Me rastin e festave të nëntorit – Ditës së Alfabetit dhe 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, Lidhja Demokratike në Mal të Zi në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi dhe Bibliotekën e Ulqinit organizuan përurimin e librit “Unë, bija e atdheut” të autores Amina Nuraj, në Ulqin (24 nëntor 2025) dhe Ostros (26 nëntor 2025) – një veprimtari që grumbulloi bashkë dashamirët e kulturës, identitetit dhe historisë kombëtare shqiptare nga Ulqini, Ostrosi dhe Tivari. Pritja ishte mbresëlënëse, sallat ishin mbushur me njerëz që vinin për të nderuar me praninë e tyre këtë iniciativë të rëndësishme.
Libri përbën më shumë se një thesar personal, është një rrëfim i përbashkët, një dëshmi për përpjekjet dhe vuajtjet, por edhe për krenarinë dhe qëndresën shqiptare në rajonin e Sanxhakut. Një mision për të mos harruar rrënjët dhe për të ruajtur gjuhën, traditat dhe identitetin për brezat e sotëm dhe të nesërm.
Lind pyetja: kush është Amina Nuraj dhe përse libri i saj është i rëndësishëm?
Amina Nuraj është kryetare e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Sanxhak, me një përkushtim të pakompromis për identitetin shqiptar. Prej vitesh është një zë i fuqishëm që përfaqëson shqiptarët e Sanxhakut.
“’Unë, bija e atdheut’ është më shumë se një libër, është një rrëfim shpirtëror për përkatësinë, qëndresën dhe identitetin. Është një udhëtim i brendshëm, një dëshmi e përjetimeve që çdo njeri i lidhur me rrënjët e veta mund t’i njohë. Nuk e shoh këtë më si ‘projekt personal’, por si një nevojë për të bërë të ndjehen shqiptarët e Sanxhakut, për t’u rikthyer te vlerat e përbashkëta, historinë e lënë pas dhe krenarinë kombëtare. Është mbështetje morale dhe kulturore për të rinjtë që dëshirojnë të ruajnë gjuhën, historinë dhe identitetin”, është shprehur ajo në përurimin e librit.
Kjo dëshmon vendosmërinë e saj se librat, kultura, identiteti nuk janë luks, por detyrë për brezat që vijnë.
Në fjalën e saj Nuraj nuk i fsheh as presionet ndaj saj për shkak të deklarimit shqiptare, për shembull ndalime nga policia serbe, por për këtë ajo thotë se ndihet edhe më krenare për punën që bën.
“Jemi të përcjellë gjatë gjithë kohës… Në kufi gjithmonë më ndalin, më mbajnë me orë të tëra”, shprehet ajo.
Nuraj kritikoi politikanët shqiptarë për “harresën” ndaj shqiptarëve të Sanxhakut – duke theksuar se përpara se të kritikojnë punën e saj, le të pyesin se çfarë kanë bërë për këtë komunitet.
“Unë gjuhën shqipe e mësova vetë, përmes internetit, në moshën vetëm njëmbëdhjetëvjeçare. Askush nuk më shtyu, askush nuk më duartrokiti. Përkundrazi, prindërit e mi nuk më përkrahën atëherë, as sot. Jo se nuk më donin, por sepse kishin frikë. Sepse në Sanxhak, çdo gjë që lidhet me shqiptarinë është e rëndë për t’u mbajtur dhe e rrezikshme për t’u treguar.
Por unë nuk e braktisa rrugën. Çdo fjalë shqipe që mësoja ishte një fitore e vogël kundër harresës, kundër shuarjes, kundër asimilimit që na ka shoqëruar brez pas brezi”, thekson ajo.
Përkundër faktit se në Sanxhak jetojnë vetëm 400 shqiptarë të deklaruar, në një tokë ku dikur kumbonte zëri i shqiptarëve, Nuraj është optimiste se në të ardhmen do të rritet numri i atyre që do ta pranojnë kombësinë e tyre të vërtetë shqiptare.
“Sot jemi pak, por nuk jemi të zhdukur. Dhe unë besoj se një ditë nuk do të jemi më ‘pakicë që hesht’, por një komunitet që ringrihet. Prandaj misionin tim e nisa vetëm, por nuk do ta mbaroj vetëm. E nisa si një vajzë që kërkonte rrënjët e veta dhe sot e vazhdoj si bijë e kombit, me bindjen se kauza jonë nuk është vetëm e imja, është e të gjithë atyre që kanë frikë të flasin, por kurrë nuk kanë reshtur së ndieri shqiptarë”, shprehet Nuraj.
Organizimi në Ulqin dhe Krajë në prag të festave kombëtare pati një domethënie të veçantë. Përmes këtij veprimi duhej të vendosej ura mes komuniteteve: shqiptarëve në Malin e Zi dhe në Sanxhak. Falë përkushtimit të LD në MZ-së dhe KKSH-së u krijua mundësia që shumë banorë nga Ulqini, Ostrosi por edhe nga Tivari të bashkohen në këtë aktivitet.
Organizatorët shprehën falënderime të sinqerta për autoren, e cila e pranoi ftesën dhe me praninë e saj e bëri aktivitetin më domethënës; për publikun e shumtë që me pjesëmarrje përshëndeti këtë iniciativë; dhe për të gjithë ata që ndjehen pjesë e këtij identiteti kombëtar, përpjekjeje dhe krenarie.
“Me rastin e festave të Nëntorit, kam nderin dhe kënaqësinë të them hapur, pa modesti, se vetë isha iniciatori i këtij aktiviteti të jashtëzakonshëm – përurimit të librit ‘Unë, bija e atdheut’ të autores Amina Nuraj. Ky organizim nuk ishte thjesht një ngjarje kulturore, por një përvojë e thellë shpirtërore, e mbushur me emocione, reflektime dhe krenari kombëtare. Prania e autores, me fjalën e saj të sinqertë e të fuqishme, dhe pjesëmarrja e publikut të mrekullueshëm, që mbushi sallat me lot, emocion dhe respekt, e bënë këtë ditë të paharrueshme. Jam mirënjohës për secilin prej jush që e nderoi këtë aktivitet dhe e ktheu në një moment kaq domethënës për komunitetin tonë. Faleminderit nga zemra të gjithëve që e bëtë kaq të veçantë”, u shpreh Saubih Mehmeti, kryetar i LD në MZ.
Për librin “Unë, bija e atdheut”, përpos autores foli edhe poeti e publicisti Ali Gjeçbritaj, kurse përurimi u udhëhoq nga Ardita Rama.
Amina Nuraj njihet si një prej zërave më të fuqishëm për të drejtat e shqiptarëve në Sanxhak – një arkiviste e historisë, e dhimbjes dhe e krenarisë kombëtare.
Promovimi i librit “Unë, bija e atdheut” në Ulqin dhe Krajë ishte dëshmi se edhe jashtë “qendrave tradicionale” shqiptare (Shqipëri, Kosovë) ka njerëz që luftojnë për të mbajtur gjallë gjuhën, identitetin, kontributin kombëtar. Amina Nuraj me këtë libër dhe me gjithë angazhimin e saj i dha Sanxhakut jo vetëm një zë, por një histori që mund ta lexojnë dhe ta ndiejnë shumë shqiptarë.
D. Teliqi
