Diplomati austriak, i përkushtuar ndaj çështjes shqiptare

Në shek. XIX konsuj të ndryshëm si përfaqësues të vendeve evropiane, përveç misionit të tyre profesional kanë shfrytëzuar qëndrimin e tyre në hapësirën etnogjeografike shqiptare edhe për të publikuar shënimet dhe përshkrimet e udhëtimeve të tyre, që janë me vlerë shumëdimensionale për botën shqiptare. Cekim me këtë rast Johann Georg von Hahn - konsull i Austro-Hungarisë në Janinë, A. Degrand - konsulli francez në Shkodër, H. Hecquard - konsulli francez në Shkodër, F. C. H. L. Pouqueville - konsulli francez në Janinë, L. S. Leake - konsulli anglez në Janinë, L. S. Jastrebov - konsulli rus në Prizren etj. Në plejadën e personaliteteve të tilla bën pjesë edhe Theodor Ippen (1861-1935), ish-konsull i Austro-Hungarisë në Shkodër (1897-1904), ku përveç shërbimit diplomatik ka qenë i përkushtuar edhe për çështjen shqiptare

Nail Draga

Në lidhje me jetën dhe veprimtarinë e personaliteteve të ndryshme, në mjediset përkatëse janë botuar studime e botime të veçanta, duke vlerësuar angazhimin e tyre shoqëror dhe profesional. Por, jo të gjithë kanë pasur një fat të tillë, sepse ka edhe përjashtime, ku i tillë ishte Theodor Ippen, i cili pavarësisht se ishte diplomat me autoritet i Perandorisë Austro-Hungareze, pas vdekjes së tij ka munguar interesimi i institucioneve dhe studiuesve të ndryshëm për të trajtuar jetën dhe veprimtarinë e tij.
Por, në këtë aspekt përjashtim bën Annelise Wernicke, e cila 32 vite pas vdekjes së tij, në vitin 1967, botoi monografinë “Theodor Anton Ippen”, Wiesbaden, 1967, duke qenë e vetme deri në ditët tona, ndërsa në shqip na vjen me titullit “Teodor Ipen dhe Shqipëria në fokusin e Perandorisë Austrohungareze”, Plejad, Tiranë, 2012, përkthyer nga gjermanishtja nga Eridan Imami.
Në fillim autorja prezanton biografinë e Ipenit, duke vazhduar me aktivitetin e tij si konsull i përgjithshëm në Shkodër (1897-1904) dhe si këshilltar i Austro-Hungarisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, duke e përmbyllur me veprimtarinë e tij shkencore.

Diplomacia si mision jetësor
Ipeni ka lindur më 29 nëntor 1861 në Sezmice të Bohemisë, e cila atëherë ishte në kuadër të Perandorisë së Austro-Hungarisë. Ndonëse rridhte prej një familjeje me origjinë hebreje, ai
është pagëzuar si katolik. Pasi ka përfunduar gjimnazin në Pragë, ka ndjekur studimet universitare për orientalistikë në Akademinë e Vjenës, ku u diplomua në vitin 1884. Qysh gjatë kohës së studimeve ai ka filluar përgatitjen e tij ushtarake, duke marrë gradën lejtënant në rezervë. Ishte njohës i gjuhëve të huaja, si çekishtes, rusishtes, frëngjishtes dhe gjermanishtes.
Pas përfundimit të studimeve, ai dha me sukses provimin konsullor, duke fituar gradën e ndihmëskonsullit, më 4 shtator 1884, ku më pas u vendos në Shkodër, ku nga viti 1885 ishte i punësuar në Konsullatën austro-hungareze. Por këtu nuk qëndroi gjatë, sepse në vitin 1887 është transferuar në Plevle, duke zëvëndësuar konsullin austro-hungarez Ritter von Mayer. Gjatë qendrimit në Plevle udhëtoi në brendësi të vendit, ku përshtypjet e udhëtimeve të cilat kishin të bënin kryesisht me gjeografinë e etnografinë i ka botuar në librin “Novi Pazar und Kosova” (Novi Pazari dhe Kosova) në vitin 1892.
Në vitin 1891 Ipen transferohet si nënkonsull në Konsullatën e Konstatinopojës, ku si njohës i mirë i marrëdhënieve që kishin të bënin me shqiptarët kreu atje edhe funksionin e këshilltarit për çështjet shqiptare. Më pas, në vitin 1894 u emërua nga Ministria e Jashtme, konsull në Jerusalem. Ndërsa nga viti 1897-1904 ka qenë konsull i Perandorisë në Shkodër. Më pas, në vitin 1911 punësohet në Ministrinë e Jashtme, ku në periudhën dhjetor 1912 – gusht 1913 ka qenë këshilltar politik në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.
Gjatë Luftës së Parë Botërore Ipeni është marrë më tepër në frontin jugperëndimor në Itali të Veriut, ndërsa me krijimin e Republikës së parë austriake ishte nder funksionarët më të lartë të Ministrisë së Jashtme, duke luajtur për një periudhë të shkurtër rolin e ministrit gjatë bisedimeve për paqe në vitin 1920. Në vitin 1921 del në pension, por ka vazhduar të jetë aktiv në “Komisionin ndërkombëtar për Danubin”.
Vdiq në Vjenë, më 31 janar 1935.

Konsullata në Shkodër me mision të veçantë
Se çështja shqiptare ishte në fokusin e Perandorisë Austro-Hungareze, dëshmohet në vitin 1896 kur Ministria e Jashtme ndërmori një aksion energjik lidhur me Shqipërinë, duke nxitur një plejadë studiuesish, si historianë, gjeografë, etnografë, gjuhëtarë, arkeologë etj. që të merren me Shqipërinë. Ajo ndikoi që të botohen gramatika e fjalorë të gjuhës shqipe, të shkollohen studentë shqiptarë në Vjenë, Grac e Insbruk, të përkrahin deri edhe përcaktimin e alfabetit të shqipes, ose si gjuhë zyrtare të shtetit të ri shqiptar.
Dhe për t’i realizuar këto objektiva, asaj i nevojitej një konsullatë me përbërje sa më të mirë, me individë që i njihnin mirë rrethanat shqiptare, vendin, popullin e gjuhën shqipe. Pikërisht i tillë ishte Teodor Ipeni, i cili nga viti 1897-1904 ishte Konsull i Përgjithshëm i Perandorisë Austro-Hungareze në Shkodër. Në këtë rast, ai nuk po niste një detyrë të panjohur, sepse nga viti 1884-1887 kishte qenë i aktivizuar si punonjës i kësaj konsullate. Në këtë veprimtari Ipeni është ballafaquar me vështirësi dhe intriga të pushtetit të kohës, duke dëshmuar përkushtim profesional dhe guxim personal në favor të politikës së Perandorisë që e përfaqësonte por edhe të identitetit kombëtar shqiptar.

Këshilltar në Konferencën e Ambasadorëve
Në saje të angazhimit, përvojës e profesionalizmit të dëshmuar, nga nëntori i vitit 1911 punoi në Ministrinë e Jashtme në Vjenë. Në këtë kohë, përkatësisht nga tetori i vitit 1912 shpërthyen luftërat ballkanike, të cilat si mision kishin pushtimin dhe aneksimin e viseve të hapësirës etnogjeografike shqiptare, ndërsa nga 17 dhjetori i këtij viti filloi punimet Konferenca e Ambasadorëve në Londër, ku u vendos fati i Shqipërisë. Ipeni ishte në rolin e këshilltarit të ambasadorit austriak – kontit Mensdorff, ndërsa ministër i Jashtëm ishte z. Berthold. Dhe këtë rol (dhjetor 1912 – gusht 1913) ai e ka luajtur më së miri në saje të përgatitjes e guximit të dëshmuar, duke dhënë informacione të nevojshme në lidhje me shtrirjen e vendbanimeve dhe popullsisë shqiptare, ku kishte përgatitur enkas edhe hartat gjeo-demografike.
Ai në veçanti është angazhuar për përfshirjen e Shkodrës brenda shtetit të ri – Shqipërisë, e gjithashtu edhe të Gjakovës e Dibrës, por fatkeqësisht në saje të intrigave të Fuqive të Mëdha ato mbetën jashtë Shqipërisë. Njihet tashmë roli dhe angazhimi i Austro-Hungarisë për pavarësinë e Shqipërisë, ku falë tyre, ndonëse e cunguar, është kjo hartë politike e shtetit shqiptar. Në këtë konferencë Ipeni ishte i vetmi specialist dhe njohës i çështjes shqiptare, ndërsa të gjithë pjesëmarrësit tjerë kanë qenë politikanë ose diplomatë që vepronin sipas diktateve politike.

Veprimtaria shkencore
Gjatë qëndrimit si konsull i përgjithshëm i Austro-Hungarisë në Shkodër, përveç aktivitetit për të zbatuar politikën austriake, konsulli Ipen nuk ishte statik, por ka udhëtuar veçanërisht në viset veriore të Shqipërisë, udhëtime që ndikuan tek ai për t’i thelluar njohuritë dhe simpatinë për Shqipërinë dhe popullin shqiptar.
Në udhëtimet e tilla ai ka mbledhur shënime, ku më pas i ka botuar në revista apo botime të veçanta. Në saje të kontributit të tillë, ai me të drejtë cilësohet edhe si albanolog, që dëshmohet përmes botimeve shkencore, siç janë: “Rrënoja të kishave të vjetra në Shqipëri” (1899), “Monumente të vjetra në Shqipëri” (1900), “Shcypnia : t’gnoftmé dhéshkrimtaré : t’shtumuna e t’nnrécuna” (1902), “Përmendore të grupmoshave të ndryshme në Shqipëri” (1907), “Shkodra dhe sipërfaqja bregdetare e Shqipërisë veriore” (1907), “Malet e Shqipërisë veri-perëndimore” (1908), “Krahina e Shpatit në Shqipërinë e Mesme” (1916), “Dy episode të historisë së Shqipërisë” (1927), “Kontribut për historinë e brendshme të Shqipërisë në shek. XIX” (1939), “Shqipëria e vjetër: studime gjeografike, etnografike, historike” (2002) etj.
Ndonëse vepra e tij nuk paraqet ndonjë studim gjithëpërfshirës, kërkimet e tij janë të veçanta, përmbajnë materiale të çmuara për hapësirën etnogjeografike shqiptare si në fushën e historisë, gjeografisë, etnografisë, arkeologjisë, ekonomisë dhe besimit fetar.

Ipenit t’i jepet vendi që e meriton
Vetëm pasi të lexohet ky libër kushtuar diplomatit dhe studiuesit austriak, atij duhet dhënë vendi që e meriton te ne shqiptarët, duke e bërë pjesë në radhën e albanologëve të njohur austro-hungarezë, që fillon me Johann Georg von Hahn e vijon me Gustav Meyer, Karl Hopf, Franz Nopsca, Milan Šufflay, Gustav Weigand, Norbert Jokl etj.
Përveç botimeve të ndryshme në lidhje me shqiptarët dhe hapësirën e tyre etnogjeografike, ai njëherit ishte i vetmi ekspert i çështjes shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912/1913) duke dhënë kontributin e veçantë në mbetjen e Shkodrës në kuadër të Shqipërisë.
Në saje të konsideratës për angazhimin dhe kontributin e dhënë për çështjen kombëtare shqiptare, në vitin 1932 Mbreti i Shqiptarëve ZOGU I e dekoroi me “Urdhërin e Skënderbeut”.
Por duke marrë parasysh përkushtimin e tij ndaj çështjes shqiptare, është e pakuptueshme që udhëheqësit shqiptarë pas vitit 1945 e kanë mbajtur në heshtje një personalitet të tillë, por edhe pas shembjes së sistemit komunist (1991) nuk kanë treguar interesimin e duhur për t’i dhënë vendin që e meriton, duke marrë parasysh faktin se politika e Perandorisë së Austro-Hungarisë ishte vendimtare në mbështetjen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Në nderim të emrit dhe veprimtarisë së tij për çështjen shqiptare, e në mënyrë të veçantë për Shkodrën, mendoj se është në nderin e Bashkisë së Shkodrës që emri i tij të përjetësohet në bust, apo emërtimi i një rruge apo sheshi, si dëshmi e vlerësimit të meritokracisë si kudo në vendet demokratike..

Të fundit

më të lexuarat