Në Galerinë e Qendrës së Kulturës në Ulqin, të hënën mbrëma, më 20 tetor 2025 u mbajt takim letrar me shkrimtaren e njohur Flutura Açka. Në një mbrëmje të mbushur me emocion, artdashës, lexues dhe krijues u mblodhën për të ndarë bashkë fuqinë e fjalës përmes veprës dhe rrëfimit të një autoreje që i ka dhënë shumë letërsisë bashkëkohore shqiptare.
“Të shkruash do të thotë të shndërrosh plagët në poezi dhe heshtjen në zë” – kjo shprehje duket se përmbledh më së miri krijimtarinë e Flutura Açkës. Veprat e saj nuk kërkojnë falje; ato kërkojnë të vërtetën, atë të vërtetë që shpesh fshihet pas fjalëve të zeza mbi letër.
Fuqia e fjalës së shkruar, në rastin e saj, nuk mungon kurrë, përkundrazi, ajo është burimi më i pafund i magjisë që lidh lexuesin me ndjesinë e brendshme të autores.
Flutura Açka është një emër që nuk njeh kufij mes fushave. E diplomuar në ekonomi, ajo u përfshi në gazetari, përkthim dhe politikë, por gjithmonë i është rikthyer frymëzimit të parë – letërsisë. Deri më sot, ajo ka botuar mbi njëzet vepra letrare, ndër të cilat veçohen romani “Kukullat nuk kanë atdhe”, një nga librat më të lexuar e më të ribotuar të saj, si dhe romani “Biri”, me të cilin në vitin 2020 fitoi çmimin kombëtar “Libri më i mirë në prozë”.
Në librin e saj të fundit “Para se të iki”, autorja përballet me pritshmëritë, zhgënjimet dhe idealet politike, duke sjellë një vështrim të sinqertë mbi realitetin shoqëror dhe moral të kohës sonë.
Për kontributin e saj në letërsi dhe kulturë, Flutura Açka është vlerësuar me titullin “Mjeshtre e Madhe” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.
Nga viti 2021 deri në vitin 2025 ajo ishte pjesë e politikës aktive, si deputete e Partisë Demokratike në Parlamentin e Shqipërisë.
Pyetja që shpesh i drejtohet, e që iu bë edhe nga udhëheqësja e takimit në Ulqin, mësimdhënësja e gjuhës dhe letërsisë shqipe, Valbona Hoxha, është: Çfarë e shtyu Flutura Açkën të hynte në politikë? Ndoshta ishte dëshira për të parë idealet e saj të mishëruara në veprim, për të shndërruar fjalët në veprime, ashtu siç bën me vargjet dhe romanet e saj. Ndoshta, siç thotë vetë ajo, ishte thirrja për t’u përballur me realitetin dhe për ta kuptuar atë nga brenda.
“Është kënaqësi të jem në Ulqin. Kanë kaluar shumë vite nga hera e fundit që isha këtu, por jeta mori rrjedha të ndryshme. Dhe ja ku jam sërish mes jush, pas gati dhjetë vitesh. Pyetja se si vendosa të bëhem pjesë e politikës është e pafund, sepse ne kurrë nuk e dimë se cilat thellësi apo gropëza brenda nesh ruajnë ujë. Arsyen e vërtetë e kuptova vetëm pasi u përfshiva në politikë”, filloi ajo rrëfimin e saj.
Shkrimtarja ka thënë se duam apo s’duam, ne jetojmë me politikën, e cila është pjesë e çdo gjëje tonë dhe se edhe kur e urrejmë apo mundohemi të distancohemi prej saj, në fakt, edhe atëherë bëjmë politikë – me qëndrimin tonë politik kundër politikës.
“Kur hyra në politikë, e kuptova se sa e rëndësishme është ta përmirësosh atë përmes pjesëmarrjes. Por ndryshe nga letërsia, politika nuk bëhet vetëm – ajo është një ansambël. Nëse politika nuk jep efekt, do të thotë se beteja është ende e vogël”, ka theksuar Açka.
Ajo është shprehur kritike, sepse ky ansambël, siç e ka quajtur ajo politikën, nuk funksionon gjithmonë si duhet.
“Më ka bërë përshtypje pse ne, shqiptarët, shpesh nuk arrijmë ta rregullojmë ‘telin e violinës’ që muzika jonë e përbashkët politike të tingëllojë e harmonishme. Në politikë duhet të dish të bashkëpunosh me tjetrin, por para së gjithash, duhet të heqësh nga mendja atë klishe që kundërshtari është armik. Vetëm atëherë politika mund të bëhet art i përbashkët”, ka thënë shprehur Açka.
Duke folur për dallimin ndërmjet letërsisë dhe politikës, Açka ka thënë se në politikë fjala është mjet për të ndërtuar realitetin, ndërsa në letërsi ajo është mënyra për ta përfytyruar atë.
“Politika kërkon të bindë, letërsia kërkon të prekë; por të dyja kanë të përbashkët nevojën për të kuptuar njeriun”, ka thënë ajo.
Sipas saj, jo vetëm vuajtja të bën artist, ndonëse ajo mbetet një shkollë e dhimbshme, por e thellë, për çdo krijues.
“Në rastin tim, ndoshta vuajtja më e madhe nuk ka qenë ajo shpirtërore, por ajo e mungesës së kohës dhe e mungesës së komoditetit për t’iu përkushtuar plotësisht shkrimit. Letërsia kërkon përqendrim, qetësi dhe një liri të brendshme që shpesh nuk mund të gjendet në mes të përditshmërisë së mbingarkuar. Sikur të kisha pasur komoditetin financiar që të mos duhej të merresha me punë të tjera, ndoshta do të kisha shkruar më shumë romane. Mua poezia, të shkruarit më është kthyer në një profesion tashmë”, ka rrëfyer Açka.
Ajo ka treguar se në romanet e saj, disa prej personazheve mbartin diçka prej saj.
“Jo gjithmonë në mënyrë të qëllimshme, por sepse shkrimtari nuk mund të shkruajë pa u derdhur pak nga vetja në çdo faqe. Disa prej tyre janë alter ego të mi, mbartin parimet, bindjet, principet e mia, por ndoshta i jetojnë ato në mënyra që unë vetë nuk kam mundur t’i jetoj. Megjithatë unë jam autore e fantazisë”, ka thënë ajo.
Në veprën e saj ‘Biri’, Flutura Açka ka shkruar të vetmin libër me ngjyrime të qarta autobiografike. Një fëmijë që humb prindin, quhet jetim; një grua që humb të shoqin, quhet e ve; një burrë që humb partneren, vejan. Por a ka një emër për prindin që humb fëmijën? Nuk ka. Bota ende s’e ka gjetur dot këtë fjalë, sepse nuk ka gjuhë që e përballon një dhimbje të tillë.
“Kur ‘Biri’ doli për herë të parë, në të ndihej më fort zëri i nënës sesa i shkrimtares. Ishte një rrëfim që vinte nga një plagë ende e hapur, dhe çdo fjalë mbante peshën e një dhimbjeje që nuk njihte formë tjetër përveç shkrimit. Aty nuk kërkoja të ndërtoja letërsi – kërkoja të mbijetoja. Por me kalimin e kohës, kur dhimbja filloi të gjejë mënyra të reja për t’u kuptuar, ndjeva nevojën ta ribotoja librin. Në këtë ribotim, përpiqem ta bëj historinë më të pranueshme për të gjithë – jo për ta zbutur, por për ta afruar me zemrën njerëzore që di të dëgjojë edhe pa përjetuar njësoj”, ka pohuar ajo.
Açka ka thënë më tej se nëpër faqet e “Biri”-t ka kërkuar të kuptojë si jeton njeriu kur bota e tij shembet.
“Ky është udhëtimi më i vështirë i jetës sime si nënë dhe si shkrimtare. Një udhëtim nëpër ferr, për të gjetur kuptimin e jetës dhe dashurisë njerëzore përtej humbjes”, ka thënë ajo.
Flutura Açka është dëshmi se forca e gruas nuk qëndron vetëm në qëndrueshmërinë përballë fatit, por edhe në aftësinë për ta kthyer dhimbjen në dritë.
Si shkrimtare, ajo ka ditur t’i shndërrojë përjetimet më të thella në letërsi që prek zemrën e njeriut. Si nënë, ajo ka ndarë me botën një dhimbje që do të kishte heshtur çdo tjetër, por që ajo e ktheu në kujtesë të përjetshme për dashurinë dhe jetën. Si grua, ajo përfaqëson figurën e qëndrueshme, të kulturuar dhe të përkushtuar që e bën shoqërinë shqiptare më të ndërgjegjshme dhe më njerëzore. Në çdo fjalë të saj ndjehet përkushtimi, dinjiteti dhe bukuria e një shpirti që, edhe kur thyhet, di të rrezatojë.
D. Teliqi
