Projekt me peshë dhe vlerë të lartë për komunitetin shqiptar

Guci – Në organizimin e Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, të mërkurën (29 janar 2025) në sallën e Kuvendit të Komunës së Gucisë është mbajtur punëtoria në të cilën është prezantuar dhe promovuar projekti për digjitalizimin e gjuhës shqipe në Mal të Zi.
Të pranishëm ishin ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave në Qeverinë e Malit të Zi, Fatmir Gjeka, me bashkëpunëtorët e vet – sekretarin shtetëror të kësaj ministrie Astrit Hoxha, drejtorin e Drejtorisë për Avancimin e të Drejtave të Njeriut, Arben Xhurreta, këshilltarin për çështje të kulturës, Kristijan Dukaj, si dhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika. Ndërkaq nga drejtuesit e Komunës së Gucisë ishin të pranishëm kryetari dhe nënkryetari i Kuvendit të Komunës, Edvin Bektesheviq e Fadil Ulaj, si dhe nënkryetarët e Komunës së Gucisë, Hajrija Feratoviq dhe Asdren Çelaj, me disa bashkëpunëtorë dhe ca të pranishëm të tjerë.
Pjesëmarrësit i përshëndeti nënkryetari i Komunës së Gucisë, Asdren Çelaj, i cili falënderoi Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave për ndërmarrjen e hapave të rëndësishëm për digjitalizimin e gjuhës shqipe në Mal të Zi, projekt ky vërtet me peshë dhe vlerë të lartë, i cili synon ruajtjen, promovimin dhe modernizimin e gjuhës shqipe përmes teknologjisë, duke ofruar platforma edukative dhe burime online në dispozicion të komunitetit shqiptar.
Nismëtari i projektit në fjalë, ministri Fatmir Gjeka, në fjalën përshëndetëse u shpreh se kjo punëtori është një mundësi e veçantë për të diskutuar një temë që është thelbësore për të ardhmen tonë – Digjitalizimi i gjuhës shqipe në Mal të Zi.
“Gjuha jonë është një nga thesaret më të çmuara që kemi. Ajo nuk është thjesht një mjet komunikimi, por një pasuri që bart identitetin tonë historik dhe kulturën tonë”, ka nënvizuar ai.
Në elaborimin e mëtejmë, ministri Gjeka pohoi se digjitalizimi i gjuhës shqipe në Mal të Zi dhe më gjerë, nuk është thjesht një nevojë teknologjike, por një mënyrë për të ruajtur dhe promovuar gjuhën tonë te gjeneratat e ardhshme. Nëpërmjet projekteve inovative, si platformat online, aplikacionet, burimet arsimore digjitale dhe mjetet e përkthimit automatik, ne mund të sigurojmë që gjuha shqipe të jetë e pranishme në hapësirën digjitale.
Ai e përmbylli fjalën e vet me konstatimin se “në Malin e Zi, ku komuniteti shqiptar ka një rol të rëndësishëm, është detyra jonë që të punojmë së bashku për të integruar gjuhën tonë në proceset e digjitalizimit”.
Panelistët nga kompania “Kulla e shqipes” në Prishtinë, Remzi Plakaj dhe Agron Haxhiu, prezantuan platformën e digjitalizimit të gjuhës shqipe duke dhënë udhëzime e sugjerime konkrete për mënyrën e përdorimit të saj në kompjuterë, telefona të mençur etj.
Sipas tyre, përfitimet nga ky projekt janë të shumta: Ruajtja e trashëgimisë kulturore, përmes teknologjisë gjuha shqipe do të jetë e qasshme për brezat e rinj dhe diasporën; përmirësimi i edukimit: materialet digjitale do t’i ndihmojnë shkollat në përdorimin e mjeteve më efikase për mësimdhënie; Integrimi i gjuhës në administratë dhe shërbime publike: Digjitalizimi do të lehtësojë përdorimin e shqipes në institucionet shtetërore; Nxitja e turizmit dhe e lidhjeve me diasporën etj.
Punëtoria e përfundoi punën me disa pyetje të të pranishmëve, në të cilat u përgjigjen panelistët.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat