Tiranë – Më 25 dhe 26 prill 2025, Tirana u bë qendra e fuqizimit dhe mundësive për gratë shqiptare dhe jo vetëm. Për herë të parë në Shqipëri, erdhi një ngjarje e veçantë dhe e paharrueshme – Samiti “Wo-Men Power 2025”.
Ky samit, i organizuar nga Global Woman Club Diaspora, nën udhëheqjen e Mirela Sulës, CEO e Global Woman Diaspora, Linda Prendi, CEO e Global Woman Magazine, dhe Neraida Bicakut, drejtoreshë ekzekutive e GWC Diaspora and Foundation, u mbajt në ambientet prestigjoze të Hotel Plaza në zemër të Tiranës. Samiti bashkoi gra të suksesshme dhe influencuese nga e gjithë bota. Ishte samiti i parë i këtij lloji dhe një mundësi unike për gratë që të ndanin histori frymëzuese, të diskutonin sfida të përbashkëta dhe të krijonin mundësi bashkëpunimi në një atmosferë të mbushur me energji pozitive dhe ide transformuese.
Global Woman Club, e themeluar nga Mirela Sula në vitin 2015, është një platformë ndërkombëtare me mision fuqizimin e grave përmes rrjetëzimit dhe zhvillimit profesional. Me seli në Londër dhe degë në mbi 30 qytete të botës, organizata ka krijuar një komunitet të fuqishëm të grave që mbështesin njëra-tjetrën për të arritur sukses dhe për të ndërmarrë iniciativa që ndryshojnë jetën e tyre dhe të shoqërive ku jetojnë.
Samiti, që përfshinte 13 panele tematike, ofroi një mundësi të shkëlqyer për diskutime të thella dhe shkëmbim idesh mbi sfidat me të cilat gratë shqiptare përballen në karrierën e tyre, si dhe mundësitë që ekzistojnë për të avancuar në biznes, kulturë, inovacion dhe edukim.
Një nga momentet më emocionuese të samitit ishte prezantimi i themelueses së Global Woman Club, Mirela Sula, e cila ndau me të pranishmit historinë e saj personale. Rruga e Mirelës nga një mësuese në një fshat të vogël deri te krijimi i një platforme globale për fuqizimin e grave është një shembull i fuqisë së angazhimit dhe besimit në mundësitë që mund të krijohen kur gratë mbështeten dhe motivojnë njëra-tjetrën. Ky moment frymëzoi të gjithë të pranishmit dhe u bë një thirrje e fuqishme për të vazhduar në krijimin e urave të reja të bashkëpunimit dhe mbështetjes për gratë në të gjitha aspektet e jetës dhe karrierës së tyre.
Pjesëmarrëset e paneleve në Samitin Wo-Men Power 2025 përfshinin një listë të shquar personalitetesh, të cilat janë figura të njohura në fushat e tyre dhe kanë kontribuar ndjeshëm në shoqërinë shqiptare. Ky samit ishte një mundësi e jashtëzakonshme për t’u njohur dhe për të mësuar nga eksperte dhe udhëheqëse që janë ndër personazhet më të spikatura në fushat e politikës, drejtësisë, medias, artit dhe biznesit.
Një nga emrat kryesorë ishte Nora Malaj, një politikane e njohur dhe Ambasadore e Paqes, e cila ka një përvojë të pasur në diplomaci dhe angazhim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ajo ka dhënë një kontribut të madh në zhvillimin e politikave publike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke u angazhuar për një shoqëri më të barabartë dhe të qëndrueshme.
Eni Çobani, një juriste e njohur dhe personalitet mediatik, ishte gjithashtu pjesë e paneleve, duke ofruar njohuri të thelluara mbi sistemin ligjor dhe rëndësinë e të drejtave të individëve, përfshirë gratë dhe fëmijët. Ajo është gjithashtu e njohur për angazhimin e saj të palodhur në luftën për drejtësi dhe përmirësimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Një tjetër emër i rëndësishëm që mori pjesë në këtë samit ishte Grida Duma, një politikane e njohur dhe ish-deputete, e cila ka kontribuar shumë në fushën e politikës dhe zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Ajo është një ndër gratë që ka bërë një ndikim të rëndësishëm në jetën politike të vendit dhe ka qenë një mbështetëse e fuqishme e barazisë gjinore dhe përfshirjes aktive të grave në vendimmarrje.
Një tjetër emër i spikatur ishte Edlira Çepani, juriste dhe aktiviste e të drejtave të njeriut, e cila ka punuar për të avancuar të drejtat e gruas dhe për të promovuar një sistem të drejtësisë që respekton barazinë dhe dinjitetin e çdo individi, pa dallim gjinie apo etnie.
Monika Kryemadhi, një politikane dhe udhëheqëse e shquar, ka sjellë një perspektivë të vlefshme për zhvillimet politike dhe mundësitë për avancimin e grave në pozita udhëheqëse.
Një tjetër figurë me ndikim ishte Shukrije Ramadani, zëvendësambasadore e Republikës së Kosovës në Bernë, e cila ka kontribuar në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe promovimin e integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Përvoja e saj diplomatike dhe vizioni i saj për një të ardhme paqësore dhe të qëndrueshme ishin shumë të rëndësishëm për diskutimet gjatë samitit.
Klodiana Toptani, administratore e “Kalaja e Tiranës”, një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në Shqipëri, foli për rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë.
Në botën e artit dhe kulturës, Rudina Dembacaj, një aktore e njohur, solli një perspektivë të freskët mbi rolin e artit në ndryshimin e perceptimeve dhe avancimin e të drejtave të grave.
Një tjetër emër i rëndësishëm që mori pjesë ishte Blinera Osmani, juriste, e cila ka kontribuar në avancimin e legjislacionit në Kosovë që mbështet barazinë gjinore dhe fuqizimin e gruas në fushat profesionale.
Jehona Sopi, këngëtare e njohur, ishte gjithashtu pjesë e samitit, duke ndarë përvojën e saj në industrinë e muzikës dhe përvoja që ajo ka kaluar si një grua e suksesshme në një fushë ku ndonjëherë është e vështirë të arrihesh.
Dafina Teliqi, foli për mediat shqip në Mal të Zi, për sfidat por edhe për mbështetjen e nevojshme që gratë në media duhet të kenë nga shtetet amë, siç janë Shqipëria dhe Kosova.
Përveç paneleve, Samiti Wo-Men Power ofroi një program të pasur me workshope dhe aktivitete interaktive, ku gratë mund të diskutonin dhe të mësonin më shumë për çështje të rëndësishme si menaxhimi i sfidave personale dhe profesionale, fuqizimi përmes vendosjes së qëllimeve dhe balancimi i karrierës me jetën personale.
Një tjetër moment kulminant ishte mbrëmja gala e mbajtur më 26 prill, ku, nën dritat elegante të sallës dhe atmosferën festive, shumë gra u vlerësuan për kontributet e tyre të shquara në fusha të ndryshme. Ky ishte një moment i veçantë për të festuar arritjet e grave dhe për të inkurajuar më shumë gra të vazhdojnë të ndjekin pasionet e tyre dhe të kontribuojnë në shoqëri.
Ky samit nuk ishte thjesht një mundësi për rrjetëzim profesional, por një thirrje e fuqishme për të bashkëpunuar, për të krijuar mundësi të reja dhe për të mbështetur njëra-tjetrën në çdo hap të rrugës.
D. Teliqi