Kisha e shekullit XV në fokus

Arkeologu Anton Lulgjuraj, duke folur mbi rëndësinë që ka ruajtja e trashëgimisë kulturore, theksoi se këto lokalitete, konkretisht ky, duhet të gëzojë vëmendje institucionale nga Komuna e Tuzit për të vendosur ndonjë tabelë apo shpjegim që tregon se është lokalitet arkeologjik i cili gëzon edhe mbrojtje ligjore

Në kuadër të aktiviteteve të “Ditëve të Trashëgimisë Evropiane 2025”, me temën “Trashëgimia arkitektonike: dritare në të kaluarën, derë për të ardhmen”, të premten më 26 shtator 2025 u organizua një ligjëratë historiko-arkitekturore në lokalitetin arkeologjik Qaf Kish, në lindje të Tuzit, afro 3 kilometra larg qytetit.
Ligjëratën e mbajti arkeologu Dr. Anton Lulgjuraj, i ftuar nga Komuna e Tuzit, i cili para një grupi të vogël pjesëmarrësish foli rreth trashëgimisë kulturore dhe në veçanti për objektin, i ndërtuar në shekullin XV dhe i cili mendohet t’i përkasë Kishës së Shën Prendës.
Ky lokalitet arkeologjik, sipas Lulgjurajt, njihet edhe nga dokumentet arkeologjike që nga fillimi i shekullit XX.
“Theodor Ippeni, kur vjen këtu, e gjen një mbishkrim në latinisht, i cili është një dokument i mirë historik, pasi ai daton që nga viti 1400, ose shekulli XV. Kjo historikisht mund të përshtatet me fisin e Hotit, i cili është i njohur që në shekullin XIV në dokumentet historike, ndërsa në shekullin XV është një faktor lokal, sidomos në luftërat midis dinastisë së Balshajve dhe Republikës së Venedikut, e cila ndodhet në këtë zonë, dhe fisi i Hotit është një lojtar aktiv në favor të Republikës së Venedikut”, u shpreh Lulgjuraj.
Ai tha se kjo Kishë, nga vetë arkitektura që e karakterizon, është kishë me një naus (hapësira kryesore e brendshme e Kishës), me një nefshe (kor i vogël brenda kishës) dhe me një anijat (hapësirat anësore). Siç tha, elementet e shtyllave aty tregojnë se ato i takojnë periudhës pas shekullit XIII dhe se janë pjesë e arkitekturës romanike apo botës katolike.
“Unë nuk kam marrë pjesë më gërmimet arkeologjike, por nga raportet që kam lexuar tregohen dy faza: faza e parë është altari ose alteri, pjesë e absidës që është një kishë e vjetër, dhe në fazën e dytë duket kjo kisha që ndodhemi tani. Shihet që me rindërtimin e kësaj kishe të vogël fisnore edhe fisi rritet në numër dhe rëndësia e këtij vendi këtu është më qendrore dhe se deri më tani është kisha më e madhe nga kishat e vjetra, pra para ardhjes së osmanëve”, theksoi Lulgjuraj.
Ai shtoi se me ardhjen e osmanëve, shumë kisha shkatërrohen dhe ndërtimi i tyre bëhet i pamundur deri në shekullin XIX nga Perandoria Osmane.
“Kishat që janë ndërtuar gjatë kësaj periudhe kanë kryesisht mure guri dhe nuk kanë ndryshuar shumë nga shtëpitë e thjeshta popullore që i kanë bërë nëpër bjeshkë, që i kanë mbuluar me kashtë ose me diçka tjetër që të mos ngjajnë në kisha, për të mos rënë në sy të Perandorisë Osmane”, tha Lulgjuraj.
Lokaliteti arkeologjik në fjalë, siç theksoi arkeologu, duke iu falënderuar gërmimeve arkeologjike që janë bërë, ka zbuluar se në brendësi të kishës, por edhe jashtë saj, kanë qenë varreza.
“Këto varrezat brenda janë një fenomen që ndodh sidomos te shqiptarët në Shqipërinë e Veriut (sipas shumë udhëpërshkruesve), pasi sipas ligjeve të kishës varrosen vetëm anëtarët e kishës kanonike, pra ipeshkvit, priftërinjtë ose njerëz të lartë siç janë edhe mbretërit”, theksoi Lulgjuraj.
Kjo kishë ka pasur edhe afreske, të cilat përdoren që në kishat e para të shekullit IV dhe V e deri më sot në të dyja Kishat dhe se koncepti që afresket përdoren veç në ato ortodokse është i gabuar.
“Pra, është një rit që përdoret në Perëndim dhe në Lindje dhe e ka origjinën nga bota romake, kështu që afresket janë të pranishme kudo, edhe në kishat katolike dhe në ato lindore”, u shpreh ai.
Sipas Lulgjurajt, të gjitha elementet që përmban kjo kishë e vjetër, si arkitektura, mbishkrimi latin i cili përmendet nga Ippeni, por edhe një pjesë e arkitekturës që përdoret për pagëzim e që ka një kryq latin, tregojnë se kjo kishë i përket ritit roman apo katolik.
Arkeologu, duke folur për varrezat që ndodhen jashtë objektit të kishës, sidomos ato që janë të ndërtuara me dy gurë (një lart e një te këmbët), tha se ato i takojnë një periudhe shumë të vonshme, pra dyqind-treqind viteve të fundit. Siç shpjegoi ai, me rritjen e fisit është rritur edhe nevoja për varreza.
“Kështu që krejt kjo zonë, nga lart deri te pjesa poshtë, është me varreza. Duke qenë se këtu ka qenë rrënojë dhe e braktisur, lidhet me shumë legjenda nga vendësit që thonë është vend i namun, vend ku paraqiten orët etj. Kjo është edhe logjike, pasi ky vend ka qenë i shkatërruar dhe ka pasur një histori të trishtë dhe me kalimin e kohës kjo histori bëhet legjendë urbane e zonës”, tha ai.
Arkeologu Lulgjuraj, duke folur mbi rëndësinë që ka ruajtja e trashëgimisë kulturore, theksoi se këto lokalitete, konkretisht ky, duhet të gëzojë vëmendje institucionale nga Komuna e Tuzit për të vendosur ndonjë tabelë apo shpjegim që tregon se është lokalitet arkeologjik i cili gëzon edhe mbrojtje ligjore.
“E mira është se, duke qenë një monument i mbrojtur nga shteti, këtu ndalohen aktivitete njerëzore, pasi ky gëzon edhe mbrojtje fizike, sepse nuk ndërhyn dora e njeriut, e cila është shkatërrimtarja më e madhe”, tha Lulgjuraj.
Ai shtoi se sot, për fat të keq, jetojmë në një kohë ku njeriu ka etje për të bërë para dhe biznese, dhe shpeshherë monumentet kulturore e historike bëhen pengesë për ta, prandaj ndodh që shumë kisha apo varreza ilire zhduken.
“Ditët e Trashëgimisë Evropiane 2025” u organizuan nga Ministria e Kulturës dhe Medias së Malit të Zi, me mbështetjen e Këshillit të Evropës dhe të Komisionit Evropian, me pjesëmarrjen dhe mbështetjen e komunave dhe institucioneve lokale, si ajo e Tuzit.
Manifestimi në fjalë, i cili zyrtarisht është hapur më 23 shtator, solli mbi 40 programe në 15 komuna të Malit të Zi, deri më 30 shtator.
Tema e sivjetme “Trashëgimia arkitektonike: dritare në të kaluarën, derë për të ardhmen”, e zgjedhur në nivel panevropian, është fokusuar te trashëgimia kulturore e palëvizshme, nga ndërtesat historike deri tek objektet e arkitekturës bashkëkohore.
Përgjatë një jave janë organizuar ekspozita, punëtori, promovime librash, shfaqje filmash, ligjërata dhe programe të specializuara për fëmijë dhe persona me aftësi të ndryshe.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat