Dita Balidemaj shpallet “Miss Xhubleta 2023”

Shaban Hasangjekaj

Xhubleta e Malesisë së Madhe, pjesë e veshjes kombëtare shqiptare të grave (femrave) të kësaj treve madhështore, vrullshëm po merr vendin e saj të nderit me bukurinë dhe hijeshinë që ka shekuj me radhë, duke u vënë përkrah katër veshjeve më të vjetra të botës nën mbrojtjen e UNESCO-s – thuhet në shënimin me shkrim të portalit “Plava e Gucia sot”.
Tashmë Malësia e Madhe me dinjitet dhe përkushtim po rikthen traditën e bukur të Logut dhe në kuadër të vitit të Xhubletës po organizon evente dhe spektakle ku krahas bukurisë dhe hijeshisë së vashave malësore, po ekspozon dhe prezanton edhe Xhubletën autentike të Alpeve Shqiptare, e në veçanti të Malësisë së Madhe – konfirmohet në vazhdimin e tekstit të shënimit në fjalë.
I tillë ishte edhe spektakli “MISS XHUBLETA”, i cili u mbajt në Tuz të Malësisë më 25 gusht 2023 dhe kishte karakter garues, ku konkurruan 13 vasha nga mbarë Malësia e Madhe, me ç ‘rast, siç thuhet në vazhdën e tekstit të shënimit, nga spektatorët e pranishëm, skena u ndez dhe rrezatoi me bukurinë e zanave të Malësisë, ku nën petkun e vjetër katërmijë vjeçar të xhubletës, ato ngjanin si mbretëresha.
Si zakonisht, në çdo spektakël të tipit garues ka një fitues/e, e në këtë spektakël fituese është vasha bukuroshe me numër 11 nga fshati Martinaj i Komunës së Gucisë, Dita Balidemaj, e cila sjelli bukurinë e Bjeshkëve të Krahinës së Plavë-Gucisë, pra, “MISS XHUBLETA 2023” shpallet Dita Balidemaj, e cila pak dit më parë u shpall “SHTOJZOVALLJA E BJESHKËVE” në Manifestimin “Logu i Bjeshkëve 2023”, i cili është mbajtur në Predelec të Kelmendit, e veshur me rroba të kostumografisë kombëtare shqiptare të grave të Krahinës së Plavë-Gucisë.
Dita Balidemaj u lind më 20 mars të vitit 2006 në fshatin Martinaj të Komunës së Gucisë, nga i ati Qamil Jashar Balidemaj dhe e ëma Sadete Gjonbalaj – Balidemaj. Është nxënëse e klasës së tretë të Shkollës së Mesme të Përzier “Beqo Bashiq” në Plavë – drejtimi gjimnazi i përgjithshëm. E shkëlqyeshme në mësime, e sjellshme, e shkathtë dhe aktiviste e shumë aktiviteteve të lira në shkollë dhe jashtë saj. Rrjedh nga familja tipike tradicionale shqiptare me ndjenja të zjarrta atdhedashurie me prejardhje të kamotshme nga Selca e Kelmendit. Pra, xhubleta që Dita veshi me aq dashuri dhe krenari, shkëlqeu në spektaklin “MISS XHUBLETA”, është veshja e të parëve të saj, andaj ajo u ndie aq e lumtur dhe krenare që fitoi çmimin e parë të këtij evenimenti vërtet madhështor të cilin e organizoi këngëtari i mirënjohur shqiptar nga Malësia e Madhe Nikollë Nikprelaj me të birin e vet Arbenin.

Të fundit

më të lexuarat