“Lost in Translation”: Kur “ekumenizmi” lexohet si “gogol”

(Reagim ndaj artikullit të Muhamet Nikës “Si ta kuptojmë shprehjen ‘për fe e atdhe’”, botuar në “Koha javore”, nr. 1190, më 18 dhjetor 2025)

Shkrimi i Muhamet Nikës “Si ta kuptojmë shprehjen ‘për fe e atdhe’”, botuar në “Koha javore”, më 18 dhjetor 2025, më ngjan më tepër me filmin e njohur të Bill Murray “Lost in Translation”, jo për mungesë serioziteti, por sepse mesazhi që kam përcjellë rreth ekumenizmit shqiptar ose nuk është dashur të kuptohet, ose është lexuar përmes një filtri krejt tjetër nga ai që teksti im ofronte.
Le ta sqaroj që në fillim: në shkrimin tim nuk kam trajtuar doktrinën islame, as teologjinë e saj, e aq më pak nuk kam bërë gjykime mbi besimin fetar. Fokusi im ka qenë fenomeni historik dhe shoqëror i bashkëjetesës fetare te shqiptarët – ajo që studiuesit seriozë e kanë përkufizuar si ekumenizëm praktik.
Z. Nika e shpall ekumenizmin si një lloj manipulimi modern, duke e trajtuar termin sikur të ishte një “gogol” ideologjik. Por problemi këtu nuk është fjala, por keqkuptimi i saj. Ekumenizmi, në kontekstin shqiptar, nuk është doktrinë fetare dhe as projekt teologjik për shkrirjen e besimeve, por përshkrim i një realiteti historik të bashkëjetesës dhe mos-politizimit të fesë – një fakt i njohur dhe i studiuar në botën akademike.
Në këtë kontekst, mjafton të rikujtohet vëzhgimi i historianit britanik H. T. Norris, një nga studiuesit më të kujdesshëm të historisë fetare në Ballkan, i cili vëren se shqiptarët, ndryshe nga popujt e tjerë të rajonit, e përqafuan islamin jo si një identitet të ri, por si një strategji etnike për të mbetur ata që ishin: shqiptarë. Kjo nuk është ideologji, por konstatim historik.
Ndryshe nga sllavët, që e lidhën fenë me shtetin, apo grekët që e shndërruan ortodoksinë në kartë identiteti kombëtar, shqiptarët mbetën imunë ndaj politizimit të besimit. Islami nuk e zëvendësoi shqiptarinë; u bë mburojë e saj. Pikërisht kjo shpjegon pse shqiptarët, pavarësisht besimit, nuk e humbën gjuhën, zakonet dhe vetëdijen etnike.
Një tjetër problem serioz në shkrimin e Nikës janë pretendimet për gegërishten e Ulqinit si “gjuha e parë e Zotit”, gjoja e vërtetuar nga “100 shkencëtarë”. Këtu nuk kemi më të bëjmë me metaforë filozofike, por me një pohim që kërkon burime, emra, institucione dhe dokumente zyrtare. Pa to, një pretendim i tillë mbetet produkt i imagjinatës personale, jo i shkencës.
Edhe Petro Zheji, të cilit i referohet autori, mbetet figurë interesante e mendimit filozofik shqiptar. Por teoritë e tij mbi shqipen si gjuhë hyjnore nuk janë përvetësuar nga Akademia e Shkencave dhe nuk përbëjnë konsensus akademik. Ato mbeten hipoteza personale, të respektueshme si reflektime kulturore, por jo si fakte të provuara.
Problemi nuk është fjala “ekumenizëm”, por frika nga kuptimi i saj. Unë nuk kam folur për fe si doktrinë, por për shqiptarinë si përvojë historike, ku feja nuk u bë kurrë armë për ndarje, por mjet mbijetese. Nëse ky realitet quhet manipulim, atëherë problemi nuk qëndron te historia shqiptare, por te mënyra se si ajo lexohet.
Dhe këtu, për fat të keq, jemi sërish: Lost in Translation.

Sami Flamuri

Të fundit

më të lexuarat