![](https://kohajavore.me/wp-content/uploads/2016/08/ali-salaj.jpg)
Përmes disa burimeve të sigurta kuptova se përfaqësuesit e Radio Televizionit të Malit të Zi, të shoqëruar nga zyrtarët vendorë të Ulqinit, po bëjnë përpjekje që Radio (Televizionin) e Ulqinit ta shndërrojnë në një studio të tyre duke e mbyllur përfundimisht këtë media lokale. Në këtë mision është përfshirë drejtpërdrejt drejtori i TVMZ, Boris Raoniq, i cili nga shoqëria civile katapultoi si drejtor i përgjithshëm në median publike më të rëndësishme në Mal të Zi.
Pse u krijua ky vakum që mbyllja e një radioje lokale nuk paraqet më lajm dhe as shqetësim për qytetarët e Ulqinit? A është realiteti në këtë vend pasqyrim i mediave në gjuhën shqipe, të cilat as për së afërmi nuk e luajnë rolin e vet?!
Në harkun kohor prej gati katër dekadash, Radio Ulqini u përball me probleme të shumta financiare dhe organizative. U mbyt në batakun e menaxhimit të dobët, ku mungoi gazetaria profesionale dhe një skemë me përmbajtje bashkëkohore programore. Me shpejtësi u shndërrua në një studio partiake duke u përqendruar në publikimin e kumtesave dhe në raportime të shtirura që nuk kanë dobi për publikun. Dëgjuesit nuk kishin qasje në informacione të besueshme dhe të vërteta. Radio Ulqini nuk arriti të rimëkëmbet dhe të shfrytëzojë plotësisht mundësitë e transformimit digjital dhe të mbështesë më tej pluralizmin mediatik.
Kësisoj qytetarët u privuan nga informacionet e rëndësishme që ndikojnë në cilësinë e jetës në nivel lokal, prandaj ata nuk e vlerësuan radion si një transmetim lokal publik.
Në anën tjetër, me Ligjin për mediat elektronike pushteti vendor edhe pse kishte detyrim financimin dhe zhvillimin e radios, favorizoi një media private (TV Teuta) duke derdhur me qindra mijëra euro për transmetimin e seancave të Kuvendit vendor, për marketing ose për debatet zgjedhore partiake.
Duke vepruar në këtë mënyrë përfaqësuesit politikë e degraduan të vetmen media lokale duke bërë përpjekje për ta lënë me qëllim në batakun e krijuar. Edhe ndaj përpjekjeve serioze për ta shndërruar këtë radio në televizion (kur u gjetën donatorët, u përpilua elaborati me të gjitha elementet për ndërtimin e televizionit), një grupim politik por edhe një pjesë e stafit të kësaj media e kundërshtuan këtë ide duke bërë një fushatë në opinion dhe në një portal partiak të asaj kohe “Lajm.me”.
Prandaj shndërrimi i radios lokale në një studio për televizionin qendror të Malit të Zi do të ishte shembulli më i keq dhe unik për një komunitet, të cilit siç duket i mungon kultura mediatike. Pa media lokale nuk mund të kemi një shoqëri vërtet demokratike, pasi vetëm këto media nxisin angazhimin qytetar dhe parashtrimin e kërkesave dhe të kritikave. Po ashtu mediat lokale krijojnë ndjesinë e përkatësisë, sepse mediat qendrore, siç është RTMZ, kurrë nuk kanë interes t’i përpunojnë informacionet me rëndësi të veçantë për komunitetin lokal. Është shumë e nevojshme të kemi media të lira, të pavarura, lokale, sepse ato e ruajnë rrënjësisht demokracinë dhe janë më pak të ndjeshme ndaj ndikimit të pushtetit qendror. Në vendet më të zhvilluara, janë mediat lokale ato që lexohen, dëgjohen dhe shikohen më shumë.
Në Mal të Zi ka me dhjetëra media lokale, të cilat janë transformuar dhe po luajnë një rol të rëndësishëm në informimin e publikut. Ata e kanë kuptuar se në procesin e integrimit evropian kërkohet që mediat të jenë të lira duke përfshirë këtu edhe mediat lokale. Dhe në këtë situatë ata do të kenë përfitime të jashtëzakonshme nga ky proces.
Ndërkohë mediat në gjuhën shqipe në vazhdimësi po degradohen. Kështu para shumë vitesh u mbyll shtojca në gjuhën shqipe “Polis”, që ishte një segment i rëndësishëm informativ për banorët e Malësisë. Dhe si kompensim zyrtarët e Podgoricës premtuan se në Tuz do të hapnin një radio lokale, ku ky premtim nuk u realizua asnjëherë. Është e çuditshme dhe e pakuptueshme se sa lehtë përfaqësuesit politikë të shqiptarëve heqin dorë nga mediat në gjuhën e pakicave. Shndërrimi i Radio Ulqinit në studio të RTMZ do të ishte një gabim i radhës që do të rrezikonte informimin e mirëfilltë dhe do të ndikonte negativisht në identitetin kombëtar, gjuhësor dhe kulturor të qytetarëve në Komunën e Ulqinit.