Domosdoshmëri e kohës

Meqenëse edukimi mediatik synon ndërgjegjësimin e publikut rreth medias dhe informacionit, pra aftësinë e publikut për t’i vlerësuar përmbajtjet mediale me të cilat përballet rregullisht, atëherë mungesa e një shkathtësie të tillë mund të konsiderohet si analfabetizëm në kohën në të cilën po jetojmë

Qani Osmani

Sot, si kurrë më parë, shumicën e kohës e kalojmë duke lundruar në media të ndryshme, kryesisht nëpërmjet “telefonit të mençur”. Kjo ndërfutje e mediave të ndryshme në jetën tonë të përditshme, e ka bërë shumë më komplekse botën në të cilën jetojmë. Si rezultat i kësaj, edukimi mediatik, si mbjellje e aftësive për të aplikuar njohuritë e të menduarit kritik në mediat te të cilat kemi qasje të vazhdueshme, është bërë domosdoshmëri e kohës.

Pse edukimi mediatik?
Zhvillimi i madh dhe i shpejtë teknologjik ka mundësuar edhe një zhvillim të hovshëm të mediave, duke i dhënë hapësirë secilit pjesëtar të shoqërisë që të ketë qasje në të gjitha këto lloje të mediave në mënyrë të pavarur dhe të jetë pjesëmarrës aktiv në të. Hapësira e ofruar për qasje në mediat dhe rrjetet sociale, ka bërë që shoqëria të përballet më një mori informatash dhe përmbajtjesh të ndryshme mediale.
Kjo ia ka dhënë secilit prej nesh mundësinë të krijojë dhe publikojë informacione dhe përmbajtje të ndryshme mediale në platforma të caktuara, të cilat konsumohen nga ne në baza shumë të shpeshta ditore. Po ashtu, edhe mediat e kanë ndryshuar mënyrën e funksionimit të tyre, duke ndikuar në përgatitjen e informacioneve dhe mënyrën e dhënies së tyre. Shtimi i portaleve të ndryshme dhe shpërndarja e informacioneve nga ana e tyre në baza të shpeshta e ka bërë të pakontrollueshëm tregun e mediave online dhe të informacionit, në përgjithësi.
Si rezultat i kësaj, kanë dalë në shesh edhe shumë portale të dyshimta, si dhe faqe të ndryshme në rrjete sociale, të cilat pretendojnë se bartin informacion tek audienca, por që nuk kanë një organizim brenda vetes, në mënyrë që të kenë besueshmëri për punën që e bëjnë. Kjo, në fakt, ua ka hapur rrugën edhe formave të çrregullimit informativ, ku shoqëria shpesh ballafaqohet me lajme të rreme, dezinformata, manipulim të fakteve e, sidomos, me artikuj clickbait. Ky çrregullim informativ ndikon edhe në besueshmërinë e mediave, duke e shtuar mosbesimin në to nga publiku. Njëkohësisht, kjo ka mundësuar që këto forma të çrregullimit informativ të përdoren me qëllime politike, për përfitime financiare dhe për të ndjekur politika ose agjenda me ndikim të jashtëm.
Në Mal të Zi, rreth 90 për qind e personave mbi 16 vjeç e shfrytëzojnë internetin dhe mbi 75 për qind përdorin rrjete sociale. Dhe, përderisa është e vërtetë të thuhet se ka diversifikim mediash, që janë më dinamike dhe se kjo i jep fuqizim lirisë së medias, të rinjtë duhet të jenë të vetëdijshëm se tash duhet të jenë edhe më të vetëdijshëm nga rreziqet dhe kurthet në të cilat mund të bien lehtë. Kjo shumësi informacionesh dhe përmbajtjesh nuk i lë hapësirë njeriut të njoftohet mirëfilli për ato se çka po ndodh nëse nuk edukohet që të bëjë përzgjedhje të caktuara dhe të ketë qasje kritike ndaj asaj që sheh dhe lexon.

Mosedukimi mediatik si analfabetizëm i kohës
Ne gjendemi përballë një realiteti ku, në njërën anë, janë informacionet që shpërndahen në internet pa ndonjë kontroll dhe, në anën tjetër, qasja e secilit nga ne në mënyrë të lehtë në këto informata të shpërndara, që e bën të nevojshme edukimin e leximit dhe marrjen e informacioneve, por edhe t’u qasen në mënyrë kritike atyre, duke i shtruar pyetje vetes rreth përmbajtjeve që u shfaqen përdorimit të medias dhe informacionit. Pra, njerëzit duhen të edukohen që jo vetëm të informohen.
Në aspektin konceptual, edukimi mediatik përkufizohet si aftësi për të gjetur, analizuar, vlerësuar e prodhuar çdo lloj komunikimi dhe për të vepruar duke e shfrytëzuar komunikimin. Pra, kjo nënkupton që edukimi mediatik niset nga aspekti tradicional i aftësisë së shkrim-leximit, duke u pasuruar me format e reja të komunikimit, që i kërkon zhvillimi i teknologjive të reja.
Meqenëse edukimi mediatik synon ndërgjegjësimin e publikut rreth medias dhe informacionit, pra aftësinë e publikut për t’i vlerësuar përmbajtjet mediale me të cilat përballet rregullisht, atëherë mungesa e një shkathtësie të tillë mund të konsiderohet si analfabetizëm në kohën në të cilën po jetojmë. Sepse, përvetësimi i kësaj shkathtësie është i lidhur ngushtë edhe me mendimin kritik të cilin e kultivon te publiku edukimi mediatik.
Shumë sociologë dhe profesorë të gazetarisë theksojnë faktin se shoqëria jonë është e ekspozuar ndaj kësaj gjendjeje për disa arsye. Sipas tyre, kjo ka të bëjë me mungesën e një kujdesi institucional ndaj brezit të ri; së dyti është arsimi i brishtë publik, ku shumica e të rinjve nuk arrijnë ta zhvillojnë mjaftueshëm gjykimin kritik në shkolla dhe kjo ndikon drejtpërdrejt edhe në përdorimin e mediave; së treti është familja, e cila nuk arrin të mbjellë qasje kritike ndaj mediave; dhe, në fund, është mungesa e lëndës së edukimit mediatik në shkolla.
Përkundër faktit që njohës dhe ekspertë të mediave kanë bërë thirrje që edukimi mediatik të përfshihet në planprogramet shkollore (para universitare), kjo thirrje akoma nuk e ka gjetur përgjigjen e duhur. Edhe pse një numër i vogël i shkollave e kanë përfshirë si lëndë me zgjedhje, ndërsa disa media dhe informacioni diskutohen në lëndë të tjera, sfidë tjetër mbeten mësimdhënësit e kësaj lënde.

Të fundit

më të lexuarat