Ndryshimi i emrit me përmbajtje të njëjtë

Takimi i ditëve më parë në Shkup i përfaqësuesve të Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut, paraqet vazhdimësi të takimeve të “Mini-Shengenit Ballkanik” pa ndonjë risi përveç ndryshimit të emrit në “Ballkan Open” me përmbajtje të njëjtë, që vazhdon të refuzohet nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosna e Hercegovina, të cilat prioritet i japin integrimeve evropiane e jo atyre rajonale duke i ofruar përparësi Serbisë e cila ende vazhdon të jetë faktor destabiliteti në rajon, pa pasur guxim politik të kërkojë falje për krimet e bëra ndaj popujve të tjerë në rajon, e në veçanti ndaj shqiptarëve në Kosovë

Nail Draga

Nga formimi i “Mini-Shengenit Ballkanik” në Novi Sad (2019) nga tri shtete (Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut), opinioni është informuar se projekti synonte katër liritë e BE-së, atë të lëvizjës së njerëzve, të mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve. Por, varësisht nga qasjet politike, u prezantuan opinione të ndryshme duke theksuar se një iniciativë e tillë rajonale të përkujton ish-Jugosllavinë e cila tani përmes Serbisë nën idenë e integrimit rajonal, aspiron Serbinë e Madhe. Me një fjalë, kemi të të bëjmë me strategjinë politike të Serbisë e cila atë që nuk ka arritur ta realizojë me luftë, ta arrijë në paqe, duke dëshmuar se nuk mund të shkëputet nga ambiciet ekspansioniste, që kohëve të fundit paraqitet me sintangmën “bota serbe”(srpski svijet).

Serbët, faktor destabiliteti
Kemi të bëjmë me një rajon specifik, i populluar kryesisht me popullsi sllave, ku në vitin 1918 u themelua Jugosllavia e parë, fillimisht si Mbretëria SKS, e cila kishte këtë emër pa popull jugosllav, duke qenë e sunduar nga serbët dhe përfunduar së ekzistuari në vitin 1941. Jugosllavia e dytë përfundoi së ekzistuari në vitin 1991, ndërsa ajo e treta e përbërë nga Serbia e Mali i Zi përfundoi në vitin 2006. Nëse analizohen raportet shoqërore dhe politike, del qartë se faktor destabiliteti ishin serbët, andaj të gjithë janë përpjekur të largohen nga sundimi i tyre, për t’u pavarësuar si shtete sovrane. Kur serbët nuk donin më të jenë në një bashkësi shtetërore, popujt sllavë të cilët kanë origjinë të përbashkët etnike e gjuhësore, për shqiptarët si popullsi jo sllave ka qenë fatkeqësi kombëtare e imponuar nga të tjerët të jetohet në një bashkësi të tillë jashtë shtetit kombëtar shqiptar.

Nisma integruese
Çështjet integruese rajonale nuk lidhen me Novi Sadin (2019), por janë më të hershme, sikurse është ajo nga viti 2008, kur katër shtete (Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi dhe Maqedoni) mbanin takime vjetore presidenciale.
Ndërsa në vitin 2011, Mali i Zi ka propozuar nismën “Western Balkan 6”, e më vonë në Tiranë u lansua “Beneluksi Ballkanik”. Ndonëse ishin ide të qëlluara, për bashkëpunim rajonal të panjohura më parë të gjitha ishin refuzuar nga Serbia. Nuk ka dilemë se ajo kishte si atëherë edhe tash sindromin e liderit në rajon, që përmes “mini Shengenit” iu mundësua nga Shqipëra e Maqedonia e Veriut.
Nuk ka dilemë se në Forumin e Shkupit ditë më parë (29 korrik) u ndryshua vetëm emri “Ballkan Open” ndërsa përmbajtja ka mbetur e njëjtë. Eshtë përshtypje e përgjithshme se një integrim i tillë rajonal nuk mund ta zëvendesojë BE-në, nga del qartë se kemi të bëjmë me një veprim perfid të Serbisë për të dëshmuar gjoja gadishmëri të bashkëpunimit rajonal, duke u prezantuar si lidere në nismat integruese.

Gjeopolitika rajonale
Se Evropa Juglindore paraqet çështje specifike edhe në aspektin gjeopolitik, nuk është e panjohur, sidomos nga shek XIX e më pas, sepse këtu kanë pasur interesat e tyre fuqitë e mëdha. Ndonëse i modifikuar një interesim i tillë është i pranishëm edhe në ditët tona, që u manifestua në praktikë në saje të luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë (1991-1999).
Nëse analizohet situata gjeopolitike nga ajo kohë e deri më tash del qartë se kemi të bëjmë me orientime politike të kundërta të pjesëtarëve të “Ballkan Open”, sepse kemi të bëjmë me Serbinë e cila është anti NATO, dhe më afër Rusisë, ndërsa dy të tjerat (Shqipëria e Maqedonia e Veriut) janë në NATO, ku bën pjesë edhe Mali i Zi, ndërsa Kosova është pjesë e strukturave të tilla. Varësisht prej qasjeve politike, del qartë se kemi të bëjmë me një rajon i cili vazhdon të jetë labil, në saje të politikës destabilizuese të Serbisë, e cila me gjithë krimet e kryera në ish-Jugosllavi, udhëheqja aktuale politike nuk ka guxim të kërkojë falje publike ndaj popujve të tjerë në rajon. Serbia duhet të distancohet nga e kaluara, të dënojë gjenocidin ndaj shqiptarëve jo vetëm nga lufta 1998/99 dhe të njohë shtetin e pavarur të Kosovës. Vetëm pas një veprimi të tillë pragmatik në favor të paqes dhe fqinjësisë së mirë, Kosova do të ishte partnere dhe pjesë e nismave të integrimeve rajonale.
Jemi dëshmitar se presidenti Vuçiq, si ish ministër i kabinetit të kriminelit të luftës Millosheviq, sot e kësaj dite mbron agresionet serbe kundër popujve joserb dhe shkel vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka përcaktuar masakrën e Srebrenicës si gjenocid dhe Parlamenti Evropian ka miratuar Rezolutë të posaçme në vitin 2009. Duke marrë parasysh këto të dhëna, del qartë se kemi të bëjmë me personin i cili në saje të biografisë së tij, nuk mund të jetë faktor stabiliteti por në mënyrë përfide është duke shfrytëzuar momentin si inicues i bashkëpunimit rajonal, për përfitime shtetërore.

Shqiptarët e Luginës diskriminohen nga Serbia
Në takimet e mëparshme në mes kyreministrit të Shqipërisë dhe kryetarit të Serbisë por edhe së fundit në Shkup, ndonëse janë bërë publike temat të cilat janë trajtuar, nuk kemi pasur rast të dëgjojmë se është trajtuar çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ka qenë e udhës dhe obligim moral e kushtetues nga kryeministri Edi Rama, që para Aleksandër Vuçiqit ta trajtojë me kompetencë pozitën dhe statusin diskriminues të shqiptarëve në tri komuna që janë të administruara nga pushteti serb. Po ashtu duhet cekur se deri më tash nuk kemi pasur rast të dëgjojmë as më një fjalë për rajonin e Sanxhakut, ku në saje të politikës diskriminuese serbe, shqiptarët janë asimiluar pothuaj tërësisht, pa të drejta elementare. Kujtojmë këtu se në Libovshë të Fierit ka vite që është hapur shkolla në gjuhën serbe, e cila furnizohet me libra dhe vizitohet nga përfaqësues zyrtar të qeverisë serbe. Kemi të bëjmë me një komunitet sllavisht folës të cilët janë vendosur këtu pas Luftës së Parë Botërore. Sipas informacioneve që disponojmë, kemi të bëjmë me popullsi nga Sanxhaku, e cila me origjinë nuk është serbe, me përkatësi fetare islame dhe e asimiluar gjuhësisht.
Nëse kryeministri Edi Rama nuk ka informata të mjaftueshme në lidhje mbi pozitën dhe statusin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ka pasur mundësi të njoftohet nga Raporti i Komitetit të Helsinkit të Serbisë (15 korrik) ku renditën të gjitha problematikat me të cilat përballen shqiptarët atje, nga mosnjohja e diplomave, te pasivizimi i adresave, duke mos ngurruar ta quajë këtë spastrim etnik.
“Në mënyrë që të zvogëlohet numri i shqiptarëve që jetojnë në Jug sa më shumë të jetë e mundur, shteti po kryen procesin e ashtuquajtur “Pasivizimi i vendbanimit të shqiptarëve” që punojnë jashtë vendit, qoftë në Evropën Perëndimore ose në Kosovë. Kjo masë është, në thelb, një formë e spastrimit etnik përmes mjeteve administrative”.
Duke u rikthyer te pasivizimi që rrudhë në mënyrë artificiale numrin e shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, Raporti thekson: “Pasivizimi” (pasivizimi masiv dhe selektiv i vendbanimit) i bën individët të humbin statusin e tyre si shtetas të Serbisë dhe në përputhje me rrethanat, të gjitha të drejtat civile – të drejtat për të votuar, të drejtat për pronë, sigurim shëndetësor, pension, punësim, etj. Duke qenë se qytetarët nuk janë informuar për “pasivizimin”, ata zakonisht humbin të drejtën e tyre për ankesë, afati për të cilin është tetë ditë.
Gjithashtu, kur bëhet fjalë për përballjen me të kaluarën, është humbur mundësia për të ndjekur penalisht rastet e ekzekutimit, abuzimit, dhunës dhe rrëmbimit të civilëve në periudhën midis 1996 dhe 2002.
Sipas Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, është e nevojshme të ndalet menjëherë ky proces dhe të rivendosen të drejtat civile të shqiptarëve.
Kjo masë zbatohet ekskluzivisht për shqiptarët, dhe jo për serbët që punojnë përkohësisht jashtë vendit, ndërsa Raporti thekson se Serbia duhet tu japë shqiptarëve në Serbi të njëjtin status që kërkon për serbët në Kosovë.
Një raport i tillë në me tjerash është i mjaftueshëm për një takim të veçantë në mes dy qeverive (Shqipëri-Serbi) për të trajtuar me kompetencë çështjet diskriminuese të shqiptarëve në Luginë, ku kryeministri i Shqipërisë e ka obligim kushtetues që të kujdeset për shqiptarët jashtë kufijve politik të Shqipërisë, çështje e cila ka munguar në fokusin e politikës e diplomacisë shqiptare.

Të fundit

më të lexuarat