Komuniteti shqiptar në SHBA i përfshirë në të gjitha proceset politike dhe demokratike

“Ne e përgëzojmë z. Trump dhe i urojmë shumë suksese dhe hapa të mbarë, si për zhvillimin dhe fuqizimin e SHBA-së, ashtu edhe për lulëzimin e komunitetit shqiptar. Ne presim që administrata e re amerikane nën udhëheqjen e z. Trump të vazhdojë politikën shumëvjeçare të qartë proshqiptare që e karakterizon Shtëpinë e Bardhë dhe Uashingtonin”, shprehet kryetari i Shoqatës “Jehona e Malësisë”, Agron Dedivanaj

Më 20 janar 2025 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht në godinën e Kapitol Hill u bë inaugurimi i presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp.
Inaugurimit të presidentit Tramp i ka paraprirë më herët (më 6 janar 2025) ceremonia e shkurtër zyrtare në Kongresin amerikan e certifikimit të fitores elektorale në zgjedhjet e 5 nëntorit 2024, duke i hapur kështu rrugë betimit të tij si president për herë të dytë i SHBA-së.
Ky certifikim ka vulosur rezultatet paraprake që z. Trump kishte fituar 312 votat e Kolegjit Zgjedhor karshi 226 votave sa kishte arritur të sigurojë kundërkandidatja demokrate, Kamala Harris.
Ndërkaq, republikanët do ta kontrollojnë Kongresin dhe Shtëpinë e Bardhë. Ata kanë fituar edhe shumicën e vendeve në Senatin amerikan dhe një shumicë në Dhomën e Përfaqësuesve.
Në proceset zgjedhore në SHBA një kontribut të rëndësishëm pa dyshim që kanë dhënë edhe pjesëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan. Për të diskutuar në lidhje me qasjen e presidentëve amerikanë ndaj popullit shqiptar në SHBA, biseduam me z. Agron Dedivanaj, kryetar i Shoqatës Atdhetare “Jehona e Malësisë”. Ai në këtë prononcim ekskluziv për gazetën “Koha javore” flet për përfshirjen e përhershme të komunitetit shqiptar në SHBA në të gjitha proceset politike dhe demokratike.

“Për komunitetin shqiptar, figura e presidentit amerikan nuk ka qenë asnjëherë e ngjyrosur nga ana partiake apo ideologjike, por gjithmonë ka përfaqësuar një pikë referimi për partneritet dhe mbështetje ndaj kërkesave shqiptare dhe rezultatet me dekada kanë qenë shumë produktive. Prandaj ne do të vazhdojmë të veprojnë së bashku sipas këtij modeli edhe në periudhën e ardhshme”, thekson ai


Ai shprehet se që nga dita e parë, ata kanë kontribuar në transparencën, hapjen, gjithëpërfshirjen dhe besueshmërinë e të gjitha proceseve politike dhe shoqërore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Zëri ynë dëgjohet dhe vlerësohet në Uashington, në djepin botëror të demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut, dhe ne mund të krenohemi me bashkëpunimin dhe lidhjet e përjetshme dhe vëllazërore mes popullit shqiptar dhe atij amerikan. Nëpërmjet angazhimit tonë të sinqertë për mirëqenien e komunitetit shqiptar në SHBA, si dhe për zhvillimin dhe forcimin e atdheut dhe vendlindjes sonë, ne kemi gjetur mbështetje dhe bashkëpunim nga nivelet më të larta të Kongresit Amerikan”, shprehet Dedivanaj.
Ai shton se presidentët amerikanë, pavarësisht nga përkatësia partiake, kanë pasur gjithmonë një qasje të shkëlqyer ndaj popullit shqiptar dhe kërkesave të tyre.
“Ku mund të përmendim një numër të madh prej tyre nga të dyja anët e spektrit politik, të cilët kanë mbështetur bindshëm të gjitha iniciativat e popullit tonë dhe atdheut tonë. Amerika ka pasur ndër shekuj institucione të forta dhe kredibile, prandaj vullneti elektoral i popullit është respektuar dhe zbatuar gjithmonë”, thekson Dedivanaj.
Ndërkohë, kryetari i Shoqatës “Jehona e Malësisë”, Agron Dedivanaj, duke u ndalur te fitorja bindëse e presidentit Tramp në zgjedhjet e vitit të kaluar, tha se vullneti i popullit ishte në anën e z. Tramp edhe në vendet ku jeton komuniteti shqiptar, siç ka qenë edhe shteti i Miçiganit.
“Ne e përgëzojmë zotin Trump dhe i urojmë shumë suksese dhe hapa të mbarë, si për zhvillimin dhe fuqizimin e SHBA-së, ashtu edhe për lulëzimin e komunitetit shqiptar. Ne presim që administrata e re amerikane nën udhëheqjen e z. Trump të vazhdojë politikën shumëvjeçare të qartë proshqiptare që karakterizon Shtëpinë e Bardhë dhe Uashingtonin”, shprehet kryetari i Shoqatës “Jehona e Malësisë”, Agron Dedivanaj.
Ndërkaq, ai tregon se komuniteti shqiptar në SHBA, do t’i shtrijë presidentit të zgjedhur Tramp, sikurse edhe presidentëve të mëparshëm, një dorë të sinqertë partneriteti dhe bashkëpunimi.

Kryetari i Shoqatës “Jehona e Malësisë”, Agron Dedivanaj, duke u ndalur te fitorja bindëse e presidentit Tramp në zgjedhjet e vitit të kaluar, tha se vullneti i popullit ishte në anën e z. Tramp edhe në vendet ku jeton komuniteti shqiptar, siç ka qenë edhe shteti i Miçiganit


“Me kënaqësi presim të punojmë së bashku në të ardhmen e afërt drejt realizimit të synimeve dhe kauzave tona kombëtare shqiptare. Me bashkëpunim të ndërsjellë mund të bëjmë gjëra të mëdha, edhe për vëllezërit dhe motrat tona në vendlindje. Për komunitetin shqiptar, figura e presidentit amerikan nuk ka qenë asnjëherë e ngjyrosur nga ana partiake apo ideologjike, por gjithmonë ka përfaqësuar një pikë referimi për partneritet dhe mbështetje ndaj kërkesave shqiptare dhe rezultatet me dekada kanë qenë shumë produktive, prandaj ne do të vazhdojmë të veprojnë së bashku sipas këtij modeli edhe në periudhën e ardhshme”, përfundon Dedivanaj.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat