
Tema më kryesore sa u takon shteteve të Ballkanit, nuk është më papunësia apo mungesa e vendeve të punës. Ajo që vërehet çdo ditë e më shumë është mungesa e fuqisë punëtore, në secilin sektor të veprimtarisë private.
Largimi i të rinjve nga vendet tona, në rastin konkret nga Mali i Zi, është një trend që ka kohë që ka nisur, dhe tashmë ka marrë një hov gjithnjë e më të fortë. Si pasojë, shumë fshatra dhe qytete janë boshatisur. Duhet cekur edhe fakti se nuk bëhet fjalë vetëm për mungesë në sektorin privat, por braktisje të vendeve të punës ka edhe në sektorin publik.
Roli i punëtorit në shoqëri u bë më i dukshëm pas mbylljes nga pandemia COVID-19. Pas asaj periudhe, njerëzimi sikur u këndell, duke reflektuar mbi realitetin e jetës që bën dhe mbi sakrificën e madhe që kërkohet prej tij, pa marrë përkundrejt asgjë përveç borxheve.
Ndoshta ajo periudhë vetmie dhe qëndrimi në shtëpi i dha njeriut mundësinë për të reflektuar. Për të kujtuar se shumë shtete u ngritën dhe u zhvilluan falë fuqisë punëtore, por vetëm sepse kjo fuqi u respektua. Aty ku punëtori u çmua, iu hapën dyert e kredive, të banesave, të sigurisë jetësore. Pra, sa më shumë vlerësohet puna, aq më i lartë bëhet standardi jetësor. Kjo është një nga arsyet kryesore pse Ballkani po e humb rininë e vet. Të rinjtë nuk ikin sepse nuk ka punë, por sepse kushtet janë çnjerëzore, trajtimi është i padrejtë, dhe në sektorin privat, në veçanti, shpesh dominon trajtimi skllavopronar, pa mbrojtje ligjore.
Nëse shteti do të ndërmerrte strategji për mbrojtjen dhe rritjen e familjes në Mal të Zi, atëherë mbështetja monetare direkte nuk do të ishte e mjaftueshme. Përveç ndihmës ekonomike, duhet të krijohen kushte për një punë të qëndrueshme, sidomos në sektorin privat. Organet kompetente – ato për të drejtat e punëtorit, për vjeljen e tatimeve dhe inspektimet duhet të veprojnë me përgjegjësi të plotë. Duhet t’u pamundësojnë punëdhënësve që të punësojnë “punëtorë fantazmë”, me kontrata mujore apo pa kontrata fare, e t’i paguajnë kesh, në të zezë. Nëse as bankat nuk u besojnë kontratave të sektorit privat, kjo është një ndër provat më të qarta se çfarë vlere ka sot kontrata dhe siguria e punëtorit.
Në këto rrethana, për gratë është jashtëzakonisht e vështirë të lindin fëmijë. Shpesh punojnë në të zezë dhe vetë kërkojnë që të mos sigurohen, për të përfituar nga ndihma sociale. Pyetja që duhet shtruar është: përse punëdhënësit privatë e trajtojnë njeriun në këtë mënyrë? Përse synojnë të dëmtojnë njëkohësisht edhe shtetin, edhe qytetarin, ku në fund të fundit, dëmtojnë edhe veten e tyre?
Përgjigjja mund të jetë e lidhur me rrjetin e rrugëve korruptive që kalbin sistemin. Jo vetëm që shkelin ligjin, por edhe po e shpopullojnë vendin. Dikush mund të thotë: “Janë sindikatat ato që e mbrojnë punëtorin!” Por nga viti në vit, nga dekada në dekadë, po shohim se edhe ato janë të kapura.
Kjo është nyja që ndalon zhvillimin familjar dhe rritjen e familjeve të reja në Mal të Zi. Qytetarit sot i paraqiten ndarje etnike, shovinizëm, urrejtje nacionale, fetare, gjuhësore e kulturore. Në të vërtetë, këto do të duhej të ishin minimale. Do të ishin, nëse qeveritë – ato të kaluarat që theksonin patriotizmin malazez, dhe kjo e tanishmja që thekson “bashkëpunimin e brishtё”, nuk do të funksiononin mbi frikën e prishjes së ekuilibrit. Disa flasin për rrezikun nga jashtë – nga Serbia, Rusia; të tjerë nga Amerika, Evropa, Shqipëria e Kosova… në vend që të përqendrohen te nevojat e brendshme të qytetarëve.
Ky shkrim nuk është thirrje për rrëzimin e Qeverisë, as për tërheqjen e shqiptarëve apo boshnjakëve. Përkundrazi është thirrje që kjo qeveri të merret me politika pro qytetarit, pro familjes, pro bizneseve, pro shpresës. Derisa punësimi në sektorin publik dhe privat të mos barazohet në dinjitet dhe siguri, politika jonë do të mbetet diskriminuese. Ikja e mjekëve, teknikëve, profesionistëve është tregues se jemi në rrugë të gabuar. Ministritë duhet të marrin përgjegjësi, të tregojnë dashuri për qytetarin çfarëdo kombësie qoftë ai.
Mosankorimi i anijeve në Tivar, mungesa e avionëve në Tivat e Podgoricë, mbyllja e fabrikave në Nikshiq, Podgoricë e qytetet e veriut, mungesa e turistëve në Ulqin, mungesa e pagesës së tatimeve në Budva, Petrovac, Ulqin…, mungesa e sigurimit të punëtorëve, të gjitha dëmtojnë ekonomikisht shtetin, ndërmarrjet dhe në fund vetë popullin.
Loja me valëvitje flamujsh ka mbaruar! Le të valëviten të gjithë flamujt – malazez, serb, boshnjak, shqiptar, kroat, rom, por të respektohen ligjet e shtetit, dinjiteti i familjes dhe djersa e qytetarit të ndershëm. Edhe kishat dhe institucionet fetare që shpesh përmenden në debate, me vend e pa vend, do të duhej të flisnin për këtë çështje. Punëtori është ai që sjell bukën e bekuar në shtëpi. Ai është i pari që mbush kishën apo xhaminë me jetë dhe besim. Është koha për veprim. Është koha të mbrohet qytetari. Është koha të kthehet shpresa.
Integrimi evropian do përfshirjen e të gjithë neve, sepse mbi të gjitha, është vetë populli i Malit të Zi ai që do paqen. Është vetë populli i Malit të Zi që do zhvillimin dhe vetëm populli i Malit të Zi mund të ngrihet mbi politikën, mbi korrupsionin, mbi ndarjet kombëtare e religjioze, duke u fokusuar te mbrojtja e të drejtave të punëtorit, të familjes e të vetë shtetit.
