Historia e një kordhe është sythi i historisë së një kutie boshe. Novela e Claudio Magris “Historia e një kordhe” më bëri përshtypje me të lexuar parathënien, ku thuhej: kozakët, një popull i vogël numerikisht, mashtrohen nga të gjithë aleatët perëndimor me premtimin e një trualli për atdheun e tyre, Kosakenland. Pasi gënjehen së pari herë nga gjermanët, në rastin e dytë lidhin aleancë me anglezët. Janë këta të fundit që, si përmbushje të pakteve ndërushtarake lindoro-perëndimore të kohës, bëjnë dorëzimin e kozakëve te Ushtria e Kuqe. Të vetëdijshëm për humbjen dhe, pas zhgënjimeve të njëpasnjëshme, kozakët, thuhet që, zgjodhën vetëvrasjen kolektive në lumin Drave si epilog të të gjithë idealizmit manovrik të tyre. Bëhet fjalë për vjeshtën e vitit 1944 dhe autori nuk pretendon të bëjë historianin përderisa jep një version të mundshëm të ngjarjes.
Historitë janë si rruazat e gjakut. Ato bëjnë më shumë se vetëm për një lëkurë, një popull apo një racë. Përfaqësojnë më shumë se një zë, një gjuhë, një periudhë kohore. Çështja është se sa merren në kohë dhe sa vlerësohen me seriozitet.
Novela nisë me zhvarrimin e atij që pretendohet të ketë qenë prijësi i kozakëve, gjeneralit Krasnov. Në përpëlitje e sipër, varrmihësit nxjerrin elemente përcjellëse mortore. Një ndër këto elemente, dorëza e kordhës, këllëfi i një arme të ftohtë luftarake. Gazetat lokale bëjnë analizën e këtij elementi, në dukje të parë të rastësishëm. Rreken të hynë në psiken e gjeneralit ditëve të fundit të jetës. Një dorezë kordhëje mund të mos thotë asgjë, aq sa mund të thotë aq shumë sa të ndërrojë rrjedhat e një kohe. “Një armë që s’mund të godasë, flamur pa regjiment, kalë pa kalorës”, kështu do ta përshkruante autori simbolikën e dorezës së kordhës. Autori e pranon të ketë hyrë në ujërat e “historianit diletant, që rindërton jo faktet por shtrembërimet e tyre.” Ideja që gjenerali mund të ishte vrarë nga partizanët rus me breshëri automatiku, përderisa po shfletonte një nga botimet e tij me titull “Të kuptosh do të thotë të falësh”, është njëra nga pistat që kërkon trajtim. Bashkëkohësit kishin treguar se si shkrimtari Krasnov, jo rrallë herë, ju përngjante personazheve të trillimeve të tij letrare – të cilët personifikoheshin me naivitete të tilla sa pretendonin që mund të paraprinin rrjedhën e historisë me dinakërinë që i karakterizonte.
Rrëfimet e gjeneralit ndaj Dom Kafaros janë një tjetër element i dramës së kozakëve. Aty veç raportit me perëndinë, shihet qartë raporti ndërnjerëzor që e karakterizon popullatën e vogël me qëllime të mëdha. Në një rast, Dom Kafaro e kupton që “gjenerali nuk e synonte aq shumë disiplinën ushtarake, por rrëmujën e armatës së tij të shprishur, në të cilën e vetmja njësi ushtarake ishte i-n-d-i-v-i-d-i kozak dhe anarkia”. Të thënat tjera që e lidhin vdekjen e gjeneralit me tradhtinë janë tjetër podium ku personazhi Pukta, i apasionuar po ashtu pas historisë dhe së vërtetës, ngre pikëpyetjet dhe konkluzat e veta. Ai në asnjë mënyrë nuk mund ta përpijë tradhtinë e anglezëve në të cilën ai sheh “hipokrizinë e qytetërimit perëndimor-të krishterë-borgjez.”
Në thelb, vepra përpiqet të përshkruajë karakterin e popullit kozak, i cili ngrihet mbi rebelimin si mënyrë jetese e frymëzim dyluftimi. “Nderi kozak kërkon gjithnjë rebelimin dhe thyerjen e çdo rregulli edhe atë të carit” aq sa i kishte shpënë kozakët drejtë një deformimi esencial mbi lirinë: “shihej te Krasnovi një lëshim i sinqertë por edhe i çoroditur drejt lirisë, që shpie drejt një skllavërie mekanike, siç ndodhë dhe me mëkatin”. Karakteri i popullit të vogël me qëllime të mëdha vihet re dhe në një nga përshkrimet autoriale të gjeneralit Krasnov: “Kozakët… në një faqe betohen për vdekje për carin, kurse në tjetrën mburren se nuk janë shërbëtorë të Moskës.” Mund të jetë kjo një nga arsyet që gjenerali iu dha këmbë e krye fashizmit sepse “fashizëm nënkupton para së gjithash paaftësi për të dalluar poetikën e së përditshmes prozë pikëlluese, kërkim i poezisë së rreme, marrëzisht emfatike”. Në parabolën e krijuar për popullin e vet, Krasnovi mëtonte të jetësonte aventurat e veta. Nuk e kuptonte dot “Mesjetën e egër feudale” dhe nuk e kishte “përulësinë objektive të kuptonte që koha e tij ka perënduar”. Lexuesit thonin që në disa nga veprat e Krasnovit vihen re disa të vërteta të fshehura me fanatizëm si ajo se “përpara Zotit të gjithë janë të barabartë, mbreti e bariu, i krishteri e pagani.”
Fundi i gjeneralit Krasnov, këtij personazhi iluziv, megjithatë merr përmasa njerëzore. Autori rreket të cekë se pikërisht mashtrimet pompoze dhe vetëmashtrimet i japin Krasnovit elementin njerëzor dhe shpirtëror: “Biri i Evës që kthehet në tokë dhe i ofron asaj kordhën me të cilën e kishte vrarë”.
Nuk përmenden mesazhe të shumta nga libri i Krasnovit me titull “Të kuptosh do të thotë të falësh”, por mjafton të ceket diçka që përshkruhet shkarazi në një rast: Historia përsëritë vetveten.
“Gjenerali i madh i një ushtrie të vogël”, do të mund të ishte përfundimi, aq sa do të mund të ishte titulli alternativ i veprës në fjalë. Prijataria dhe disfata janë dy esencat e kësaj novele që pikëtakohen në një anti-esencë: dorezën e një kordheje. Do të mund të përdorej një metaforë ambientaliste po ashtu: në kërkim të gjurmëve të jetës nisur nga ambalazhet.
Një vepër e tillë, në radhë të parë, vë në dukje flashkësinë e popujve të vegjël, por në anën tjetër edhe mizorinë e kombeve të mëdha. Ndjesia e dobësisë, si anëtar i një populli të vogël në Ballkan, gati-gati barazohet me ndjesinë e fuqisë mizore të një lindori a perëndimori diku në Europë a gjetiu. Ky është raporti i parë, mbase raporti bazë i kësaj vepre ku raportet përthyhen nën efektin domino.
Raporti me kohën është një tjetër raport esencial. Raporti me historinë. Raporti me vërtetësinë. Raporti ndërnjerëzor. Raporti ndërbashkatdhetar. Raporti ndërushtarak. Raporti krijues dhe intelektual. Raporti religjioz.
Psikologjia e popujve të vegjël është një tjetër dritare ku autori merr dhe ngre qepenat. A kemi të bëjmë me një prapambeturi apo me një shantazh ndaj popujve të vegjël në numër nga kombet fuqimëdha të rruzullit!? Kush e luan dhe kush e mishëron në këtë rast idiotin!? Paravija e parë, që mund t’iu mëveshët gjithçka prej faji më të vegjëlve, ndryshon për 360 shkallë në një rast mendimi më të thellë.
Cila është arsyeja e zhdukjes së shumë popujve në botë?
Fatet e popujve të vegjël kalojnë nëpër dyert e tragjedive të mëdha – merr tiparet e një maksime në këtë rast. Por, sa mund të quhet i vogël një popull që i ka dhënë botës Nënën Terezë, ndër të tjera e të tjerë!? A shembët si kështjellë prej rëre kandari me njësitë e veta matëse mbi popujt apo kombet nëse thirremi në këta citate!?
Si do të mund të lexohej një vepër e tillë në Ballkan, në gadishullin e popujve të vegjël!? Sa janë konfliktet e shumta në Ballkan pararaunde të luftërave të mëdha që i mëtojnë fuqitë e mëdha!? A janë të gjitha aleancat e popujve ballkanase me dyert e mëdha thjeshtë dhe vetëm të natyrës ekzistencialiste, në kuptimin e të fituarit edhe sa do pak kohë!? A nënkupton monodominimi i tërësisë së këtij gadishulli përmbushjen e kriterit për një njësi të vetme, kësisoj të madhe, që më tutje nuk lidhë aleanca por krijon raporte!? A mund të ishte kjo njësia ku lindja dhe perëndimi përafrohen apo thyhen!?
Ushtritë e vogla kanë gjeneralë të mëdhenj!? E kundërta për ushtritë e mëdha!? Popujt e vegjël së paku diçka të madhe duhet të disponojnë. Dhe i kanë ata, kryegjeneralët, kryeprijësit. Sepse, gjeneralë dhe prijës kanë, në çdo lagje po e po, në çdo fqinjësi po ashtu. Në këtë mënyrë, popujt vegjël e mbysin karizmen dhe e trashin thashethemnajën. Përderisa për secilin – secili di një ngjarje, doemos që, nëse jo një – dy e më shumë ngjarje nisin të bëjnë historinë, historinë diletante me çorape mishi. Shkrimi, gjegjësisht dokumentimi i të kaluarës është një tjetër përvuajtje e kombeve të vegjël. Për sa kohë nuk ekziston studimi dhe dokumentimi secili ka të drejtë dhe nisur nga prirja e “syrit të lagjes” secili ka të drejtë të shkruajë versionin e vet, secili ka të drejtë “të luajë” me historinë duke besuar “rëngën kozake” se historia mund të dhelpërohet ose gjarpërohet. Dhe në këtë rast, edhe nëse historia e ndonjërit merr çmimin Nobel, në asnjë rast nuk mund të shpallet për histori kombëtare, por mund të bëhet thjeshtë një faqe e saj.
Në frymën e novelës “Historia e një kordhe”, shqiptarët (dhe popujt e tjerë të Ballkanit) mbesin një popull i vogël nëpër rrjedhat e historisë. Për më shumë, një komb i vogël që ka dhënë shumë e shumë prijës të mëdhenj. Biles, në elementin e veprës në fjalë, mbeten një popull prijësish aq të shumtë sa edhe në shekullin e 21-të kanë plot prijës pa varre, plot varre pa prijësa, plot prijësa të paatdhesuar dhe plot atdhetarë pa një kurorë te koka. Në frymën e veprës, a do të mund ta paramendonim zhvarrimin e këtyre prijësve nëpër kohë me qëllimin e retushimit të historisë si peng i amullisë dhe anarkisë, nisur pikë së pari nga mirënjohja e lavdia që të gjithë prijësit të prehen në vatanin e tyre, në ballin e një kodre historike!? Por cili do të ishte këllëfi prej ku do të mund të nisej rrëfimi për secilin nga ta!?
Prej një perspektive futuriste, shqiptarët edhe sot janë një oazë prijësish ku anti-esenca e dominon esencën. Nisur nga kjo, cili do të mund të ishte ambalazhi që do të mund të përshkruante jetën e një prijatari të sotëm pas më shumë se pesëdhjetë vitesh!? A do të mund të ishte “një kuti”, analoge e dorezës së gjeneralit Krasnov!? Kur them kuti, e kam fjalën për kutinë e votimit, meqenëse ajo mbetet arma “e ngrohtë” e këtyre dekadave. Një kuti pa fletëvotime (të parapaguara dhe të paracaktuara), a nuk është një armë që s’mund të godasë – “një flamur pa regjiment”!? A mund të përbëjë “një kuti boshe” atë përulësinë objektive dhe rikthimin e prijësve të kohës te njeriu dhe te Zoti!?
Madam Eva, fjala për Ju.
Me këtë rast si vetëtimë më hapet një narrativë vizatimore: një prijës “modern” shqiptar që sfidon “boshin” dhe në vend të dheut të tokës amë kërkon të prehet poshtë fletëvotimeve PRO ndaj tij. Natyrisht, prijësi duhet të jetë prej atyre të rrallëve, sepse regjimenti i fletëvotimeve duhet të jetë aq i madh dhe aq i rëndë sa t’i rezistojë furtunës së qiellit, dheut të tokës dhe trandjes së kohës. Në këtë mënyrë, a do të mund të ishte ky një personazh de-novo në Ballkan, një kalorës me regjiment, pa kalë dhe pa flamur. Gjithsesi, siç e thotë edhe mbrojtësi i gjeneralit Krasnov, një prijës e njeh më së miri popullin e vet dhe demokracia sikur mëton t’i ndryshojë prijësit sa herë që këta të fundit harrojnë tiparet e popullit të vet. E kundërta ndodhë me diktaturat, ku prijësit tentojn ta ndryshojë popullin. Është vendi që e bën kuvendin dhe jo anasjelltas. Këtë duhet ta kemi para sysh sa herë gajasemi prej të përzgjedhurve tanë – në fakt ne qeshim me vetveten, qeshim me fatin tonë që, duke mos pasur vullnetin dhe bagazhin ta ndryshojmë, e përqeshim dhe përbuzim si “rrushi i papjekur”. Ka diçka për të ndryshuar sa herë që ka diçka që nuk na pëlqen, te rrethi – te vetja, dhe jemi ne dhe koha që duhet ta dëshmojmë se diçka të tillë e kemi përnjëmend.
Historia e një kutie boshe merr shkas nga “Historia e një kordhe”, rrëfimi i kryepersonazhit të së cilës merr kthesë nga mbishkrimi jo vetëm religjioz: “Assisuo labuntur tempora motu” (Koha ikën pa pushim), kurse prekë pikun e secilit rrëfim njerëzor me thënien e kryepersonazhit të saj: “Historia përsëritë vetveten”. A mund të themi që për sa kohë historia përsëritë vetveten, koha ikë e vjen pa pushim. A nuk mjafton kaq për të mësuar se, paktin duhet lidhur me kohën, kurse me njeriun (e madh a te vogël) duhet krijuar thjeshtë dhe vetëm raporte dinjitoze. Sepse, bota është plot e përplot me të vegjël dhe në këto kohë krizash, kriza e radhës me pretekstin e një rripi toke do të mund të ishte: për një lumë Drave më shumë. Sepse, bota është plot e përplot me të mëdhenj dhe në këto kohë krizash, kriza e radhës me pretekstin e një rripi toke do të mund të jetë: për një det Drave më shumë.