Ulqin – Në prani të një numri shumë të vogël qytetarësh, Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave organizoi të hënën, në sallën e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, debatin e parë publik mbi Projektligjin për zgjedhjen, përdorimin dhe ngritjen publike të simboleve kombëtare.
Në fjalën hyrëse, drejtori gjeneral i Drejtorisë për avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të popujve pakicë dhe bashkësive të tjera nacionale të pakicave pranë Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Leon Gjokaj, ka nënvizuar nevojën dhe domosdoshmërinë e hartimit të ligjit të ri për përdorimin e simboleve kombëtare.
Ai ka thënë se Ligjit për përdorimin e simboleve kombëtare në fuqi i ka kaluar koha, ndërkohë që edhe Kushtetuta e Malit të Zi, e miratuar në vitin 2007, ka mangësi në pjesën që i përket simboleve kombëtare.
Gjokaj ka theksuar se me projektligjin e ri përkufizohet qartë zgjedhja, përdorimi dhe ngritja e simboleve kombëtare, si publikisht ashtu edhe privatisht, dhe situatat ku ndalohet përdorimi i simboleve kombëtare.
Sipas tij, projektligji që është nxjerrë në diskutim publik ofron zgjidhje të mira dhe është mbështetur në modelet më të përparuara të respektimit dhe garantimit të të drejtave të pakicave.
Në këtë kuadër, ai ka vlerësuar si një arritje tjetër përcaktimin se çfarë nënkuptojmë kur flasim për “një pjesë të konsiderueshme”, duke sqaruar se përveç përdorimit të simboleve në ato zona ku popullata pakicë përbën shumicën, simbolet kombëtare do të përdoren edhe në ato zona ku pjesëmarrja e pakicës është në nivelin prej 5 për qind.
Në debat janë përfshirë disa nga të pranishmit.
Juristi Hajrullah Hajdari ka përshëndetur zgjidhjet që ofron Projektligji për zgjedhjen, përdorimin dhe ngritjen publike të simboleve kombëtare.
Ai ka thënë se tashmë me dispozitat ndëshkuese të përcaktuara me këtë projektligj nuk lejohet keqpërdorimi nga ana e pushtetit qendror dhe lokal, sidomos nga organet e punëve të brendshme.
Hajdari ka dhënë vërejtje dhe propozime në nenet 8, 10 dhe 11 të Projektligjit, që kanë të bëjnë me rastet kur dhe ku mund të ngritet flamuri, ekzekutohet himni dhe nuk mund të përdoren simbolet kombëtare.
“Kur kemi mbërritur në shkallën e avancimit të këtij ligji, mendoj se duhet ta çojmë edhe një shkallë më tej në mënyrë që të jetë i zbatueshëm dhe i vlefshëm për të gjithë shfrytëzuesit”, është shprehur ai.
Ish deputeti i Kuvendit të Malit të Zi, Muhamet Nika, ka shfaqur dyshim lidhur me përcaktimin e pjesës së konsiderueshme në masën prej 5 për qind.
Duke iu referuar statistikave zyrtare dhe regjistrimit të popullsisë, ai ka thënë se kemi të bëjmë me një zvogëlim të qëllimtë të numrit të popullsisë shqiptare në Mal të Zi.
Gazetari Ibrahim Berjashi ka shprehur keqardhje që në debatin publik nuk ishte i pranishëm ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave Mehmet Zenka, si dhe ka pyetur përfaqësuesit e kësaj ministrie se cilat janë pakicat në Mal të Zi.
Ligji për përdorimin e simboleve kombëtare në fuqi është miratuar në vitin 2000. Ai është kritikuar shpesh për shkak të karakterit të tij që më tepër ka sanksionuar sesa ka garantuar të drejtën e përdorimit të simboleve kombëtare. Mospërcaktimi i qartë në këtë ligj, duke qenë në mospërputhshmëri me ligjet tjera që rregullojnë të njëjtën materje, është bërë shpesh shkak për keqinterpretime dhe keqpërdorime.
Përpos përfaqësuesve të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, në debat publik nuk kanë marrë pjesë përfaqësues të partive politike shqiptare e as të subjekteve të tjera.
Diskutimi publik mbi Projektligjin për zgjedhjen, përdorimin dhe ngritjen publike të simboleve kombëtare ka filluar më 10 korrik dhe do të zgjasë deri më 4 shtator 2017.i. k.