Po, Kraja e Shkodrës (padrejtësisht në Mal të Zi) është vendlindja, vendrrënja, vendi i pranverës e poezisë së fëmijërisë dhe nostalgjisë së pleqërisë sime. Ajo njësohet me stërgjyshërit e mi, që adhuronin kultin e diellit, me prindërit e mi të ndjerë që ma falën jetën dhe me mua, njëri nga pinjollët e tyre, ku “më njeh dhe gur’ i thatë”. Në raport me mua, ajo njësohet me vatrën, djepin, kujtimet dhe ëndrrat e mia më të bukura, me frymën, hapat, tingujt dhe fjalët e ëmbla të Shqipes. Aty filloi bota, loja, shkolla dhe romani im jetësor. Ndaj, Kraja është e shtrenjtë dhe e shenjtë. Nuk blihet, nuk shitet as nuk huazohet. Ajo është krenaria ime, por edhe shqetësimi im për të ardhmen e saj.
Në raport me mua, ajo njësohet me vatrën, djepin, kujtimet dhe ëndrrat e mia më të bukura, me frymën, hapat, tingujt dhe fjalët e ëmbla të Shqipes. Aty filloi bota, loja, shkolla dhe romani im jetësor. Ndaj, Kraja është e shtrenjtë dhe e shenjtë. Nuk blihet, nuk shitet as nuk huazohet. Ajo është krenaria ime, por edhe shqetësimi im për të ardhmen e saj
Krajën time e braktisa fizikisht, por kurrë nuk e harrova, as nuk e braktisa, shpirtërisht. Ajo gjithmonë ka qenë, është dhe do të jetë me mua, pjesë imja, pjesë e personalitetit tim. Me të dhe me shqetësimet e saj bashkëjetova edhe nëpërmjet veprave e shkrimeve të ndryshme. Kurdoherë që kthehesha te prindërit dhe të afërmit e mi, gjeta ngrohtësinë më magjike, si në asnjë vend e kontekst tjetër shoqëror. Takimet dhe ndarjet gjithmonë shoqëroheshin me lot mallëngjimi dhe gëzimi, njëkohësisht.
Ashtu të ndarë fizikisht nga prindërit, mendimet dhe ëndrrat shpesh më çonin atje tek arka e vjetër e nënës sime dhe “Singeri” i saj, te vargoi i oxhakut me blozë shekullore, te lugu i hershëm i gurit pranë saranxhës dhe relike të tjera si këto, të trashëguara nga prindërit që nuk pushuan kurrë apo nga gjyshi i urtë e fjalëpak. Edhe tani në moshë të thyer, kur shkoj atje, në stolin e të parëve, më duket se rinohem, por ky është një iluzion, sepse atje asgjë nuk është si më parë. Gjithçka ka ndryshuar. Vendi është braktisur dhe pothuaj është lënë shkretë! Vetëm aty nën ballkonin e shtëpisë shikoj dallëndyshen në çerdhen e saj, tani të patrazuar nga zhurma, gostitë e ahengjet si dikur. Më duket se e ndiej edhe rënkimin e varreve për atë tokë të pakët, më parë të shenjtë e të shtrenjtë (“pëllambë e flori”), e tash të lënë vashi! Mure të rrënuar, gërmadha, shkretëtirë, heshtje e frikshme, mpirje, gjithandej një gjelbërim i harlisur, plot hithra, shkurre e ferra pushtuese, derra të egër e çka jo tjetër – veç trishtuese!? Siluetë pas siluete të një realiteti të zymtë, të hidhur që të godet thellë në shpirt. Ato dëshmojnë katërcipërisht për një të vërtetë të tmerrshme, ashtu siç paralajmëronte ajo qyqja ndjellakeqe e strukur aty në Nënbreg, e cila vajtonte e kukaste aq përmallshëm, qysh kur isha fëmijë. Mos vallë, ajo paralajmëronte tragjedinë e boshatisjes së Krajës sonë! Ose, Krajën po e fikë ai mallkimi i Tahir Pashës! Them se Kraja “po fiket” për faktin se ajo kishte më shumë se 5 000 banorë, ndërsa tani kanë mbetur vetëm rreth 1 000 sish! Siç po duket, në Krajën e Shkodrës nuk po mbetet këmbë njeriu! Përbrenda ndiej një zbrazëti. Kjo është pak si tepër. Lum ata që kanë mundësi të qëndrojnë dhe kontribuojnë në vend të vet, e të mos treten si qiriri në mërgim!
Sidoqoftë, kurdo e kudo që shpirti im të rebelohet dhe trupin ta braktisë, ai do t’ia japë vrapit dhe, sa çel e mbyll sytë, do të arrijë atje në Krajë, në përqafim me mallin dhe kujtimet e prindërve, familjarëve, farefisit dhe bashkëvendësve të mi të mirë. Edhe në përjetësi, unë do të jem me Ty, o Kraja ime, në krah të Shkodrës dhe në cep të së Shenjtës Nënë Shqipëri
Duke qenë i vetëdijshëm për synimet hegjemoniste serbe, kam frikë se Kraja etnikisht shqiptare, pothuaj e braktisur nga bijtë dhe bijat autoktone të saj, do të përjetojë fatin e zi të serbizimit të Rumisë jetime, të Sh’mrisë së Krajës dhe të gërmadhave të objekteve të kultit në ujdhesat e liqenit të Shkodrës. Ogurzezë është kënga “Nek se srpski barjak vije, od Prizrena do Rumije” (“Le të valojë flamuri serb, nga Prizreni deri në Rumi”), ashtu siç deklaroi me arrogancë kallogjerja serbe, në kishën e uzurpuar në liqenin e Shkodrës: “Ovo je srpska zemlja!” (“Kjo është tokë serbe!”). E ndiej veten të pafuqishëm, të pashpresë. Shumë aktuale është fjala e urtë krajane: “Na mbajt e papamja!”
Sidoqoftë, kurdo e kudo që shpirti im të rebelohet dhe trupin ta braktisë, ai do t’ia japë vrapit dhe, sa çel e mshel sytë, do të arrijë atje në Krajë, në përqafim me mallin dhe kujtimet e prindërve, familjarëve, farefisit dhe bashkëvendësve të mi të mirë. Edhe në përjetësi, unë do të jem me Ty, o Kraja ime, në krah të Shkodrës dhe në cep të së Shenjtës Nënë Shqipëri.