Kërkohet ndryshimi i Ligjit për armët

Podgoricë – Këshilli i Sigurisë Kombëtare ka mbajtur të premten (3 janar 2025) një seancë të jashtëzakonshme në të cilën është shqyrtuar gjendja e sigurisë në vend për shkak të ngjarjeve tragjike të ndodhura në Cetinë, në të cilën krahas analizës së situatës aktuale dhe konsultimeve me autoritetet kompetente, ka miratuar një sërë përfundimesh dhe rekomandimesh për përmirësimin e kontrollit të armëve të zjarrit dhe mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve.
Seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë Kombëtare është thirrur me kërkesën e kryeministrit Millojko Spajiq, pas ngjarjeve tragjike në Cetinë, me ç’rast janë vrarë 12 persona dhe autori më pas ka vrarë veten.
Në përfundimet dhe rekomandimet e miratuara nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare kërkohet nga Drejtoria e Policisë që të intensifikojë aktivitetet për zbulimin dhe konfiskimin e armëve të paligjshme, duke forcuar kontrollin kufitar dhe bashkëpunimin me vendet fqinje për të frenuar kontrabandën.
Po ashtu Qeveria e Malit të Zi do të formojë një grup të posaçëm ndërsektorial që do të merret me parandalimin e të gjitha formave të dhunës.
“Në 60 ditët e ardhshme do të përgatitet projekti i ndryshimeve gjithëpërfshirëse të Ligjit për armët, duke përfshirë rritjen e kufirit të moshës së aplikimit për lejen për armë, uljen e periudhës së vlefshmërisë së patentës së armëve, zgjerimin e fushës së krimeve dhe kundërvajtjeve për posedimin e armëve, kontrolle më të rrepta të sigurisë dhe psikologjike të zotëruesve të armëve deri më 1 janar 2026, përcaktimi i kushteve më të detajuara për lëshimin e certifikatave për armëmbajtje, centralizimi i procedurave për zgjidhjen e kërkesave për armëmbajtje”, thuhet në deklaratën për shtyp pas seancës së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme kërkohet që në një afat prej 15 ditësh të fillojë fushatën informuese me qëllim të kthimit vullnetar të armëve, e cila do të zgjasë dy muaj, pas së cilës do të fillojë konfiskimi i armëve të paligjshme.
Një masë tjetër që pritet të ndërmerret është parashikimi i kontrolleve më rigoroze dhe kushteve më të rrepta për dhënien e lejeve për armëmbajtje. Për këtë arsye kërkohet nga Ministria e Drejtësisë që të bëjë ndryshime në Kodin Penal në pjesën e rritjes drastike të dënimit për armëmbajtje pa leje dhe lëndë shpërthyese, në mënyrë që të mos ketë lehtësim të mundshëm të dënimeve për këto krime.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat