
1.
Libri “Në prehër të jetës së re”, i botuar në vitin 1976 në Titograd (Podgorica e sotme), ishte doracaku i parë për nxënësit e shkollës fillore me mësim në gjuhën shqipe në Malin e Zi dhe ndër librat e parë (në mos i pari) botuar në gjuhën shqipe në Malin e Zi. Si autorë të librit figurojnë emrat e katër personaliteteve të njohura në fushën e arsimit, kulturës dhe atë shoqërore në republikën më të vogël të Jugosllavisë së atëhershme, por në fakt ata janë më tepër si redaktorë, sepse numri i autorëve të teksteve të përfshira është i konsiderueshëm.
Ka kaluar gati një gjysmë shekulli prej atëherë dhe libri në fjalë meriton të nxirret nga rafti i botimeve të harruara, jo për t’i bërë gjyqin librit as autorëve, as për të thënë se ne sot jemi më të mirë sesa ishin ata dikur, sepse si ata dikur ashtu edhe ne sot jemi brenda kornizave të kontekstit apo gjendjes politiko-shoqërore të kohës, por për ta nxjerrë nga arka e librave të harruar dhe për t’ia fshirë pluhurin duke ia bërë të njohur lexuesve të sotëm, disa prej të cilëve ma merr mendja as nuk kanë dëgjuar për të. E kaluara duhet njohur e tillë çfarë ishte, pa retushime dhe zbukurime të panevojshme. Faktet e së kaluarës, na pëlqen apo jo, janë pjesë e rrugëtimit tonë në kohë (ai që ecën rrugës me baltë nuk mund të mbajë këpucë të pastra) dhe, rrjedhimisht, kanë vendin e vet në memorien tonë kolektive.
2.
Në tekstin hyrës, pa titull, nënshkruar nga “autorët”, thuhet se është një “tekst ndihmës i cili u jep mundësi nxënësve dhe të tjerëve që të njoftohen më gjerësisht me vendlindjen e vet dhe t’i zgjerojnë dituritë nga grupi i lëndëve gjuhësore-shoqërore, duke filluar nga klasa e tretë e deri në klasën e tetë”. (Në prehër të jetës së re: 1976:5).
Materialet e librit janë organizuar në tri pjesë, që, siç thonë vetë autorët, nënkuptojnë tri grupmosha (apo cikle shkollore): I. për klasën e tretë dhe të katërtën, II. për të pestën dhe të gjashtën, dhe III. për të shtatën dhe të tetën.
Praktika e asaj kohe ishte, që në fillim të librit shkollor, madje para vetë fjalëve hyrëse të vendosej fotografia e prijësit komunist, Josip Broz Titos – në këtë rast një pikturë e Titos në uniformën ushtarake, vepër e piktorit Gjorgje Andrejeviq – Kun.
3.
Pjesa e parë titullohet “Rreze e dritë”. Ajo përmban 12 tekste letrare në vargje (9 autoriale, 3 popullore) dhe 27 tekste në prozë (6 letrare, 21 joletrare). Te poezitë autoriale mbizotëron motivi i vendlindjes (Vendlindjes, Deti, Ulqini është vendlindja ime, Fshati im, Vendi im, Prrocka e vogël, Në Malësi) dhe kulti i udhëheqësit të shtetit i gërshetuar me realitetin socialist (Titos, Titogradit, Marshal Tito), por edhe një poezi që për motiv ka lojën “Letra Kokones”, dhe një këngë popullore e djepit “Nina nana, more bir”.
Disa nga autorët e poezive pastaj (e deri sot) janë emra të njohur (Qerim Ujkani, Ibrahim Berjashi, Idriz Ulaj), disa deri diku të njohur (Behram Hoti, Mejreme Maraj), kurse autorët e tjerë të poezive të përfshira në pjesën e parë (Teuta Mavriqi, Met Shabaj, Jakup Çitaku, Lule Dinaj), sot vështirë të njihen si poetë edhe për studiuesit më të mirinformuar.
Te këngët popullore ka disa mangësi ose lëshime metodologjike, p.sh. mungojnë të dhënat për këngën “Titogradi”: kush e këndoi, kush dhe kur e shënoi, a është këngë origjinale në gjuhën shqipe apo, siç duket në bazë të ndërtimeve sintaksore jotipike për të folmen e Malësisë – në gjuhën e unifikuar (“ka qenë”, “do ta ndërtojë”, “do ta kremtojë” etj.), apo bëhet fjalë për një përkthim nga gjuha sllave?! Po qe se është përkthim, mungon emri i përkthyesit.
Tekstet në prozë, në pjesën e parë, janë dy llojesh – letrare dhe joletrare.
Tekste të mirëfillta letrare janë prozat: “Tonet e violinës” (Milenko Ratkoviq), “Gjonja e parë” (Hajro Ulqinaku), “Para depos së misrit” (Migjeni), “Bujaria e Nur Dokës” (Zuvdija Hoxhiq), “Në Bjeshkë të Nemuna” (Idriz Ulaj), “Baba i Gencit detar” (Hajro Ulqinaku).
Krijimtaria e shkrimtarit serbo-malazias Mark Milanit (Marko Miljanov) zakonisht lexohet dhe studiohet në kuadrin e letërsisë: tregimet e tij, që përngjajnë mjaft në tregime (anekdota) popullore, mund të klasifikohen si një zhanër miks apo kufitar, meqenëse krahas shtresës letrare kanë edhe veçori të materialeve historiko-etnografike. Në këtë pjesë të doracakut jepen tri proza të shkurtra të Mark Milanit: “Trimëria e një nëne”, “Mikpritja shqiptare” dhe “Lekë Ivani dhe Ristoja i Bozhinës”. Nga krijimtaria e Mark Milanit, në librin në fjalë, janë përfshirë gjashtë tregime dhe një letër. Për lexuesin shqiptar është veçanërisht provokuese letra, në të cilën “vojvoda” i Kuçit i shkruan njëfarë Tomos që nëse vjen i deleguari i mbretit të Austrisë për t’i ofruar Markut titullin e princit të Shqipërisë: “pritnje mirë si të deleguarin e mbretit dhe armikun serb. Jepjani njëqind dajakë”. Ismail Doda, në tekstin “Mark Milani dhe shqiptarët” këtë mospranim të prijësit të Kuçit e shpjegon se Marku propozimin apo kërkesën e Austrisë e kuptonte si përpjekje të Vjenës që “të turbullonte marrëdhëniet mes popujve fqinj”.
Në këtë pjesë gjenden edhe njëmbëdhjetë gjëegjëza të mbledhura në Malësi nga Gjergj Gjokaj dhe njëzet e tri proverba dhe një tregim popullor shënuar nga Fran Lulgjuraj.
Tekstet joletrare janë kryesisht prezantime të qyteteve dhe krahinave ku jetojnë me shumicë shqiptarët në Malin e Zi. Gjergj Gjokaj paraqitet si autor i teksteve “Vuthajt”, “Në shpatet e Rumisë”, “Rozhaja”; Mirash Gojçaj është autor i teksteve “Plava” dhe “Bukuritë natyrore të Malësisë”; Janko Gjonoviq është autor i tekstit “Rrëzë Bjeshkëve të Nemna”, kurse Lucë Lucaj i tekstit “Titogradi”.
Libri përmban edhe disa tekste joletrare – artikuj informativo-propagandistikë: “Kryengritja e 13 Korrikut” (pa autor), “Kriporja e Ulqinit” (Dushko Shqekiq), “Fshati i ri malësor” (Fran Lulgjuraj), “Vumë lule para bustës së një heroi” (Vildane Dibra), “Ikja nga burgu i Burrelit” (pa autor), “Arsimimi në trevat e Malësisë” (Gjergj Berisha), “Një vepër madhështore” (Gjergj Gjokaj)… Gjergj Berisha del edhe si autor i disa skicave historiko-legjendare: “Porosia e Vuksan Gelës”, “Gruaja ilire”, “Tregimi i gjyshes”, diçka e zakonshme për atë kohë.
4.
Pjesa e dytë fillon me një parullë-deklaratë relativisht të gjatë për të kaluarën e lavdishme. Kjo pjesë përmban 16 njësi letrare (12 vjersha dhe 4 tregime) dhe 17 tekste joletrare. Për nxënësit e interesuar ofrohen edhe disa proverba dhe gjëegjëza të tjera.
Edhe te poezitë e pjesës së dytë mbizotëron motivi i vendlindjes dhe atdheut (vjershat “Popullit tim” dhe “Atdheu” të Esad Mekulit alias Sat Nokshiqit, “Fshatarja ime” e Ibrahim Berjashit, “Vargu im Buenës bredh në Shtoj” nga Rrustem Berisha, “Mbrëmja në bregdet” e Shaban Osmanajt”), dy poezi me motive historiko-patriotike (“Arbreshëve të Zarës” nga Shaban Osmanaj, “Hija e dallëndyshes” e Gojko Dapçeviqit), pastaj vjersha me motive përshkruese të trimërisë dhe liridashjes së malësorëve (“Malësorëve” nga Lubomir S. Petroviq), kurse një poezi për motiv ka të ashtuquajturën luftë nacional-çlirimtare në Shqipëri (“Kënga e tre heronjve të Shkodrës” nga Kolë Jakova). Nuk mungon as një fragment (prej 14 vargjesh) nga “Kurora e maleve” e Petar Petroviq Njegoshit, përkthyer nga Gjergj Gjokaj. Nga dy këngët popullore në këtë pjesë të librit, njëra është përkthim i këngës popullore malazeze “Beteja në Fundëna”, kurse tjetra kënga shqiptare “Hysen Reizi” – në të dytën bëhet fjalë për disa detarë ulqinakë të rënë në luftën kundër “Francës”.
Janë gjithsej pesë tekste letrare në prozë në pjesën e dytë të librit, katër prej të cilëve nga letërsia shqipe: “Bukuria që vret” e Migjenit, “Sokolesha” e Sterjo Spasses, “Plaka Nicë” nga Ismail Kadare dhe “Dylbia e kapedanit” nga Rifat Kukaj. I pesti është tregimi “Më mirë i vdekur se tradhtar” i Mark Milanit.
Numri i teksteve joletrare në këtë pjesë (të dytën) është më i madh se i atyre letrare – janë gjithsej pesëmbëdhjetë të tilla. Kanë tematikë historike, shoqërore dhe përshkruese, disa prej tyre duken si ese, e disa si artikuj publicistikë, diçka si mini-reportazhe informativo-publicistike.
Tekstet me tematikë historike bëjnë fjalë kryesisht për ngjarje dhe personalitete të njohura nga historia kombëtare shqiptare: “Vdekja e Skënderbeut” nga Fan S. Noli dhe “Skënderbeu dhe malazezët” nga Ismail Doda, një tekst flet për ngritjen e flamurit shqiptar (Luigj Gurakuqi), një tjetër për fortifikatën detare të Ulqinit (Gjergj Gjokaj) dhe një për “Stërgjyshërit tanë” (Gjergj Berisha). Vetëm një tekst me tematikë nga historia trajton një ngjarje që (ndoshta) s’ka të bëjë me shqiptarët, “Sulmi i Samuillit kundër princit të Zetës Vlladimirit” – fragment nga “Kronika e priftit të Dioklesë”.
Mbizotërojnë në këtë pjesë artikujt që përshkruajnë të kaluarën e trevave të banuara, historikisht, pothuaj krejtësisht apo në përqindje të lartë nga shqiptarët në Malin e Zi të kohës, siç janë “Nga e kaluara e Tuzit” (Gjergj Berisha), “Nga e kaluara e Krajës“, “Ana e Malit” dhe “Shestani dhe disa karakteristika të të folmes së tij” (të gjithë nga Ismail Doda), “Kranjanja” (Gordana Majstoroviq), “Legjendë por edhe e vërtetë historike” (Gjergj Gjokaj), pastaj shkrimi “Mark Milani dhe shqiptarët” (Ismail Doda), skicat përshkruese “Në hijen e Bjeshkëve të Nemuna” (Dushan Kostiq) dhe “Në liqenin e Shkodrës” (Drashko Shqekiq).
Shkrimi “Fuqia e atdheut” i Ali Cenajt mund të konsiderohet si një artikull publicistiko-propagandistik jo i pazakonshëm për kohën kur u shkrua. Ndërkaq publicistiko-propagandistik, megjithëse i bazuar në disa fakte të qëndrueshme historike, është artikulli “Nga anali i shkollës së Trieshit” i autorit Lucë Lucaj. I ngjashëm është edhe artikulli “Burim i dijes” i Riza Rexhës, ku jepen disa të dhëna nga historiku i shkollës në Vlladimir (siç e shënon artikullshkruesi), ku bien në sy disa veçori tipike të narrativit të asaj periudhe: “Menjëherë pas çlirimit edhe në Anën e Malit ndriçuan rrezet e socializmit. Erdhën ditët e lumturisë. Pushteti popullor vuri gurët e përparimit, të barazisë kombëtare” (f. 106). Diskursi publicistik i ngjyrosur me elemente informativo-propagandistike e karakterizon edhe artikullin “Hekurudha Beograd-Tivar” (Gjergj Gjokaj) ku autori, pasi njofton se “Udhëtari i parë i hekurudhës së ëndrrave tona ishte kryetari i Republikës Josip Broz Tito” thekson, veç tjerash, edhe se “Rinia dhe forcat tjera krijonjëse ia dorëzuan bashkësisë sonë socialiste edhe një vepër madhështore”. Shkrimi i shkurtër “Porti i Tivarit” (Ismail Doda) mbetet në suaza informative, pra nuk përmban aditivë propagandistikë. Propagandistik në qëllimin e vet, pa marrë parasysh se mbështetet në fakte historike, është edhe artikulli me titullin poetik “Dhe vdiqën bashkë” (sipas Novak Jovanoviqit) në të cilin përshkruhet miqësia e partizanit malazez nga Cetina me një revolucionar të ri nga Shkodra, të cilët armiku nazist i “solli në trekëndëshin e vdekjes”, pra i vari, për shkak të veprimtarisë së tyre. Artikullshkruesi i kumton lexuesit se dy djemtë në trekëndëshin ku do vareshin brohoritën “Rroftë shoku Tito”, e pastaj përçon edhe mesazhin e vet: “Dy luftëtarët e rinj ua lanë popujve të vet porosinë: ‘Kështu farkohet bashkim-vëllazërimi i të gjithë popujve! Kështu luftohet kundër armikut të përbashkët!’” (f. 77). Artikulli “Buka e kripa nuk harrohen” (Gjergj Gjokaj, Gjergj Berisha) i rikujton lexuesit, nëpërmjet një episodi nga jeta reale në Malësinë e Madhe, që pat ndodhur “në kohën e pushtimit austrohungarez”, traditën e bukur të mikpritjes shqiptare.
Duke qenë doracak për nxënësit e shkollës fillore, autorët e kanë parë me vend që në libër të përfshihet edhe një fragment nga drama “Nita” e Josip Relës, që ata të njihen me këtë gjini të letërsisë, por njëkohësisht edhe me fatet historike të njerëzve të këtyre trevave.
5.
Edhe pjesa e tretë, në vend të titullit ka një parullë. Përbëhet nga 18 tekste letrare, 12 prej të cilave janë në vargje (5 autoriale dhe 7 popullore) dhe 6 tregime (2 nga autorë shqiptarë, një tregim popullor dhe 3 tregime të përkthyera). Autorët e poezive janë Esad Mekuli (“Shqiptari këndon”, “Në liqenin e zanave”), Nol Berisha (“Ushtoi Deçiqi – Sharri të jehojë”), Zuvdija Hoxhiq (“Malësori”) dhe Husein Bashiq (“Përballë vdekjes”) – të gjithë krijues nga Mali i Zi. Shkrimtarë shqiptarë të lindur në Malin e Zi janë edhe autorët e tregimeve “Lundrimi i fundit” (Mehmet Kraja) dhe “Ky është varri i vëllait tim” (Idriz Ulaj), kurse të përkthyera nga, siç quhej zyrtarisht në atë kohë, gjuha serbo-kroate, “Tusha e Kastratit” (Marko Vujaçiq), “Shqiponja nga Janiku” (Jagosh Jovanoviq), “Bir i Dheut të Shqipes” (Branko Qopiq). Tregimi popullor “Gruoja shtatzânë â si mâza e tablit”, vjelë nga Fran Jankaj, është marrë nga revista “Gjurmime albanologjike”.
Numri i teksteve joletrare në pjesën e tretë të doracakut është i madh, gjithsej 39. I konsiderueshëm është numri i teksteve joletrare që himnizojnë luftën nacional-çlirimtare, posaçërisht disa nga heronjtë partizanë të trevave të banuara nga shqiptarët në Malin e Zi. Gjergj Gjokaj paraqitet si autor i pesë artikujve të tillë: “Pionierë dhe vizionarë të Revolucionit” – për Beqo Bashiqin dhe Alo Hotin, “Gjaku i tyre – farë e vëllazërim-bashkimit” – për Hysni Zajmin dhe Hajro Shahmanoviqin, “Bir besnik i revolucionit” – për Emin Rexhepagiqin, “Luftëtar për liri dhe pavarësi të vendit” – për Mahmut Lekiqin, “Kujtime për djaloshin guximtar” – për Mark Nucullajn, kurse nga një artikull të këtij tipi kanë shkruar Xhemal Elezaga – “Krimi në shkollë të Pistullit” dhe Venera Strugar – “Vëllazërimi dhe bashkimi i pathyeshëm”. Tematikisht, sepse kanë të bëjnë me luftën dhe revolucionin, këtu mund të radhiten edhe disa artikuj të tjerë: “Malësia gjatë luftës nacionaçlirimtare” (Lucë Lucaj), “Kujtime nga lëvizja nacional-çlirimtare në Anë të Malit” (Ahmet Hoxha) dhe ”Me partizanët shqiptarë në Anë të Malit dhe në Krajë” (Xhevdet Resulbegoviq).
6.
Krahas teksteve me ngjyrime ideologjike që himnizojnë luftën nacionalçlirimtare dhe heronjtë partizanë, libri, si të donte të zbuste paksa shtresën e theksuar të propagandës ideologjike, i ofron lexuesit edhe disa materiale mbi historinë dhe kulturën e shqiptarëve, siç janë për shembull artikujt “Kryengritja e Malësisë me 1911”, “Tringa e Smajlit (autor i të dy shkrimeve është Gjergj Berisha) dhe “Takimi i Ded Gjo Lulit me konsullin turk” (Luigj Bumçi), por edhe këngët popullore shqiptare “Lufta e kojasve në Deçiq”, “Lufta në Sukë të Mekushit”, “Bedri pasha”, “Kanga e Myrta Thtjanit” dhe “Gjelosh Frangu”.
Lidhur me disa tekste që mund të perceptohen si skica historike, mbetet e pasqaruar ku autorët i gjetën burimet “mbi ngjarjet historike” për të cilat shkruan, meqenëse në tekstin/shënimin e patitulluar që zëvendëson hyrjen deklarojnë se këtë punë e bënë “në mungesë të materialeve dhe dokumentave”. Pengu që duhej paguar pushtetit të kohës ishte respektimi i narrativit ideologjik skematik që shpesh përsëritet edhe me fraza pothuaj identike, nga autorët e artikujve brenda librit, si p.sh.: “Në Luftën Nacionalçlirimtare Podgorica me rrethe dha kontribut të madh” (Lucë Lucaj, f. 10); Plava – “Në Luftën Nacionalçlirimtare dha kontribut të madh.” (Mirash Gojçaj, f. 14); “Në luftën nacionalçlirimtare vuthjanët dhanë kontributin e vet.“ (Gjergj Gjokaj, f. 15); Tuzi – “Luftën Nacionalçlirimtare e përkrahi që nga ditët e para dhe dha kontributin e vet” (Gjergj Berishaj, f. 98); “Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare kranjanët patën qëndrim të drejtë. Morën pjesë aktive dhe përkrahën lëvizjen.” (Ismail Doda, f. 105); “Menjëherë pas çlirimit edhe në Anën e Malit ndriçuan rrezet e socializmit. Erdhën ditët e lumturisë. Pushteti popullor vuri gurët e përparimit, të barazisë kombëtare.” (Riza Rexha, f. 106); “Dielli i lirisë agoi në Malësi vetëm pas ngadhënjimit të Revolucionit Socialist” (Fran Lulgjuraj, f. 23).
7.
Megjithëse autorët librin e quajtën doracak, siç është shënuar edhe në ballinën e librit si nëntitull, mungon aparatura didaktike për nxënësit (pyetjet, detyrat, udhëzimet për literaturën shtesë etj). Pas shumicës së teksteve dhe artikujve jepen veç sqarimet e disa fjalëve, për të cilat autorët kanë vlerësuar se është e nevojshme të shpjegohet kuptimi i tyre për nxënësit. Ka edhë shënime të shkurtra bio-bibliografike për shkrimtarët e përfaqësuar.
Me të mirat dhe mangësitë që ka, libri dëshmon për kohën dhe njerëzit dhe paraqet gjurmë të kulturës në gjuhën shqipe në këto treva.