As vdekja nuk i tund nga vendi

Sot shqiptarët, arabët, armenët, bullgarët, grekët, serbët dhe vetë turqit po vuajnë, siç ka ndodhur prej dekadash, nga plaga e sundimit turk. Nga këta popuj të pafat, shqiptarët janë të parët që duhet të tërheqin vëmendjen e një bote joegoiste
Theron J. Damon (National Geographic, nëntor 1912)
As rrahjet me thupra, as arma, as topi, as mërgimi, as burgimi, as edhe vetë vdekja nuk i tund nga vendi.
Folësi ishte një shqiptar i ri në moshë që një pjesë të shkollës e kishte bërë në SHBA. Ai është rikthyer tani në vendin e tij, ku po punon me zell të madh për popullin e tij. Është një prej të paktëve njerëz të arsimuar në Shqipëri, por synon që brezi i ardhshëm të mos i numërojë me gishta burrat dhe gratë e arsimuara të Shqipërisë.
Fjalët e përmendura më sipër u paraprinë prej këtyre: “Për momentin, nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim të Shqipërisë, të gjithë klasat e njerëzve – myslimanë dhe të krishterë qofshin – kanë një dëshirë, pothuajse një pasion për arsimin kombëtar. Të gjithë ata e kuptojnë që, ashtu sikurse në të kaluarën shpata ishte simbol i fuqisë, sot arsimi është perëndesha e fuqisë, dhe ata do të arsimohen, pavarësisht persekutimit”.
Shqiptarët janë ndërgjegjësuar për nevojën që kanë për qytetërimin dhe progresin perëndimor. Por, që nga dita e parë e miratimit të Kushtetutës së re otomane, turqit e rinj ishin të vendosur që qytetërimi duhej të vinte tek shqiptarët, vetëm pasi të kishte kaluar nëpër sitë turke dhe muhamedane. Ky program nuk mund të pranohej nga shqiptarët, edhe sikur turqit e rinj të kishin qenë në gjendje ta vinin në zbatim.
Shqiptari është evropian: për më shumë se dy mijë vjet ka jetuar atje ku jeton tani – në fortesat e Epirit dhe Ilirisë, përtej Adriatikut paralel me thembrën e Italisë. Në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, shqiptarët u përzien me fqinjët e tyre jugorë, grekët dhe ishin shtylla kurrizore e luftës për pavarësinë e Greqisë. Bashkatdhetarët e Marko Boçarit emigruan të gjithë në Cefaloni, në brigjet e Greqisë, por afro dy milionë shqiptarë më të pafatë jetojnë tashmë nën sundimin turk.
Gjatë 125 viteve para zbulimit të Amerikës, republika krenare e Venecias kishte një supremaci dashamirëse mbi qytetet shqiptare të bregdetit dhe kështu që e vonoi për një shekull dominimin turk. Me rënien e Skutarit në Shqipëri dhe dëbimin e venecianëve nga turqit në vitin 1748, këta të fundit filluan sundimin e tyre – shekuj të tërë mashtrimi, bese të thyer dhe mizorie. Rezultati i sundimit turk mund të përmblidhet me zhytjen më thellë të shqiptarëve në varfëri, supersticion, dhe etje për gjak, për shkak të terrenit pjellor që garantonin historia malore dhe tiparet primitivë. Përgjatë dy mijëvjeçarëve, valët dhe impulset e progresit nuk kanë arritur tek shqiptari, ose e kanë anashkaluar, duke e lënë të paprekur.
Sot, ashtu si në të kaluarën, është e vërtetë që një në pesë malësorë flijohen prej hakmarrjes së tmerrshme, që vetëm qytetërimi mund ta çrrënjosë nga jeta e shqiptarit. Të qëllosh një person, edhe tinëz, është çështje e marrjes së gjakut. Asgjë tjetër nuk mund ta kthejë nderin e plagosur. Nëse nuk vritet dorasi, atëherë një prej të afërmve duhet të jetë viktima, e kështu nis zinxhiri i pafund. Kur hakmarrja ka shkuar shumë larg, mund të blihet nëse ke para të mjaftueshme, ose mund të ndalet përmes disa prej kompleksiteteve të kodit të shqiptarit.
Askush nuk duhet të flasë për shqiptarin si njeri pa ligje. Ai zbaton në mënyrë skrupulloze atë që njeh dhe pranon: por, këta janë ligjet që i kanë dhënë natyra dhe zakonet, si dhe natyra e paraardhësve të tij shekuj më parë, të “kodifikuar” disi në shekullin XV ndonëse edhe sot e kësaj dite nuk janë hedhur asnjëherë në letër. Disa prej rregullave të çuditshme që udhëheqin jetën e tij janë: Persona që e kanë prejardhjen nga një stërgjysh i përbashkët mashkull, përmes linjës mashkullore, e konsiderojnë njëri-tjetrin vëllezër, ose vëlla e motër, e si pasoja martesa brenda fisit përjashtohet. Të rinjtë mund të betohen për vëllazëri, dhe kjo krijon një marrëdhënie që i nënshtron të dy, bashkë me pasardhësit e tyre të disa brezave, para të njëjtave ligje martesorë që rregullojnë edhe lidhjet e gjakut.
Personat që kanë të njëjtin kumbar nuk mund të martohen, dhe ka dy lloj kumbarësh: ai i pagëzimit dhe ai i flokut. Kur një fëmijë, vajzë apo djalë, mbush dy vjeç, flokët e tij që deri atë çast nuk janë prekur prej gërshërëve, priten me ceremoni. Prerjen e kryen kumbari, që më pas, nëse fëmija është i krishterë lë nga një tufë flokësh për secilën majë të busullës duke krijuar një kryq. Nëse është mysliman, tri tufa për të formuar një trekëndësh. Në rastin e hakmarrjes, burri nuk duhet prekur nëse shoqërohet nga një fëmijë apo një grua.
Sot, shqiptari është personaliteti më piktoresk në Evropë. Megjithatë, po aq interesante sa tiparet e tij, është edhe e ardhmja e tij politike. Kohët e fundit është shfaqur vetëdija kombëtare shqiptare që refuzon të shtypet. Nën qeverisjen jonormale të turqve, racat e ndryshme të krishtera të Perandorisë, si armenët otomanë, bullgarët otomanë dhe grekët otomanë, kanë secila ekzistencën e tyre kombëtare, një shtet brenda shtetit, ndonëse gjithmonë të nënshtruar vullnetit të turqve. Shqiptarët, ndonëse në përgjithësi kanë zhvilluar një lloj besnikërie myslimane që u jep një pothuajse solidaritet me turqit, janë të vendosur që të kenë edhe ata një entitet kombëtar.
Ndonëse janë të mallkuar me prapambetjen që ka shoqëruar pak a shumë kudo besimin muhamedan, liderët e tyre e kuptojnë se nuk janë një racë orientale, por perëndimore. Se tiparet e tyre turko-muhamedanë janë një lustër, dhe se do të mjaftojë një brez me arsimin e duhur për të bërë kërcimin e madh përpara dhe për të zënë vendin e tyre mes racave të qytetëruara të gadishullit të Ballkanit.
Jo i papajtueshëm me nacionalizmin e ri shqiptar – madje mund të jetë arsyeja e tij – është fakti që shqiptari është një prej anëtarëve më individualistë të racës njerëzore. Po të mos kish qenë i tillë, ai do e kishte humbur shumë kohë më parë identitetin e tij, duke u shkrirë me popujt e ndryshëm që përgjatë kohërave u kanë ardhur rrotull maleve shqiptare. Pavarësisht sulmeve të vazhdueshëm të romakëve, gotëve, serbëve dhe bullgarëve dhe 350 viteve dominim të Turqisë, shqiptari e ka ruajtur individualitetin e tij të pathyeshëm. Crispi, burrështetasi italian ka qenë me prejardhje shqiptare. Ai ishte pjesëtar i kolonisë së madhe të shqiptarëve në Sicili dhe Italinë e jugut, paraardhësit e të cilit, afro njëqind mijë, emigruan kur Turqia pushtoi Shqipërinë. Edhe sot e kësaj dite, shqiptarët e Italisë e ruajnë prejardhjen e tyre. Mosgatishmëria ose paaftësia e shqiptarëve për të ndryshuar individualitetin e tyre reflektohet tragjikisht në ekzistencën e vazhdueshme të sistemit fisnor shqiptar dhe grindjet e përhershme mes fiseve. Si rezultat, Shqipëria nuk ka mundur të paraqesë një front të bashkuar kundër një armiku të përbashkët.
Vetëm një hero i madh bashkues kombëtar ka dalë për shqiptarët – Skënderbeu. Ai vdiq në vitin 1468, pasi fitoi 21 beteja kundër turqve. Vdekja e tij e la Shqipërinë pa udhëheqës, dhe shqiptarët trima që nuk njihnin besnikëri apo ligj tjetër përtej atij të familjes dhe klanit, ranë në sundimin e Sulltan Mehmetit II, pushtues i Kostandinopojës.Ai mundi t’i shtypte, por jo t’i nënshtronte shqiptarët. As edhe sulltanët e mëvonshëm nuk kanë arritur ta plotësojnë këtë dëshirë të madhe. Më e mira që mund të bënin ishte t’i bënin për vete, dhe deri në ditën e fundit të tiranisë së Abdyl Hamitit, shqiptarët trajtoheshin si popull i veçantë. Hamiti ua bleu besnikërinë duke mos u vënë taksa, duke frenuar rekrutimin ushtarak dhe duke përzgjedhur më të mirët e këtyre malësorëve të ashpër si truprojat e tij personale.

(vazhdon)

Të fundit

më të lexuarat