Mërgimtari nga Kraja

Rrëfimi 1 – Fejesa
Harisi u njoh në Nju Jork me Maidën. Ishte duke ndjekur mësimet në një kolegj për sportin, sepse luante basketboll. Pas tri vjetësh, familja e Salë Marisenit u kthye në vendlindje dhe në Ulqin. Dashuria e lindur në Amerikë, vazhdoi…
Para disa ditësh ishte ceremonia e fejesës së Harisit dhe Maidës. Isha në krye të grupit të familjes Karamanaga për të dërguar shenjat e fejesës. Në një moment kërkova që të ndalet muzika dhe fola:
“Jam dr. Gani Karamanaga, vëllau i të ndjerit Ruzhdiut, i cili tash nji vit nuk është ma në mesin tonë. Në emër të Luanit, Budijes, Edinës dhe Besimit uroj miqësinë e re ndërmjet familjeve Karamanaga dhe Mariseni. Vajza juaj Maida, së shpejti do të bahet nusja jonë. Për këtë rast ia uroj fejesën me kangën ‘Tri vjet si u deshtëm bashkë’”.
Pasi u këndua kënga, m’u afrua Sala, babai i Maidës, dhe më tha:
“Unë kam mendu se kta njihen vetëm dy muj!”
Iu përgjigja: “Edhe unë në kohën teme jam dasht me grun teme tri vjet. Baba dhe nana marrin vesht të fundit”.

Rrëfimi 2
Salë Mariseni shprehet: “Jam i lindun në Brisk të Krajës, aty ku ka jetu edhe Gjon Buzuku, autori i ‘Mesharit’, librës së parë shqipe”.
Ndërhyra: “Në vitin 2005, së bashku me Prof. dr. Simë Dobrecin organizuam Simpoziumin për Mesharin e Dom Gjon Buzukut. Ishin të pranishëm studiues nga Shqipnia, Kosova dhe Ulqini. Të gjitha materialet u botuan në revistën ‘Dija’”.
Sala vazhdoi: “Shkollën fillore tetëvjeçare e përfundova në Ostros e Gjimnazin në Ulqin. Pas nji kohe emigrum familjarisht në Nju Jork. Nji koh’ kena ndejtë te bashkvendasit tonë, e masanej u punësum dhe u ngritëm në kamt e veta. Atje krijova edhe familjen: lindi djali dhe vajza”.
Pasi pushon pak, me nostalgji vazhdon: “Tan kohën kena punua, por mendja na ka ndejt gjithmonë te vendlindja dhe atdheu jonë. Në shpinë tonë kena folë vetëm shqip”.

Rrëfimi 3 – Kthimi në vendlindje
Salë Mariseni u kthye në Brisk, në Krajë dhe e rindërtoi shtëpinë e vjetër, por bleu edhe në Gjerana të Ulqinit një truall të madh, ku ndërtoi shtëpi me hotel, dhe një sallë sportive për futboll të vogël.
Në vazhdim thotë: “Nuk asht gabim me emigrua për me punua, por duhet me u kthye në vendlindje”.
Mst:

Rrëfimi 4 – Dialogu për Krajën
Gani Karamanaga: “Në vitin 1971 isha në vaksinim në tërë komunën e Tivarit dhe Ulqinit, ishim edhe në Krajë. Më kujtohet plazhi i bukur në Muriqin e Poshtëm. Ishte fillimi i verës, notova prej plazhit deri në ishullin në liqe”.
Salë Mariseni: “Po, Muriqi i Poshtëm është shumë i bukur. Në Muriqin Nalt është xhamia më e vjetër në Krajë”.
Gani Karamanaga: “Atëherë Kraja ka pas rreth 4 000 banorë, sot nuk di a i ka 1000”.
Salë Mariseni: “Po, i ka 1 000. Me vllaun tim kemi shpërnda 1 000 somuna në kohen e Ramazanit”.

Edina Resulbegu, profesoreshë e gjuhës angleze, koordinatore e kuzhinës popullore, thotë: “Salë Mariseni ka dhuruar vjet 1 000 € për Kuzhinën popullore”.
Senada Cungu – Llunji i tha Salës: “Ne kemi mësuar në gjimnaz bashkë, por atëherë ke pas flok më tepër se tesh”.
Për fund: Salë Mariseni, i lindur në Brisk të Krajës, mërgimtar në SHBA, e ruajti shqipen dhe kombin shqiptar. U kthye në vendlindje duke jetuar me familje në trevat shqiptare.

Gani Karamanaga

Të fundit

më të lexuarat