Radio si komunikim i dobishëm

UNESCO: “Radio po fillon shekullin e saj të dytë të shërbimit, si njëra prej formave më të besueshme dhe më të përdorura të medias në botë... Në epokën e inteligjencës artificiale, krahas rrjeteve sociale të kudogjendura, radioja cilësore është ende universale dhe popullore”

Për Koha javore: Gjylie Rexha

Në mbi një shekull histori, radio është rritur në çdo transformim të pashmangshëm nga teknologjitë e reja. Ajo ka lindur si zbulim teknologjik e jo si përmbajtje, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, kur mendja njerëzore nuk mund të mendonte komunikimin në distancë, pa letra, pa postë, pa tela. Radio është zë që kapërcen distancat duke shfrytëzuar valët (frekuencat), që syri nuk i sheh, kurse mendjet vizionare ia shtuan periudhës së Revolucionit Teknologjik.

Nga teknologji në media masive
E thjeshtë, e lehtë, e përshtatshme, e dobishme, ajo gradualisht depërtoi te masat e gjera të audiencave, për t’u bërë media e dytë masive, në periudhën kur gazetat, në vendet më të zhvilluara, po kalonin atë që njihet si “periudha e artë” për to. Si media e re në dekadat e para të shekullit XX, ajo nuk i rrezikoi gazetat. Përkundrazi, dëshmoi se një media e re dhe një tjetër më e vjetër, mund të ndihmojnë njëra-tjetrën për të arritur masat, që si të vetme nuk mund t’i arrijnë. Ajo që nuk mund të ndiqej në radio, me pak durim dhe pritje, mund të gjendej në gazetë, edhe më e plotë. Atje ku gazeta nuk arrinte, shpesh për shkaqe objektive të mungesës së infrastrukturës, arrinin valët e padukshme të radios. Ata të cilët nuk mund të lexonin gazetën, sepse nuk dinin shkrim-lexim, i arrinte radio me karakteristikën unike si media për veshin. Mjaftonte të fliste në gjuhën që masa e kuptonte dhe mjaftonte që njerëzit të kishin mundësi të blenin një aparat të thjeshtë, që ka shkuar duke u zvogëluar dhe ta vendosnin shpesh e sidomos në kuzhinë. Prej aty, ajo shpërndante përmbajtjen që mund të përcaktonte oraret ditore, të ndikonte mbi bindjet për ngjarjet që rrëfente, të ndihmonte përhapjen e kulturës popullore apo të zhvillonte stile jetese.
Në historinë e tyre, vendet e ndryshme kanë shkruar me dinamika të ndryshme zhvillimin e radios, në varësi të kushteve shoqërore, politike, ekonomike, kulturore. Në periudhat e errëta të historisë, ajo është parë edhe si tellall që përcjell politikat e urrejtjes dhe nxit masat për mbështetjen e tyre. Por, në vendet më të zhvilluara, radio është zhvilluar si pjesë e pazëvendësueshme në procesin e demokratizimit. Ndër shqiptarë, radio është zhvilluar më ngadalë dhe ka kaluar fatin e mediave të centralizuara, në varësi të sistemeve politike dhe po kalon atë të peripecive në tregun e mediave në vendet me tranzicion të zgjatur.

Jashtë kuzhine, në rrjet
Simbolikisht thënë, dekadat e Revolucionit Digjital e kanë nxjerrë përfundimisht jashtë kuzhine, radion si media masive. Por, duke e drejtuar kah rrjeti i gjerë i Epokës së Informacionit, i kanë dhënë krahë të rinj, me të cilët ajo arrin lartësitë dhe gjen audiencat gjithnjë e më të shpërndara. Këtë e bën me aftësinë e kthimit në dobinë e saj të çfarëdo teknologjie të re, për çfarë disa studiues madje e kanë krahasuar me Hirushen e përrallave. Radio nuk i lidh më audiencat as për kuzhinën, as për mjediset e tjera të mbyllura, por shkon pas lëvizjeve të tyre nëpër rrjetin botëror të internetit.
Studiuesit dhe organizatat botërore e konsiderojnë si media të dobishme dhe të domosdoshme edhe në mjediset mediatike të shekullit XXI. Organizata e Kombeve të Bashkuara vlerëson se në epokën e shpejtësisë marramendëse të risive teknologjike, radio po fillon shekullin e dytë të shërbimit, si njëra prej formave më të besueshme dhe më të përdorura të medias në botë. Për agjencinë e organizatës botërore, UNESCO (UNESKO), në epokën e inteligjencës artificiale, krahas rrjeteve sociale të kudogjendura, radioja cilësore është ende universale dhe popullore. Këtë vit, UNESKO, përshëndet punën dhe përkushtimin e njerëzve të radios për të ardhmen e planetit, në periudhën vendimtare për realizimin e objektivave ndërkombëtare nga Marrëveshja e Parisit.

Kahet e zërit të fuqizuar
Për mbi një shekull, disa vite janë pak. Për radion ndër shqiptarë, ato mund të llogariten edhe me ndonjë dekadë, por prapë në historinë që vazhdon të shkruhet, do të jenë faqe a ndonjë kapitull. Shumë prej radiove në shqip, tashmë e kanë kaluar pjesën më të vështirë të rrugës në përshtatjen e domosdoshme në Epokën e Informacionit. Periudha e kapërcimit të pragut të mbijetesës, i ka lënë vendin asaj të kërkimit të identitetit në rrjet dhe mësimin për jetesën me format e reja të përmbajtjes dhe shpërndarjes së saj. Studimet na dëshmojnë se në shumë raste radiostacionet nuk arrijnë të përshtaten si pasojë e mosnjohjes, moszbatimit të strategjive për ndjekjen e kategorive të audiencave të synuara, mungesës së vullnetit për investime në forma të përmbajtjes risimtare, apo në teknologji të reja. Mirëpo, kahen e përgjithshme e përcaktojnë ato projekte a kompani, që do të jetojnë më gjatë dhe do të veçohen për cilësi përmbajtjesore. Si të tillë, edhe ndër shqiptarë, radion do ta gjejmë në formatet që ndërthurin karakteristikat tradicionale unike të fuqisë së depërtimit të zërit dhe zotësisë për komunikimin e dobishëm, me format e reja për shpërndarjen e përmbajtjes dhe funksionimit si multimedia, apo në kuadër të kompanive multimediatike.

Të fundit

më të lexuarat