Blertë Tmava Veselaj, fituese e Festivalit

“Nëse sonte ndonjëri prej jush merr më vete një frymëzim të vogël, një dëshirë për të shkruar sërish ose një miqësi të re që lindi nën këtë dritë, atëherë ky festival ka arritur qëllimin më të bukur”, u shpreh themeluesja dhe producentja e Festivalit, Adelina Pali

Tiranë – Në zemër të kryeqytetit shqiptar – Tiranës, në Qendrën për Kulturë të Kishës Ortodokse, të shtunën mbrëma, më 25 tetor 2025, çeli siparin edicioni i parë i Festivalit Kombëtar Letrar, me moton “Nën dritën e fjalës”, organizuar nga poetja dhe aktivistja Adelina Pali, njëherësh edhe producente e këtij aktiviteti kulturor.
Në një sallë të mbushur përplot me admirues të vargjeve poetike, festivali mblodhi emra të njohur të artit dhe kulturës kombëtare nga të gjitha hapësirat mbarëshqiptare: Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Sanxhaku.
Fillimisht, poezinë që mban moton e festivalit “Nën dritën e fjalës” e interpretoi aktorja e mirënjohur Ema Andrea, e më pas vijoi një program i larmishëm poetik e artistik me prezantimin e moderatores së njohur Silvana Braçe dhe gazetarit Erion Dushi.
Në skenë u paraqitën 40 poetë/e, që konkurruan për çmimin e parë, të dytë e të tretë dhe për çmime të tjera speciale të kësaj mbrëmjeje.
Poetesha dhe themeluesja e këtij festivali, Adelina Pali, në fjalën përshëndetëse tha se nga vetë motoja e festivalit “Nën hijen e dritës” shihet një dritë që ndriçon mendjet, ngroh zemrat, lidh breza dhe ndërton ura.
“Fjala është ajo që na mban gjallë përmes historive që tregojmë dhe atyre që guxojmë të shkruajmë”, u shpreh ajo.
Pali theksoi se Festivali Kombëtar Letrar “Nën dritën e fjalës” lindi nga një dëshirë për ta vendosur letërsinë aty ku e meriton – në qendër të vëmendjes së publikut.
“Jo thjesht si art por si dritë, si reflektim dhe si lidhje mes brezave. Ky festival është ndryshe, sepse bashkon zëra të rinj me ata që tashmë kanë zë në letërsi, duke krijuar një dialog të sinqertë e njerëzor dhe përtej çdo formaliteti”, tha Pali.
Ajo falënderoi Bashkinë e Tiranës për mbështetjen, të gjithë donatorët, mbështetësit mediatikë, si dhe vullnetarët që mundësuan jetësimin e këtij festivali, i cili synon të bëhet edhe ndërkombëtar, pasi në skenë u ngjit edhe shkrimtari i njohur hungarez Istvan Turczi.
“Nëse sonte ndonjëri prej jush merr më vete një frymëzim të vogël, një dëshirë për të shkruar sërish ose një miqësi të re që lindi nën këtë dritë, atëherë ky festival e ka arritur qëllimin më të bukur”, u shpreh themeluesja dhe producentja e Festivalit, Adelina Pali.
Vargje të poezive nga Frashëri, Migjeni, Kuteli e Çajupi interpretoi aktori i mirënjohur shqiptar Bujar Asqeriu.
Mes shumë krijuesve të letërsisë kombëtare, i ftuar special nga Rozhaja ishte Ali Daci, shkrimtar, poet, gazetar, mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe, si dhe kryetar e themelues i shoqatës “Ora e Maleve”, i cili në fjalën përshëndetëse, e vlerësoi organizimin e këtij festivali, duke thënë se edhe ai, në Rozhajë, do të punojë që çdo vit të sjellë nga 25 poetë të rinj, që edhe atje të frymojë dhe të dëgjohet sa më shumë fjala shqipe.
“Po s’e kultivuam, po s’e deshëm, zor dhe ta mbajmë ne që jemi jashtë kufijve të shtetit amë. Prandaj çdonjëri nga ju, çdo krijues që vjen në Rozhajë e lus tash e tutje e si gjithmonë që të sjellë fjalë të bukura shqipe, që shqipja aty të frymojë”, u shpreh Daci.
Në prononcimin për gazetën “Koha javore”, ai tha se pjesëmarrja e tij dhe e të tjerëve nga e gjithë gjeografia shqiptare në një festival kombëtar në zemër të kryeqytetit shqiptar, ia shton vullnetin poetes dhe publicistes që e organizoi, me qëllim që festivali të bëhet tradicional.
I pyetur se sa të pranishëm janë shkrimtarët shqiptarë nga Mali i Zi në ngjarje kulturore dhe letrare si kjo në Tiranë, Daci u shpreh se ata janë aktivë, por jo aq sa do të duhej.
“Shkrimtarët shqiptarë të Malit të Zi, së paku duhet ta krijojnë një Lidhje të Shkrimtarëve Shqiptarë në Mal të Zi dhe pastaj nga ajo Lidhje të jenë të deleguar në çdo aktivitet kulturor që ka të bëjë me letërsinë, pse jo dhe me studime të letërsisë, albanologjisë, historisë dhe të gjitha atyre që kanë të bëjnë me shkencën, kulturën dhe historinë tonë”, theksoi Daci.
Ai u shpreh se shkrimtarët shqiptarë nga Mali i Zi nuk janë të ftuar aq sa duhet në festivalet letrare letrare në Shqipëri.
Pas interpretimit për rreth tri orë poezi, valle dhe muzike të përzgjedhur, juria në krye me poetin, shkrimtarin dhe publicistin Preç Zogaj njoftoi emrat e fituesve të këtij festivali dhe ndarjen e çmimeve.
Me çmimin e parë u nderua poetja nga Ferizaji i Kosovës, Blertë Tmava Veselaj.
Çmimin e dytë e fitoi poetesha Teuta Biçaku, ndërsa me çmimin e tretë u nderua poetesha Silda Anagnosti.
Përveç tri çmimeve kryesore, u dhanë edhe Çmimi Inkurajues, i cili i takoi poeteshës Barie Çupi, dhe Çmimi për poezinë që do të bëhet këngë, që e mori krijuesja Meri Myftari.
Të gjithë konkurrentët pjesëmarrës u nderuan me fletëfalënderime dhe buqeta lulesh për pjesëmarrje.
Në mesin e dyzet konkurrentëve u paraqit edhe poetja nga Tuzi, Nevila Nikaj.
Ajo, për gazetën “Koha javore”, e konsideroi pjesëmarrjen në festival si shumë të rëndësishme, pasi siç tha, ndikimi i rrjeteve sociale në jetën e gjithsecilit ka zënë vend të thellë dhe ngjarjet e tilla me pjesëmarrje fizike janë tejet të frytshme dhe të dobishme.
“Ky festival na mbledh të gjithëve dhe është kënaqësi shumë e madhe që të dëgjosh vargje poezish nga autorë shumë të shquar, shqiptarë dhe të huaj, nga Shqipëria dhe jashtë saj. Jam shumë e nderuar që mora pjesë dhe vërtet ia vlen dhe do të ishte mirë që në ngjarje të tilla të përfshiheshin akoma më shumë krijues shqiptarë nga Mali i Zi, sidomos nga komuna e Tuzit”, u shpreh poetja nga Tuzi.
Për Festivalin e Parë Kombëtar të Poezisë “Nën dritën e fjalës” janë paraqitur rreth 350 krijime, që dy muaj më parë kur ka nisur konkurrimi, ndërsa në natën e Festivalit u përzgjodhën dyzet poetë, finalistë të këtij edicioni.
Ky ishte edicioni i parë i Festivalit Kombëtar të Poezisë “Nën dritën e fjalës”, i cili synon të bëhet tradicional dhe të përfshijë krijues shqiptarë dhe të huaj.
Ngjarje të tilla letrare promovojnë artin e poezisë, forcojnë lidhjet mes brezave dhe bashkojnë komunitetet kulturore.

T. Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat