
Nga vetë titulli del se kemi të bëjmë me një temë interesante, e cila deri më tash ka qenë pothuajse e panjohur për opinionin e gjerë, andaj si e tillë është intriguese për lexuesit. Fjala është për pronat dypalëshe të qytetarëve të cilët jetojnë dhe punojnë në zonën kufitare në mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Fillimisht autori trajton semantikën e terminologjisë juridike të pronave dypalëshe, e cila është trajtuar pak në literaturën juridike, andaj ka mbetur në margjina të çështjeve të tilla, duke dhënë informacione të mjaftueshme në aspektin terminologjik dhe juridik. Me themelimin e shteteve të pavarura në shek. XIX në Evropën Juglindore, në opinion u paraqit edhe koncepti i zonave kufitare, ku përveç të ndonjë rasti të veçantë nuk ka qenë objekt i hulumtimeve dhe studimeve të ndryshme shkencore.
Në këtë botim fillimisht autori trajton përcaktimin kufitar në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, duke filluar me Kongresin e Berlinit (1878) dhe më pas me Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), më ç’rast vise e vendbanime shqiptare iu dhuruan Malit të Zi. Vendimet e tilla absurde të Fuqive të Mëdha ndikuan që një numër i konsideruar i popullsisë e viseve shqiptare të mbesin jashtë shtetit amë – Shqipërisë. Një veprim i tillë ishte në kundërshtim flagrant me të drejtën etnike e historike të popullit shqiptar, ku padrejtësisht u vendos kundër vullnetit të tyre. Dhe një veprim i tillë ndikoi që Shqipëria të kufizohet më popullin e vet, si asnjë shtet tjetër në Evropë.
Në lidhje me këtë çështje autori ofron të dhëna me interes, në diakroni e sinkroni, para Luftës së Parë Botërore, pas saj deri në Luftën e Dytë Botërore dhe më pas, që përmbyllet me vitin 1948. Në periudhat në fjalë janë arritur marrëveshje në mes dy vendeve, ku si model pozitiv mund të shërbejë koha midis dy luftërave botërore në mes Mbretërisë Jugosllave dhe asaj të Shqipërisë, ku janë miratuar marrëveshje të ndryshme që ishin në favor të qarkullimit ndërkufitar të popullsisë në zonën kufitare, e cila ishte kryesisht shqiptare. Fjala është për distancën 10 km nga kufiri, ku popullsia përkatëse në vendkalimet kufitare kalonte për të shkuar në treg, punimin e tokave, bartjen e prodhimeve bujqësore, përdorimin e kullosave etj. Përveç vendkalimeve zyrtare kufitare kanë ekzistuar edhe vendkalime kufitare jozyrtare, që ka të bëjë me përdorimin sezonal, kryesisht të prodhimeve bujqësore.
Kështu nëse analizojmë vendkalimet e tilla të zonës kufitare nga liqeni i Shkodrës deri në Grykë të Bunës, del se kanë ekzistuar tetë vendkalime të tilla, ku nga to katër ishin tokësore e katër ujore. Një e dhënë e tillë dëshmon për ekzistencën e demokracisë praktike për qarkullimin ndërkufitar, gjë që nuk ka ekzistuar nga viti 1948 e më pas kur kjo zonë humbi kuptimin e saj, sepse kanë dominuar interesat ideologjike e jo ato kombëtare nga ana e shtetit amë – Shqipërisë, që ka pasur pasoja të mëdha për atë kohë, ku autori më të drejtë e quan “gjenocid social”.
Për përgatitjen e këtij botimi autori, përveç literaturës profesionale të cilën e ka konsultuar, në veçanti ka përdorur materialet arkivore nga Arkivi Qendror i Shqipërisë dhe Arkivi Shetëror i Malit të Zi, të cilat pas hulumtimit dhe përpunimit të tyre ka ofruar të dhëna me interes që deri më tash kanë qenë të panjohura për opinionin e gjerë. Me interes janë prezantimi i materialeve të komisioneve të përziera shqiptaro-jugosllave për çështjet pronësore, të cilat kanë qenë aktive deri në vitin 1948, duke përfunduar me vitin 1953.
Po ashtu me vlerë të veçantë janë paraqitja e regjistrave të familjeve të shtetasve shqiptarë që i kanë pronat në Jugosllavi, dhe e kundërta – e shtetasve jugosllavë me kombësi shqiptare në Shqipëri. Regjistri i tillë ka vlerë të veçantë jo vetëm sa i përket pronësisë së tokave përkatëse, por edhe shpërndarjes territoriale të tyre – nga Shtoji i Ulqinit në jug e deri në Guci e Plavë në veri, përgjatë zonës kufitare me gjatësi prej 172 km. Nga të dhënat e paraqitura del se më së shumti prona dypalëshe kanë shqiptarët nga Mali i Zi në Shqipëri – rreth 4 000 ha, ndërsa më pak kanë shqiptarët nga Shqipëria në Mal të Zi – rreth 600 ha.
Pasi nga viti 1948 u prishën marrëdhëniet midis ish-Jugosllavisë e Shqipërisë për shkaqe ideologjike dhe politike, pasojat e para u hetuan në zonën kufitare, sepse u pengua qarkullimi i lirë përmes lejes së kufirit dhe shfrytëzimit të pronave dypalëshe, duke mbetur zona të izoluara, të rrezikshme dhe të paperspektivë. Madje pronat e tilla e humbën përmbajtjen e mëparshme, sepse shumë prej tyre u shtetëzuan apo u janë dhënë të tjerëve për shfrytëzim, si kompensim për pronat e tyre në anën tjetër të kufirit. Kështu, për shembull, në Anë të Malit, Krajë e gjetiu, pronat e tilla që ishin në shfrytëzim, njiheshin si “toka të Shqipnisë”, ku këtë trajtim e vazhduan një periudhë të caktuar kohore, ndërsa më vonë u regjistruan në kadastër si pronarë “legjitimë” të tyre, që ishte në kundërshtim flagrant ligjor, shtetëror dhe ndërkombëtar.
Pas vitit 1990, me miratimin e pluralizmit dhe qarkullimit të lirë të personave në mes dy vendeve, filloi interesimi për pronat legjitime në të dy anët e kufirit. Në këtë aspekt, ndonëse me një vonesë të konsideruar, ekziston baza ligjore për të zhvilluar proceset e tilla gjyqësore, për t’ua kthyer pronat pronarëve legjitimë, por mungon marrëveshja shtetërore ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, që nuk mund të arsyetohet me asgjë, përveçse me pakujdesinë dhe joseriozitetin profesional. Sepse, pavarësisht rrethanave, shoqërore prona mbetet e shenjtë dhe si e tillë duhet t’u kthehet pronarëve legjitimë. Vetëm ne këtë formë të veprimit, përmes gjykatave vendore, shtetëtore e madje deri tek ajo ndërkombëtare në Strazburg, do të eliminohej një padrejtësi e imponuar dekada më parë, që është në kundërshtim flagrant ndaj të drejtave legjitime të qytetarëve të zonës kufitare.
Andaj, duke uruar autorin, këtë botim e vlerësojmë në mënyrë të veçantë, sepse është i pari me një përmbajtje të tillë, ku besoj se do të jetë një impuls pozitiv për hulumtues të tjerë që duan të merren me një çështje të tillë në zonën kufitare. Nuk ka dilemë se një çështje e tillë, sa profesionale është edhe kombëtare, sepse ka të bëjë me popullsinë shqiptare në zonën kufitare në të kaluarën e deri në ditët tona.
Pikërisht duke marrë parasysh këtë çështje, duhet mbështetur të gjithë ata që do të angazhohen në studime e hulumtime të tilla në të ardhmen, duke mbetur si mision profesional dhe kombëtar, sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.
(Recensioni është shkruar në vitin 2019, ndërsa ribotohet në nderim të autorit me rastin e vdekjes së tij)
