Koha Javore: Z. Camaj, duke ditur se jeni një ekspert i shëndetit publik në Nju Jork, padyshim që jeni edhe njohës i mirë i kësaj epidemie që pati mbërthyer botën. A mund të na tregoni se si dukej Nju Jorku në kohën kur u prek nga ky virus dhe si u përball ky qytet me armikun e padukshëm?
P. Camaj: Është hera e parë që njerëzimi e ka dokumentuar virusin Sars Cov-2, dhe duke marrë parasysh faktin se kur nuk keni shumë njohuri mbi një sëmundje, frika ka qenë edhe më e madhe. Kur bëhet fjalë për Nju Jorkun me një popullatë të dendur, ky virus është përhapur kryesisht përmes transportit, siç është edhe organizata ku unë punoj që merret me transportin publik që është kyç për Nju Jorkun. Në këtë mënyrë është bërë edhe përhapja masive e këtij virusi. Pra nga kjo, dhe nga mosdija mbi këtë sëmundje, Nju Jorku u kaplua nga frika, por fatkeqësisht edhe realiteti tregoi se kemi të bëjmë me një sëmundje vdekjeprurëse, sepse kur raportohej për shtatëqind-tetëqind vdekje në ditë, ishte diçka e paparë dhe ishte një panik i vërtetë. Ne jemi munduar ta menaxhojmë më së miri situatën, edhe pse në fillim nuk kemi pasur njohuri se si shpërndahet ky virus dhe se cilët janë mekanizmat e mbrojtjes, dhe nuk dinim si t’u themi njerëzve, a të mbajnë maskat apo jo, a të mbajnë distancën apo jo, pra nuk ishim të njohur me këtë virus. Mesazhi në fillim ka qenë që njerëzit të mos mbajnë maska, për të mos përhapur panik, mirëpo unë s’kam qenë i kënaqur me atë qëndrim, sepse kam besuar se maskat në ambiente të mbyllura mund të ndihmojnë pak, ashtu siç edhe u vërtetua më pas. Por sigurisht që në fillim, ky virus i panjohur na ka kushtuar edhe jetë, sepse vetëm kompania ku unë punoj, ka humbur rreth treqindë njerëz në dy-tre muajt e parë.
Koha Javore: Z. Camaj, siç e pohuat edhe Ju se koronavirusi ishte një sëmundje e panjohur për njerëzimin, dhe si e tillë kërkoi impenjimin e të gjithë forcës intelektuale-shkencore të mjekësisë, në përpjekjen për të studiuar dhe hulumtuar një ilaç apo vaksinë mbrojtëse, që fatmirësisht u arrit. Cili është efekti i kësaj vaksine tek njerëzit, dhe sa ka avancuar shkenca e mjekësisë me këtë shpikje?
P. Camaj: Kjo pandemi globale kërkoi angazhim të jashtëzakonshëm jo vetëm për t’u mbrojtur, por dhe për të bërë diçka në drejtim të vaksinës. Këtu duhet cekur angazhimin e administratës së kaluar, të ish-presidentit, Donald Tramp, që meriton një kredit të fortë. Kjo vaksinë ka pasur efekt pozitiv në pandeminë, megjithëse kemi ende shumë për të bërë. Por, për ta zbuluar një vaksinë të tillë është dashur një bashkëpunim i të gjitha lëmive shkencore, veçanërisht ajo e shëndetit publik, e epidemiologëve, shkencëtarëve që merren me këtë fushë, dhe kjo u arrit në kohën më afatshkurtër që kemi parë deri më sot. Pra, shkenca e mjekësisë arriti të prodhojë disa vaksina siç janë Fajzer, Moderna, Xhonson&Xhonson, dhe disa që përdorën nëpër botë, si Astra Zeneka, etj. Efekti i vaksinave të reja si Fajzer dhe Moderna është fakti se ato janë krejtësisht një proçes i ri i prodhimit, të cilat përdorin një kodim të quajtuar MRNA, që është njëfarë sinjalizimi i trupit tonë që të prodhojë diçka. Është punuar në këtë drejtim që nga viti 2003, qëkur kemi pasur një shpërthim të Sars Cov-1, që vaksinat të prodhohen me këtë kodim, sepse ato japin një platformë të re të prodhimit të vaksinave, të cilat ndoshta mund t’i atakojnë dhe sulmojnë edhe sëmundjet e tjera. Pra, është një zbulim i ri në shkencë që besoj se do të ketë impakt pozitiv dhe të madh në të ardhmen. Me këtë zbulim ne kemi një potencial të madh në fushën e shëndetësisë, jo vetëm për kovidin, por edhe për sëmundje të tjera.
Koha Javore: Z. Camaj, edhe në këtë vit të ri, beteja me koronavirusin nuk ka përfunduar ende. Si paraqitet situata aktualisht në qytetin e Nju Jorkut? A ka shtime të infektimeve të reja, dhe a është vaksinuar popullata në SHBA në atë masën e pritshmërive Tuaja si ekspert?
P. Camaj: Gjatë vitit të kaluar, duke parë vaksinimin në një nivel jo tepër të avancuar shikuar në tërësi në SHBA, kur kemi afro gjashtëdhjetë përqind të vaksinuar, dhe duke marrë parasysh se bëhen shumë udhëtime në festa të fundvitit, kam paralajmëruar se do të kemi një rritje të numrit të infektimeve, pa e ditur efektin e Omikronit i cili nuk ishte shfaqur këtu në Nju Jork, e as në botë deri në fund të nëntorit. Kur e bën kombinimin e këtyrë të dyjave, paraqitjen e një varianti të ri siç ishte Omikroni dhe faktin se vaksinimi është në përmasa jo të duhura, nuk më ka çuditur fakti se do të kemi një ngritje të numrit të të prekurve. Por, Omikroni e ndryshoi lojën e shpërndarjes, dhe kemi një shtim eksponencial të numrit të të infektuarve me llojin e ri, jo vetëm në Nju Jork por në të gjitha shtetet e Amerikës.
Koha Javore: Z. Camaj, si e shikoni luftën me koronavirus në shtetet e Ballkanit, siç jemi edhe ne në Mal të Zi? Si është menaxhuar situata me Covid-19, dhe sa kapacitet kemi ne për një epidemi të tillë?
P. Camaj: Unë që nga fillimi e kam përcjellur me vëmendje dhe interes të madh gjendjen atje, sidomos në Malësi ku kemi parë një mbyllje totale, dhe e kam parë situatën me shqetësim, duke pasur parasysh aftësitë e sistemit shëndetësor, që kryesisht janë të ngarkuara, jo vetëm në Mal të Zi, por edhe në krejt Ballkanin, si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Serbi. Mirëpo, kisha fatin që të vij në Malësi dhe në rajon në muajin prill të vitit të kaluar dhe në tetor, dhe menaxhimi i kësaj pandemie ka qenë relativisht në rregull, si në përdorimin e maskave e cila ka qenë në nivelin e duhur, megjithëse nuk ka një shkencë tepër të thellë e cila tregon efikasitetin e këtyre masave, sepse virusi ka bërë atë që ka bërë me të gjitha këto. Sa i përket vaksimimit në këto shtete, kam vërejtur se ka pasur stagnime, por me vazhdimin e vaksinimit që do të pasojë, jam i bindur se do të parandalojmë atë efektin e pandemisë që e kemi parë këto dy vitet e kaluara.
Koha Javore: Z. Camaj sot në botë, ashtu sikurse edhe tek ne në Malin e Zi, është dominant varianti Omikron i virusit korona, i cili po infekton me shpejtësi të frikshme, por që sipas ekspertëve nuk duket të jetë aq agresiv në aspektin e hospitalizimeve dhe të vdekjeve. A mendoni se ky mutacion po jep shpresë se këtij virusi në këto përmasa po i vjen fundi?
P. Camaj: Omikroni ka pasur një përhapje të jashtëzakonshme dhe kjo për faktin e ndryshimeve që bën virusi, sepse viruset ndryshojnë në virulencën e vet, zbusin egërsinë e tyre, për t’u shpërndarë më lehtë dhe për t’u adaptuar. Vaksinimi nuk është treguar aq efektiv në ndalimin e shpërndarjes së këtij virusi, por jo edhe në efektin e tij, dhe të gjitha këto kanë ndikuar në rritje të një numri astronomik të infektimeve. Por, me këtë rritje të numrit të të prekurve, nuk shohim një ngritje të numrit të hospitalizimeve, që prapë mund të them se vjen si rezultat i vaksinave, por ndoshta edhe i imunitetit natyror që është krijuar. Këto tregojnë se kemi të bëjmë me një ndryshim radikal në pandemi dhe besoj se ky do të jetë edhe një paralajmërim i një fundi të kësaj pandemie në këto përmasa që e kemi parë, pothuajse tash dy vite. Ky virus ndoshta do të jetë prezent edhe njëqind vite të tjera sikurse shumë viruse ndër vite, por në rrethana krejtësisht të ndryshme nga këto që kemi parë këto dy vitet e fundit.
Koha Javore: Z. Camaj, cili është mesazhi Juaj drejtuar lexuesve të kësaj interviste?
P. Camaj: Mesazhi im është se duhet të merret në konsideratë vaksinimi dhe të kemi ende kujdes. Unë e di që ka pasur një rezistencë ndaj vaksinimeve, edhe këtu në SHBA, në botë dhe tek Ju natyrisht, por unë që nga fillimi e kam mbështetur idenë e vaksinimit, sepse është shumë më mirë ta fitojmë imunitetin përmes vaksinës, veçanërisht ato grupe të cilat janë më të rrezikuara, pra njerëzit që kanë ndonjë sëmundje siç është diabeti, hipertensioni, obeziteti dhe disa sëmundje të tjera që e keqësojnë situatën nëse infektohen. Pra këta persona në veçanti, duhet ta konsiderojnë vaksinimin dhe kështu këtë epidemi ta kalojmë së bashku, me shpresë se kjo është vala e fundit e këtyre përmasave.
Koha Javore: Z. Camaj, ju falënderoj për këtë intervistë!
P. Camaj: Faleminderit edhe Juve!
Intervistoi: Toni Ujkaj
