisë së asaj kohe, pas të cilëve më në fund u pranua si fakt i pamohuar 6 prilli i vitit 1911. Kryengritjen e Malësisë sot na e përkujtojnë edhe pllakat përkujtimore dhe përmendoret që flasin për suksesin, por edhe për viktimat e asaj kryengritjeje”, u shpreh ndër të tjera Ivanaj.
Ndërkaq, Prof. Dr. Romeo Gurakuqi në kumtesën e tij kushtuar Kryengritjes së Malësisë të vitit 1911, theksoi ndër të tjera se kjo kryengritje ishte njëra ndër ngjarjet më me rëndësi të historisë së re shqiptare.
“Shpërthimi i kryengritjes dhe tërheqja e vëmendjes së shteteve evropiane ndodhi para se vetë Mbretëria e Malit të Zi të ishte e gatshme për ta mbështetur realisht një kryengritje të tillë për qëllime të veta shoviniste”, theksoi Gurakuqi.
Ai më tutje tha se Kryengritja e Malësisë shpërtheu më 24 mars të vitit 1911 në Malësinë e Madhe, dhe siç tha ajo nuk shpërtheu për shkak të intrigave të Malit të Zi, por si rezultat i precipitimit të kontraditës themelore në Shqipëri, skajshmërisë së këtij precipitimi në vatrën veriperëndimore të vendit.
“Ku dhuna e ushtruar në vijimësi, mosrealizimi i premtimeve për një zgjidhje të kërkesave të malësorëve gjendeshin në kufirin e patolerueshëm. Kryengritja në fazën e parë u shoqërua me zhvillime të jashtëzakonshme ushtarake që e dobësuan tërësisht fuqinë ushtarake të krahinës në raport me vendin. Momenti më kulmor që vulosi karakterin e kryengritjes ka qenë ngritja e flamurit shqiptar më 6 prill në Bratilë të Deçiqit”, u shpreh Gurakuqi.
Ai potencoi se veprimet luftarake të kryengritësve malësorë, zgjuan vëmendjen dhe interesin e forcave nacionaliste shqiptare, e posaçërisht të diplomacisë ndërkombëtare.
“Shpirti i Kryengritjes së 1911-tës ka qenë,Dedë Gjo’ Luli, i njohur ndryshe edhe si heroi i Traboinit. Ai ishte një burrë energjik me karakter të fortë, që nuk bëri kurrë asnjë lëshim në kurriz të brengave të malësorëve dhe të shqiptarëve në përgjithësi, madje edhe atëherë kur u përball me kërcënimet më të rënda”, u shpreh në mes tjerash Gurakuqi.
Ai shtoi se 112 vite pas ngritjes së flamurit kombëtar këtu pranë vendit ku ne po zhvillojmë këtë tubim, Ballkani Perëndimor ka ndryshuar dhe se Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, janë vende sovrane dhe priren drejt standardeve evropiane dhe demokracisë.
“Problemi më i madh që kanë anët tona dhe me këtë kuptoj Malësinë e Madhe, Shkodrën e Alpet në përgjithësi është zbrazja e heshtur, varfëria dhe shtypja nga qeveritë oligarkike. Zbrazja e këtyre trojeve të begata e gjithçka në këtë mes është e lidhur me lirinë e paarritshme, me politikat diferencuese dhe persekutuese që pengojnë investimet, zhvillimin e ekonomisë, turizimin dhe të drejtat arsimore dhe kulturore”, u shpreh Prof. Dr. Romeo Gurakuqi.
Sipas tij, në këtë drejtim kërkohet një politikë më e zgjuar në të dyja anët e kufirit, në mbrojtje të të drejtave zhvillimore, të njohjes së pronësisë dhe të arsimimit më cilësor dhe plotësimit të kushteve për një jetë më të mirë në vend.
“Prej partive politike shqiptare në përgjjthësi kërkohet respektimi i pronës, zhvillimi i investimeve, zhvillimi i arsimit, njohja e të drejtave të regjistrimit në vendlindje të të gjithë emigrantëve, ruajtja e komuniteteve dhe evropianizimi”, porositi Gurakuqi në kumtesën e tij.
Kjo mbrëmje solemne vazhdoi me interpretimin mjeshtëror të tenorit Kastriot Tusha i cili për këtë natë kishte përzgjedhur këngë nga repertori i tij i pasur. Tenorit Tusha në përmbyllje të këtij manifestimi iu bashkëngjit këngëtari nga Malësia Nikollë Nikprelaj, që të dy së bashku interpretuan një duet, përkatësisht premierën e këngës së tyre më të re që pritet ta lançojnë.
Ndërkaq, po të njëjtën ditë, më 6 prill tek Shtëpia Muze e Dedë Gjo’ Lulit, kryetari i Komunës dhe i Kuvendit të Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, Fadil Kajoshaj, nënkryetari Ivan Ivanaj dhe zyrtarë të tjerë, vendosen kurora lulesh pranë shtatores së heroit Dedë Gjo’ Luli në Bardhaj të Hotit.
Gjithashtu, të njëjtën ditë tashmë në mënyrë tradicionale, aktivistë të Lidhjes Demokratike Shqiptare në krye me Nikollë Camaj, në mënyrë simbolike bënë homazhe në malin e Bratilës, aty ku u ngrit flamuri kombëtar 112 vjet më parë.
t. u.