Në vërshimin e publikimit të librave të autorëve të huaj nga botues shqiptarë, të gjesh një libër të caktuar, bazik për nga natyra e shtjellimit, të kapshëm për lexim në nivele të ndryshme të kulturës së leximit dhe argumentues për nga koncepti i shkrimit të tij është sikur të kërkosh gjilpërën në stok të sanës.
Për botimin e një libri të tillë duhet një seri rastesh fatlume, ose ndonjë çmim ndërkombëtar, që “përligj” dhe shitjen, gjegjësisht siguron fonde të jashtme për botim, ose një botues i afirmuar, e në rastin më të shpeshtë një përkthyes që ndoshta edhe ia imponon botuesit autorin dhe librin.
Në rastin e librit në fjalë kemi përkthyesin që, i bindur se një libër i tillë i duhet lexuesit shqiptar, merr mundin jo të vogël ta bëjë përkthimin, ani pse nuk ishte i sigurt se do të gjente botuesin. Që libri “Nevoja për kombe” i filozofit, shkrimtarit dhe kritikut social anglez të specializuar në estetikë dhe filozofi politike, Robert Sctruton, të jetë në duart tona, merita kryesore i takon intelektualit tonë të ri (në moshë!), në këtë rast përkthyesit Albert Bikaj, që gjeti edhe mirëkuptimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar për ta botuar. Për këtë, të dyja palëve u takon një urim!
Jam i bindur se ekzistenca e një shteti të mirëfilltë kombëtar, që do ta ndiente nevojën për komb, siç e shpjegon Scrutoni, edhe me shqiptarët jashtë kufijve politikë do të flitej ndryshe
Tani disa fjalë për librin!
Si ligjërues me përvojë, që në hyrje, autori Scruton na përgatit ngadalë për një ballafaqim me vetëdijen e krijuar në kushte të ndryshme sociale dhe jetësore. Scrutoni është ithtar i organizimit shtetëror shtet-komb. Për të arritur deri këtu, ai i jep lidhjet ndërmjet njerëzve, si lidhje fisnore, pastaj lidhje fetare, për të rekapituluar me lidhjet kombëtare, që aq bukur i përshkruan edhe në rastin e shqiptarëve:
“Ky ishte një nga vendet e para në botë, ku identiteti kombëtar zëvendësoi fenë si burim të rendit shoqëror, një fakt i cili me siguri duhet të jetë burim udhëzimi se si t’i mbijetojmë një bote të re tensionesh fetare.” (Roger Scruton, Filozofia moderne: nga Aristoteli te filozofia analitike, përktheu: Spartak Ngjela, Tiranë: UET Press, 2017)
Mirëpo, Nevoja për komb-e, të cilën e sheh dhe për të cilën deklarohet Scrutoni, gjatë fazave të zhvillimit tonë historik na është keqpërdorur, keqtrajtuar, ose të them më së lehti keqinterpretuar. T’i përmend këtu vetëm dy faza tonat që e kanë definuar zhvillimin tonë në gjysmën e dytë të shekullit e kaluar, dhe tjetra, fatkeqësisht po mundohet ta njollosë edhe kohën më të re, përmes përbuzjes së kombit (të jam sa më i butë në definicion).
Idenë Atme e fe, të ngritur në piedestalin e mendësisë politike shqiptare para së gjithash nga françeskanët e mëdhenj, që nga Fishta, Harapi, Gjeçovi e shumë të tjerë, që përfshinte jo vetëm tolerancën, por bashkëjetesën fetare ndërmjet shqiptarëve, ardhja e komunistëve në pushtet (nuk e di se si na ranë për hise!!!) e zëvendësoi ideja udhëheqëse e internacionalizmit proletar dhe i shtetit të parë ateist në botë. Madje komunistët, të bindur se me kolosë të tillë të mendimit politik nuk mund të dalin fitues, ushtruan dhunë të paparë mbi të gjithë kundërshtarët e mendimit të tyre duke i futur në kalvarin e pakurrkundshoq deri më sot, që nga kohët biblike. Në pjesën tjetër të kombit, pra në ish-Jugosllavi, përpos dhunës së ushtruar në vazhdimësi u përdor një strategji e krijimit të njeriut të ri, posaçërisht ndër shqiptarët, i quajtur shqiptari i ndershëm.
Sa për fazën e sotme të përbuzjes së kombit dhe interesave të tij, nuk nevojitet tjetër vetëm t’ua hedhim një sy deklaratave politike të përfaqësuesve më të lartë politikë të dy shteteve shqiptare: Shqipërisë dhe Kosovës. Derisa të parët e quajnë Vuçiqin vëlla, duke u munduar t’ia shpëtojnë atij lëkurën në çfarëdo mënyre, të tjerët me plot të drejtë e quajnë armik i popullit shqiptar. Dhe nuk do ta elaboroj më tej!
Ndoshta pasojën e dukurive të tilla e shohim më së miri ne, që si pakicë kombëtare nuk gjendemi brenda kufijve politikë të të dy shteteve.
Jam i bindur se ekzistenca e një shteti të mirëfilltë kombëtar, që do ta ndiente nevojën për komb, siç e shpjegon Scrutoni, edhe me shqiptarët jashtë kufijve politikë do të flitej ndryshe.
Rregulli i ri botëror, i paralajmëruar dekada më parë, polli idenë e globalizimit si ide e përbotshme. Aty unë si njeri kam disa çështje që më frenojnë ta pranoj. Por t’i referohem autorit të librit:
“…themeluesit e rendit të ri shoqëror tashmë i takojnë njëri-tjetrit: ata tashmë e kanë imagjinuar vetveten si një komunitet, nëpërmjet procesit të gjatë të bashkëveprimit shoqëror i cili ua mundëson atyre të caktojnë se kush duhet të jetë pjesë e së ardhmes së tyre dhe kush jo,” shprehet ai.
Për mua është veçanërisht i papranueshëm globalizimi në kulturë. Kulturat e vogla (vetëm numerikisht, pasi nuk ka kultura të vogla dhe të mëdha) në një konstelacion të tillë janë humbësit më të mëdhenj.
Sot, as në panairet më të mëdha të librit në trevat shqiptare, gati nuk mund të gjejmë librat me të cilët u rrit dhe u frymëzua gjenerata jonë. I kanë zëvendësuar autorë të huaj, shpesh edhe me vlera të dyshimta letrare edhe shoqërore, që në shqip bëhen karikaturë me përkthimet që shfrytëzojnë google translate-in.
Mirëpo, përsëri më duhet të ngrihem shumë mbi këtë prag dhe ta them se Alberti si përkthyes, me akribinë e tij i plotëson në tërësi të gjitha kriteret e përkthimit të mirë, e posaçërisht atë që tradukologët e quajnë, mosnjohshmëria e përkthimit, pra rrjedhshmërinë e leximit në gjuhën e përkthimit që nuk lejon të njihet se materiali nuk është shkruar në atë gjuhë.
Por t’i kthehem librit edhe për disa koncepte:
Shtetësia dhe sundimi i ligjit – janë koncepte të cilat i shtjellon autori deri në detaje. Pas shtjellimit të kritereve të anëtarësimit në një shoqëri, që nga ato fisnore dhe fetare, paraqitet si kontrast i tyre kombi si anëtarësi. Me këtë rast jep një shpjegim interesant: ” …Pjesëtarët e fiseve e shohin njëri-tjetrin si një familje; anëtarët e bashkësive fetare e shohin njëri-tjetrin si besimtarë; pjesëtarët e kombeve e shohin njëri-tjetrin si fqinjë”. Ose më tutje:
“Popujt që kanë të përbashkët territorin, e kanë të përbashkët edhe historinë; ata mund të kenë edhe një gjuhë dhe fe të përbashkët. Shteti-komb evropian u shfaq kur ideja e bashkësisë u përcaktua nga një vend i mishëruar në sovranitet dhe ligj, me fjalë të tjera, kur ishte në përputhje me një juridiksion territorial.”
Juridiksioni rrit vlerën e tij. Kushtetuta si kontratë shoqërore e një shteti përcakton një “NE, NESH, YNI, JONA” të përbashkët dhe definon të drejtat, por edhe obligimet e secilit anëtar, që duhen pranuar. Rregullimi juridik i një rendi shtetëror, sado i brishtë të jetë, duhet të pranohet, është parafrazim i mendimit të autorit. Në shoqërinë tonë pa shtet, siç e kishim organizimin tonë, kur të parët tanë nuk kishin shtet, e mbi vete pranonin vetëm ligjet e Zotit, siç do ta quanin atë, rendin e ruante Kanuni i Maleve, apo Kanuni i Lek Dukagjinit. Populli e pranoi atë si të vetin, e jo siç i pranonte ligjet e cilitdo qoftë shtet, si dhunë të imponuar. Kanuni u rrit me popullin, u mishërua në popull! Andaj, as nuk është e çuditshme që edhe sot, madje edhe si intelektualë, në nënvetëdijen tonë edhe individuale edhe kolektive, shkeljen e ligjit e pranojmë më lehtë se shkeljen e normave të kanunit. Ngase, besnikëria kombëtare (unë këtë koncept të tij do ta quaja edhe nacionalizëm, në kuptimin më të mirë të tij), pra kjo besnikëri është themeluar nga dashuria për vendin, doket, traditat… “arti dhe letërsia e një kombi – thotë ai – janë arti dhe letërsia e një bashkësie”, si ndryshe do ta kuptonim lidhjen aq të ngushtë në pikturat e Gjelosh Gjokajt me gurin dhe ngjyrat e Malësisë, apo të poezisë së Martin Camajt, edhe pse që të dy vepruan larg vendlindjes.
Njëri ndër konceptet e autorit që më ka bërë të mendoj më së shumti është koncepti i emigrimit. “Popujt e nënshtruar bëhen shtetas për ta ruajtur familjen dhe pronën e tyre…” Këtu, në këtë fjali ai e sheh arsyen e emigrimit. Këtu më imponohet edhe mendimi mbi mërgimtarët tanë në shtetet perëndimore (SHBA dhe Evropë), gjegjësisht dikotomia e tyre identitare. Ata nuk e harrojnë kombin, e mbrojnë atë me gjithë qenien e vet, janë përplot me simbole të kombit, qoftë edhe si tatuazhe, por njëkohësisht nuk lejojnë që për shtetet ku jetojnë, që u kanë dhënë gjithçka – pra u kanë dhënë mundësinë të jenë shtetas, e jo qytetarë të nënshtruar, të dorës së dytë, siç e ndjenin veten në vendlindjen e tyre – të thuhet as kritika më e vogël. Madje edhe nëse në familjet e tyre, nuk flitet aspak shqipja, por anglishtja, atë e tolerojnë dhe gjejnë arsyetime të llojllojshme, por në anën tjetër e përjetojnë si sulm mbi integritetin e tyre qoftë edhe një fjalë të vetme sllave që ua drejton në vendlindje shitësi i cigareve në kioskë.
Besnikëria kombëtare në një fazë të saj lind demokracinë, e këto të dyja janë baza më e mirë e shtetit-komb që, siç thotë përkthyesi në fjalën e tij ” … historikisht është sprovuar të jetë organizimi shoqëror më i qëndrueshëm për sa i takon rendit, lirisë, drejtësisë dhe demokracisë moderne.“
Por koncepti i demokracisë, që e jep Scrutoni në librin “Nevoja për kombe” është plotësisht i kundërt me konceptin e demokracisë që na imponohet në shtetet postkomuniste me tranzicion të stërzgjatur, bazë e së cilës është biznesi, pra interesi i një klase politike që udhëheq shtetin, e ku janë të lejuara të gjitha opsionet, deri edhe te zgjidhja e mosmarrëveshjeve në tregtinë e tyre të fëlliqtë me normat e Kanunit.
Për në fund, më mbetet ta propozoj për lexim librin “Nevoja për kombe”, e në veçanti studentëve të degëve shoqërore, që në kurikulën e lëndëve të universiteteve në rajon, profesorët ende u imponojnë teori të vjetërsuara, të bazuara në marksizëm.