Opinioni i gjerë në Mal të Zi është i njoftuar se nismat për reformën zgjedhore kanë dështuar, ndërsa përfundimi i pasuksesshëm i punës së tri grupeve punuese pas vitit 2014 është dëshmi e mungesës së vullnetit politik që zgjedhjet dhe ligjet përcjellëse të përshtaten sipas standardeve demokratike. Pikërisht në lidhje me këtë çështje, në fund të dhjetorit të vitit 2020 Kuvendi ka miratuar Vendimin për formimin e Këshillit për reformën gjithëpërfshirëse, ku me punë ka filluar shtatë muaj pas konstituimit të Kuvendit. Një trup i tillë punues ka mbajtur gjithsej gjashtë mbledhje, por në sajë të fërkimeve politike, partitë politike nuk kanë treguar gatishmëri për të krijuar një kornizë të re zgjedhore, e cila do të ishte në favor të avancimit të procesit zgjedhor në Mal të Zi.
Partitë, pengesa të reformës
Nuk ka dilemë se pengesë për ndryshime në ligjin zgjedhor janë vetë partitë politike, sepse ato nuk janë në gjendje që të heqin dorë prej përfitimeve që ligji zgjedhor aktual iu mundëson gjatë procesit zgjedhor. Madje edhe nëse kanë tentuar për ndryshime, ato kanë qenë vetëm kozmetike, pa ndonjë peshë të veçantë. Ky është realiteti në skenën politike në Mal të Zi, ku të gjithë janë të vetëdijshëm se duhen ndryshime në ligjin zgjedhor nëse duan të shkojnë në drejtim të anëtarësimit në BE.
Iniciativa nga Presidenti i vendit
Duke parë mospërfilljen e partive politike për reformën zgjedhore, Presidenti i vendit Jakov Millatoviq më 12 dhjetor të vitit të kaluar i ka dërguar Kuvendit të Malit të Zi iniciativën për reformën e sistemit zgjedhor duke aplikuar listat e hapura zgjedhore.
Ai ka vlerësuar se nevoja për këtë reformë paraqitet nga deklarimi i ndjenjës së pakënaqësisë së qytetarëve me gjendjen momentale të sistemit politik, i cili veçohet me mundësi të kufizuara të votuesve që drejtpërdrejt të ndikojnë në zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre.
Me zbatimin e listave të hapura Mali i Zi do t‘iu bashkëngjitej vendeve të shumta evropiane të cilat me sukses kanë aplikuar sisteme të ngjashme, duke siguruar pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve në vendimmarrje dhe demokratizimin e proceseve politike. Sistemi i listave të hapura do të ishte reformë që do të mundësonte që vota e çdo qytetari të vlerësohet – ka deklaruar Millatoviqi.
Siç ka vlerësuar, ky ndryshim do të ofronte transparencë më të madhe në procesin politik, do të mundësonte ndikimin e drejtpërdrejtë të qytetarëve në zgjedhjen e përfaqësuesve dhe harmonizimin e sistemit zgjedhor me standardet demokratike bashkëkohore.
Mbetet të shohim nëse iniciativa e tillë për reformën zgjedhore në Mal të Zi do të mbështetet nga partitë parlamentare.
Kandidati preferencial
Përmes listave të hapura, qytetarët me votën e tyre të drejtpërdrejtë zgjedhin kandidatin e tyre e jo si deri më tash që ua ka imponuar partia. Në këtë aspekt, në Mal të Zi ekziston përvoja vetëm me rastin e zgjedhjes së Presidentit, ku qytetarët kanë votuar të preferuarin e tyre, andaj me analogji duhet të ndodhë edhe me zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale. Përvoja e vendeve të ndryshme është e mjaftueshme për realizimin e demokracisë direkte të elektoratit votues. Andaj fillimisht Këshilli për reformën zgjedhore duhet të debatojë me përfaqësues të partive politike por edhe nga shoqëria civile, për të arritur konsensusin e nevojshëm për ndryshime cilësore.
Partitë frikohen nga listat e hapura
Në Mal të Zi, që nga miratimi i pluralizmit vazhdohet me praktikën e listave partiake, ku udhëheqësit e partive vendosin për renditjen përfundimtare të kandidatëve në listat zgjedhore, ku fillimisht vendosin veten e më pas bashkëpunëtorët më të afërt. Është pikërisht renditja e tillë që ua pamundëson qytetarëve të vendosin sipas vullnetit të tyre.
Ndonëse deri më tash në këtë aspekt ka pasur deklarime të rastit, zakonisht në fushatat zgjedhore, por konkretisht nuk është bërë asgjë, sepse si pozita dhe opozita në këtë aspekt kanë pasur konsensus të plotë. Nga një ngurrim i tillë del qartë se ata u frikohen listave të hapura, duke manipuluar elektoratin votues për qëllime të tyre personale apo të klaneve të ndryshme duke iu servirur listën partiake e cila nuk shpreh vullnetin e qytetarëve, por të partive politike.
Qytetari, jo vetëm votues formal
Trajtimi i tillë i qytetarëve dëshmon nënçmimin e tyre, duke i trajtuar si të padenjë, përkatësisht vetëm si votues apo shërbëtorë. Andaj ka ardhur koha që të punohet për ndryshime, duke iu mundësuar qytetarëve të drejtën e tyre të mohuar, si kudo në botën demokratike. Nëse do të ketë vullnet politik për të miratuar ndryshimet në ligjin zgjedhor, atëherë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ekzistojnë të gjitha gjasat që të votohet me lista të hapura, që do të jetë në favor të demokracisë parlamentare sipas standardeve evropiane.
Opinioni i gjerë e ka të qartë se nëse dëshirohet që premtimi për reformën zgjedhore të realizohet në praktikë, duhet të eliminohen interesat politike, të cilat deri më tash kanë qenë pengesa kryesore për mosmiratimin e një ligji të tillë.
Andaj i mbetet shumicës parlamentare aktuale që në fokusin e veprimtarisë së tyre në këtë drejtim të angazhohen seriozisht për një kornizë të re zgjedhore e jo për interesa të tyre politike, duke eliminuar paragjykimet, dukuri kjo e njohur vite me radhë në Mal të Zi si nga pozita dhe opozita, që është në kundërshtimin me interesat e qytetarëve.
Njësi e veçantë zgjedhore për shqiptarët
Në lidhje me këtë çështje, shqiptarët në Mal të Zi duhen të përpiqen për të gjetur formulën më të pranueshme, duke u bazuar në standardet ndërkombëtare. Andaj është e udhës të konsultohen ekspertë të sistemeve zgjedhore nga vendi apo bota e jashtme.
Pasi deri më tash në Mal të Zi kanë qenë në veprim disa modele zgjedhore, për shqiptarët më e pranueshme është njësia e veçantë zgjedhore, e cila u ka dhënë pesë mandate të deputetëve, sikurse ka qenë deri në vitin 2011, e jo siç është tash që më së shumti mund të japë tre deputetë.
Në këtë aspekt, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve duhet t‘i eliminojnë animozitetet personale, sepse reforma zgjedhore nuk është përfaqësim i një partie politike, por ka të bëjë me shqiptarët në tërësi, gjë që është në favor të ruajtjes dhe mbrojtjes së identitetit politik e kombëtar të shqiptarëve në këtë mjedis.