Kultura Jamna, atdheu burimor i gjuhëve proto-indoevropiane

Në vitin 2007 u botua libri “The Horse, the Wheel, and the Language: How Bronze-Age Riders from the Eurasian Steppes Shaped the Modern World” (Kali, rrota dhe gjuha: si e modeluan botën moderne kalorësit e epokës së bronzit të stepave euroaziatike) nga David Anthony (Dejvid Entoni), antropolog amerikan dhe profesor në Hartwick College, i specializuar në migrime indoevropiane. Autori, duke u mbështetur në teorinë e M. Gimbutasit, e sheh atdheun burimor të gjuhëve proto-indoevropiane në kulturën Jamna (Yamnaya culture), kulturë kurgane (e tumujve) e epokës së hershme të bronzit, në brigjet veriore të Detit të Zi dhe liqenit Kaspik

A. M. Perkaj

A. M. Perkaj

Gjysma e popullsisë në botë flet gjuhët që vijnë nga një bërthamë e përbashkët indoevropiane. Nga erdhën folësit e parë të gjuhës stërgjyshore të të gjithë indoevropianëve? Ekzistojnë disa teori, dy prej të cilave janë mbizotëruese në arkeologji dhe gjuhësi: Teoria kurgane, e formuluar për të parën herë nga fundi i shek. XIX nga Otto Schrader, e sistemuar kah mesi i shek. XX nga Maria Gimbutas, arkeologe lituaneze-amerikane; dhe Teoria anatolike, e arkeologut britanik Collin Renfrew, nga viti 1987. Teoria e M. Gimbutasit, e cila është më e pranuara në arkeologji, e vendos burimin e gjuhëve indoevropiane në stepat e Evroazisë 6 000 vjet më parë, ndërsa, ajo e K. Renfrewit e sheh origjinën e gjuhëve indoevropiane në Anadoll, para 9 000 vitesh.
Sipas Teorisë anatolike, gjuha proto-indoevropiane u përhap me kulturat neolitike bujqësore nga Anadolli, nëpërmjet jugut të Evropës deri në veriun e kontinentit evropian.
Në vitin 2007 u botua libri “The Horse, the Wheel, and the Language: How Bronze-Age Riders from the Eurasian Steppes Shaped the Modern World” (“Kali, rrota dhe gjuha: si e modeluan botën moderne kalorësit e epokës së bronzit të stepave euroaziatike”) nga David Anthony (Dejvid Entoni), antropolog amerikan dhe profesor në Hartwick College, i specializuar në migrime indoevropiane. Autori, duke u mbështetur në teorinë e M. Gimbutasit, e sheh atdheun burimor të gjuhëve proto-indoevropiane në kulturën Jamna (Yamnaya culture), kulturë kurgane (e tumujve) e epokës së hershme të bronzit, në brigjet veriore të Detit të Zi dhe liqenit Kaspik. Nga kjo trevë folësit e kësaj gjuhe u përhapën drejt Evropës dhe Azisë. Termi Kulturat kurgane përfshin grupin e kulturave të stepave të Evroazisë duke filluar nga mijëvjeçari VI deri në fund të mijëvjeçarit IV p. e. r., pra, nga mezoliti (periudha e gjuetarëve-mbledhësve), përmes neolitit (periudha e ekonomisë baritore gjysmënomade) deri në eneolitik (përdorimi i bakrit). Një veçori e kulturave kurgane është varrimi i të ndjerit me gjunjë të kërrusur, nën kodrina individuale ose grupore.
Entoni e sheh përparimin ekonomik të popullsisë së stepave të Detit të Zi dhe liqenit Kaspik si rezultat të kontakteve të kësaj popullate me kulturat bujqësore ballkanike të Evropës së Vjetër, e cila kishte një ekonomi të zhvilluar të gjedheve dhe kuajve. Termi Evropa e Vjetër (Old Europe) ose Qytetërimi i Danubit (Danubian Civilization) ka të bëjë me kulturat bujqësore neolitike dhe eneolitike që shtriheshin nga Egjeu dhe Adriatiku deri në Evropën Qendrore (Çekia, Sllovakia dhe Polonia jugore) në veri, dhe Moldavia dhe Ukraina në lindje. Sipas Entonit, popullsia e Evropës së Vjetër ka të ngjarë që përbëhej nga folësit joindoevropianë, të shpërngulur nga Anadolli perëndimor. Mërgimi i barinjve kalorës nga hapësirat e stepave pontike-kaspike drejt luginës së poshtme të Danubit rreth viteve 4200-4000 p. e. s., paraqet zgjerimin fillestar në Evropën juglindore dhe drejt Anadollit (rreth vitit 3000 p. e. s.) të folësve arkaikë proto-indoevropianë të cilët flisnin dialektet nga të cilët do të zhvillohen gjuhët e mëvonshme anatolike.
Entoni thekson se popujt e stepave kanë pasur një përparësi të veçantë në kontakte me popullsitë e tjera: shoqëria e tyre ishte e bazuar mbi strukturën luftëtare, me një organizim të fortë patriarkal. Përveç kësaj, e përdornin kalin si kafshë të luftës. Ata përdornin kuaj me karroca me dy rrota, ndërsa përdorimi i karrocave me katër rrota e mundësonte shpërnguljen e familjeve të tëra brenda kohës së shkurtër, një faktor që kishte ndikim vendimtar në lëvizshmërinë e popullsisë Jamna dhe migrimin e shpejtë drejt territoreve të reja.
Popullsia e kulturës Jamna, gjuha e tyre dhe rregullimi shoqëror patriarkal, u përhapën drejt territoreve të reja në dy mënyra: me shpërngulje graduale, duke e asimiluar pa luftë popullsinë e Evropës së Vjetër, ose me anë të fushatave ushtarake. Argumenti kyç në favor të origjinës stepike të kulturave proto-indoevropiane është se termi për karrocën me rrota nuk u shfaq deri rreth vitit 4000 p. e. r., pra, termi i përmendur shfaqet për të parën herë me paraqitjen e popullsisë që e fliste gjuhën proto-indoevropiane. Janë edhe elemente të tjera gjuhësore që lidhen ekskluzivisht me këtë popullsi. Maria Gimbutas, po ashtu, dikur zhvilloi Teorinë kurgane mbi gjurmët e kuajve të domestifikuar në kulturat e stepave.
Gjuhët indoevropiane janë, siç i rendit autori në libër: gjuhët anatolike (hitite, luviase dhe palaike), indo-iraniane, greke, frigiase, italike, kelte, gjermanike, armene, tokariane, sllave, baltike dhe shqipe (pa gjuhë simotra: dy dialekte).
Kur bëhet fjalë për fillimet e gjuhës protoshqipe brenda kulturës Jamna, vepra e Entonit argumenton bindshëm vjetërsinë e kësaj gjuhe dhe pozitën brenda familjes së gjuhëve indoevropiane.
Libri nuk është përkthyer në gjuhët e Ballkanit Perëndimor. Është në dispozicion në gjuhën origjinale në formë elektronike në internet.

Të fundit

më të lexuarat