Roli i principatës së Kastriotëve në historinë e formimit të strukturës dialektore të shqipes

Bahri Beci

Historia e strukturës dialektore të shqipes është historia e popullit shqiptar. Thënë ndryshe historia e strukturës dialektore të shqipes është rezultat dhe pasqyrë e zhvillimeve historike të popullit shqiptar, nga bashkësitë fisnore, në bashkësitë fshatare dhe nga bashkësitë fshatare në marrëdhëniet feudale (shekujt VIII-XI) që u finalizuan me formimin e principatave feudale shqiptare (shekujt XIII-XIV).
Besoj se këtu duhet kërkuar edhe shkaku i formimit të njësive dialektore të shqipes.
Edhe albanologia ruse A. Desnickaja formimin e njësive dialektore e lidhte me organizimin e shoqërisë feudale. Sipas saj kanë ekzistuar dy modele të shoqërisë feudale, një model që karakterizohej nga prania e pronës shtetërore mbi tokën dhe e një territori të centralizuar shtetëror dhe një model i dytë që karakterizohej nga prania e pronës së feudalëve mbi tokën dhe nga mbizotërimi i copëtimit feudal, që sillte veçimin dialektor.
Sipas saj, marrëdhëniet dialektore në Shqipëri janë zhvilluar sipas modelit të dytë, po në dallim nga gjuhët e tjera perëndimore, formimin e strukturës dialektore të shqipes ajo, po jo vetëm ajo, e vendoste gjatë katër shekujve të sundimit të Perandorisë Osmane.
Pra, A. V. Desnickaja, në dallim nga gjuhët e tjera evropiane, e vendoste historinë e formimit të strukturës dialektore të shqipes gjatë katër shekujve të sundimit të Perandorisë Turke. Ajo nuk e pranonte që njësitë dialektore të shqipes janë rezultat i pranisë së territoreve feudale relativisht të veçuara, që kanë pasur kufijtë e tyre politikë dhe popullsinë fshatare të qëndrueshme dhe që veçimi politik dhe ekonomik në periudhën e feudalizmit të ketë krijuar bazën për veçimin linguistik të njësive dialektore të shqipes.
Sipas A. V. Desnickajas, për dialektologjinë shqiptare më pak mund të flitet për ekzistimin e dialekteve të territoreve të veçuara, sesa kur është fjala për studimin e disa gjuhëve të tjera të Evropës. Njësia territoriale, me të cilën ka të bëjë dialektologjia dhe etnografia shqiptare, nuk është territori i vjetër feudal” shkruante ajo.
Sipas saj, në periudhën e hershme të zhvillimit të shoqërisë feudale në Shqipëri (epoka e principatave shqiptare) nuk u krijuan kushte për formimin dhe stabilizimin e njësive dialektore të diferencuara brenda kufijve të territoreve të veçanta feudale. Kjo e ka çuar A. V. Desnickajan jo vetëm ta përjashtojë historinë e formimit të shqipes dialektore nga ligjshmëria e zhvillimit të gjuhëve të tjera të Evropës Perëndimore, po edhe ta zhvendosë historinë e formimit të strukturës dialektore të shqipes në tërësi në periudhën e pushtimit osman.
Përfundimi në të cilin arrinte A. V. Desnickaja ishte se tani për tani nuk mund të flasim konkretisht për ndikimin e drejtpërdrejtë të faktorëve të ndryshëm dhe të ngjarjeve të historisë së popullit shqiptar në konfigura¬cionin e arealeve të përhapjes së dukurive të ndryshme gjuhësore.
Në dallim prej saj ne kemi formuar bindjen se historia e strukturës dialektore të shqipes, ashtu si historia e strukturës dialektore të vendeve të tjera evropiane, është përcaktuar kryesisht nga copëtimi feudal i vendit, që ka kushtëzuar edhe veçimin dialektor të tij.
Për të konkretizuar e argumentuar mendimin tonë po lejohemi të analizojmë për së afërmi vetëm rolin e principatës së Kastriotëve në formimin e rajonit dialektor qendror në territorin e Shqipërisë së Veriut, të asaj që në dialektologjinë shqiptare njihet si “gegërishtja qendrore”.
Siç dihet, në pjesën qendrore të Shqipërisë së Veriut, në territorin që përshkohet nga lumi i Matit dhe degët e tij, Fani i Madh dhe Fani i Vogël, nga Drini i Zi dhe rrjedha e sipërme e Vardarit, shtrihet një grup të folmesh që kanë disa tipare specifike, të ndryshme nga të gjitha të folmet e tjera të shqipes.
Si kufi verior i tyre shërben përafërsisht rruga automobilistike Vau i Dejës – Pukë – Kukës, Drini i Bardhë dhe Malet e Sharrit. Si kufi jugor i tyre shërbejnë lumi i Ishmit, Malësia e Tiranës, malet e Çermenikës dhe Struga.
Në lindje këto të folme shtrihen deri në afërsi të Shkupit e Kërçovës. Si kufi perëndimor shërbejnë deti Adriatik dhe Zadrima. Në këtë njësi dialektore të shqipes bëjnë pjesë të folmet e Fushë-Krujës, të Krujës dhe të Malësisë së saj, të Mirditës, të Matit, të Lumës, të Dibrës si dhe pjesa më e madhe e të folmeve shqipe të Maqedonisë Perëndimore të sotme.
Si tipare kryesore dalluese të këtyre të folmeve kemi vlerësuar pesë tipare.

  1. zbërthimin e i-së së theksuar në diftongje dytësorë: ai, ęi, ëi, oi,që dalin edhe si zanore të thjeshta ęetj.: çatai çati, dhai dhi, shai shi; pręifta prifta, kufęini kufini, fęis fis; shpëi shtëpi, mëik mik, tepsëi tepsi; dhoi dhi, çatoi çati, shoi shi; shllęn shllin, męku miku, mtęni mtini etj. Në të folmet e tjera të shqipes i-ja e theksuar ruhet në të gjitha pozicionet;
  2. zanorja e ynë një kategori fjalësh ka evoluar në i, ai, ęi, oi, ëi dhe në variantet me zanore të thjeshta: a, ę, o, ë, ö, ø: si sy, lip lyp, aill yll, fait fyt, fraim frymë, sai sy; fęit fyt, ftęir fytyrë, pęill pyll; fëit fyt, ëill yll, ftëir fytyrë, frëim frymë; atoine atyne, broil bërryl, foitas fytas, ftoira fytyra, atöne atyne, føti fyti etj. Në të folmet e tjera të shqipes, përjashtuar të folmet e ekstremit jugor të shqipes ku y ka përfunduar në i ose u, ruhet y-ja e theksuar në të gjitha pozicionet;
  3. grupet e bashkëtingëlloreve tj, dj kanë evoluar në q, gj, (ose ç, xh): qetër (çetër)tjetër, aqe (açe)atje, qetri (çetri), tjetri, gje (xhe) dje, gjal (xhal) djalë, gjep (xhep) djep etj. Në të folmet e tjera të shqipes grupet e bashkëtingëlloreve tj, dj ruhen (me ndonjë përjashtim në rrethin e Tiranës ku kanë kaluar në q, gj).
  4. bashkëtingëllorja g në shumicën e këtyre të folmeve ka prirje të kalojë në bashkëtingëlloren gjose në xh: gjoj (xhoj) gojë, gjrua (xhrua) grua, gjrop (xhrop) gropë, lugja (luxha) luga, zagjar (zaxhar) zagar. Në të folmet e tjera të shqipes bashkëtingëllorja gruhet.
    Kjo dukuri nuk është vërtetuar në disa të folme shqipe të Maqedonisë perëndimore.
  5. veta e tretë njëjës e kohës së tashme së lidhores del me mbaresën -(j)e: ai t’ kaloje të kalojë, t’ punoje të punojë, t’ filloje të fillojë, t’ dale të dalë, t’ marretë marrë etj. Bëjnë përjashtim e folmja e Krujës dhe e Malësisë së saj, si edhe të disa fshatrave të Malësisë së Dibrës, ku kjo formë foljore nuk ndeshet.
    Tre nga këto pesë tipare të vlerësuara më sipër si tipare dalluese të të folmeve qendrore të Shqipërisë së Veriut ose të “rajonit dialektor qendror” janë relativisht të vjetra.
  6. Siç u vu re, krahas diftongjeve sekondarë (ai, ęi, ëi, oi)përdoren edhe variante me zanore të thjeshta (a, ę, ë, o). Kjo na ka shtyrë të mendojmë se ata burojnë nga njëri-tjetri.
    Variantet me diftong janë më kryesoret dhe janë të përhapura në të gjitha folmet e këtij rajoni dialektor, kurse variantet me zanore të thjeshta a, ę, ë, o janë më të rralla dhe më pak të përhapura, madje ato në Mat dhe në Lurë, ku ndeshen më tepër, paraqiten si variante të kondicionuara të ai-së dhe ęi-s (vetëm në Gur të Bardhë ę paraqitet si variant i përgjithësuar i ęi).
    Varianti ę i i-së, si variant i kondicionuar i ęi, përbën vetëm njërin nga stadet e diftongimit dhe jo zhvillim në vete, prandaj konstatimi i pranisë së ę–së si variant i i-së në këtë ose atë periudhë është i mjaftueshëm për të dësh¬muar praninë e fenomenit të diftongimit në periudhën e dhënë.
    Tagliavini, duke folur për kronologjinë e zbërthimit të i-së së theksuar, ka shkruar që diftongimi është një fenomen i ri provohet nga pjesëmarrja e elementeve sllavo-maqedone, p.sh. çatai çati, çivai çivi, kupain kupin. Na mendojmë se zhvillimi i fenomenit në këto fjalë nuk vërteton moshën e re të tij, përkundrazi ai së pari, vërteton se fenomeni vepronte në kohën kur u futën ato në këto të folme dhe së dyti tregon se atij i nënshtroheshin edhe fjalët e huaja, mjafton që theksi t’u binte mbi zanoren i.
    Për vjetërsinë relative të këtij kalimi na shtyjnë të mendojmë toponimet Kroi Pręftjet në Gur të Bardhë dhe Prell në veri të Matit (besojmë nga Prill), që me 1640 është shkruar Preli ose më 1672 Prella, Prelia.
    Edhe toponimi Balldre-ni (për ballë Drinit) në vitin 1610 është shkruar Baladreni, si edhe me 1671 Baladreno. Pra, duket se varianti i sotëm Balldre-ni është përhapë në formën që ndihej në Mirditë, formë që dokumentohet që më 1610. Për vjetërsinë e këtij fenomeni dëshmon edhe toponimi Merediti, që asht i vitit 1500, që besojmë se përfaqëson gjendjen fonetike të tij. Ky fakt na shtyn të mendojmë se fenomeni në vitin 1500 ishte i gjallë.
    Për vjetërsi relative të këtij kalimi flet edhe Formula e Pagëzimit që është e vitit 1462: Kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjulli në kishën e Shën Trinisë në Emathia (Mat) shkroi Formulën e Pagëzimit “Vnte paghesont premeit Atit et birit et spertit senit” (Unë të pagëzoj pr’ emenit Atit e t’ Birit e t’ Shpertit shenjt). Pra, fjala shpirt është shkruar shpert, ashtu si dëgjohet edhe sot nëpër të folmet e Gegërisë së Mesme.
    Pra, me sa duket, fenomeni i diftongimit të i-së së theksuar dhe kalimi i saj në drejtim të ę-së ishte i gjallë në fillim të shekullit XV.
    (vazhdon)

Të fundit

më të lexuarat