Veprimtar i spikatur i zhanreve të ndryshme muzikore dhe letrare

Shaban Hasangjekaj

Muzikologu dhe shkrimtari i spikatur dhe mirënjohur, Shime Deshpali, rrjedhë nga popullata shqiptare arbëreshe e Zarës së Kroacisë. Është bashkëkombës bashkëvendës dhe moshatar i dramaturgut të famshëm, Josip V. Rela.
U lind më 16 shkurt 1897 në Arbënesh (Arbanas) afër qytetit të Zarës. U shkollua në Preparandën e Zarës ku mori edhe formimin muzikor. Te F. Leder mësoi pianon dhe harmonin, te F. Spade mësoi violinën, te J. Chládeka për dirigjent dhe instrumentim, ndërsa te K. Mohr – kontrapunktin. Gjatë Lufës së I (parë) Botërore (1915-1918) e ndërpreu shkollimin për shkak të vajtjes në luftë. Pas kthimit në Zarë vazhdoi të mësonte privatisht te F. Ledereri. Në vitet 1921-1943, në ishujt Hvar, Rab, Pag dhe Bllatë të Korçullës veproi si organizator i jetës muzikore, dirigjent, kompozitor dhe pedagog. Në vitin 1943 bëhet drejtues artistik i grupit kulturor-artistik të rrethit të Dubrovnikut. Në vitet 1944-1945 dirigjent i orkestrës së Teatrit të parkut në Dubrovnik.
Në vitin 1945 Shime Deshpali kthehet në Zarë dhe emërohet drejtues i Teatrit popullor. Në periudhën kohore 1946-1973 i përkushtohet punës pedagogjike. Në Shkollën e Muzikës të Zarës ligjëron teorinë e muzikës, kurse në vitet 1946-1947, në Gjimnazin klasik të Zarës, ligjëron edukimin muzikor. Në vitin 1947, në Shkollën e mësuesisë ligjëron teorinë e muzikës.
Muzikologu Shime Deshpali në vitin 1946 ka qenë dirigjent i Korit muzikor qendror të të rinjve, pastaj dirigjent i korit të përzier të Fakultetit Filozofik. Prej vitit 1951, dirigjent i korit të përzier të Shoqërisë kulturore arsimore “Arbanasi” me të cilin realizoi paraqitje të çmueshme. Kompozoi vepra për orkestrën me hark, etj.
Gjashtë këngë korale, Shime Deshpalit iu botuan në përmbledhjen “Këngë shqiptare” në Prishtinë në vitin 1973. Shprehjen kompozicionale e zhvilloi duke u mbështetur në folklor.
Shime Deshpali veprimtarin e vet të bujshme krijuese e dëshmoi edhe në opusin letrar. Shkroi poezi dhe tregime në të folmen e arbëreshëve (arbanasve) të Zarës.
Veprat e tij letrare u botuan në Prishtinë: “Tregime arbnore”, në vitin 1966, Përmbledhjet poetike “Agimet” dhe “Parabramjet e Arbneshit” në vitin 1969 dhe “E vërteta” me temë nga jeta e arbëreshëve të Zarës në vitin 1972.
Dashuria për gjuhën dhe zakonet arbëreshe, lartësimi i virtyteve morale të arbëreshëve kanë qenë tema kryesore të shkrimeve të Shime Deshpalit. Shkrimet e tij shquhen nga nota romantike, çiltërsia e ndjenjave dhe thjeshtësia e shprehjes.
Muzikologu dhe shkrimtari arbëresh hartoi këngë dhe librin e muzikës të operës me temë patriotike “Vana”, të cilën e la të papërfunduar.
Shime Deshpali ka pasur tre fëmijë, dy djem dhe në vajzë. Që të tre kanë qenë muzikantë, kompozitorë dhe dirigjentë. Djali i madh Pal (Pavle) Shime Deshpali, i lindur në Korçullë të Kroacisë më 18 qershor 1934 dhe ka vdekur më 16 dhjetor 2021, ka qenë dirigjent, kompozitor anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kroacisë, djali i dytë, Valter Shime Deshpali, i lindur në Arbnesh (Arbanas) të Zarës më 5 nëntor 1947 dhe ka vdekur në Zagreb më 9 prill 2023, ka qenë violonçelist dhe profesor në Akademinë e Muzikës në Zagreb, një prej muzikantëve më të shquar kroat të shekullit XX me prejardhje arbëreshe, dhe e bija (vajza) Maja (Maria) Shime Deshpali-Beroviq, e lindur në Bllato të Korçullës më 6 maj 1942, ka qenë violiniste dhe pedagoge.
Prof. Xhelal Zejneli në tekstin e intervistës që bëri me Shime Deshpalin në takimin e përzemërt që pati me të, me admirim shpreh mbresat e përjetuara: “Në fillim poeti foli për jetën e vet dhe të familjes. E ngriti lartë personalitetin e Josip V. Relës. Tregoi se ishte takuar disa herë me akademikun Idriz Ajeti (Tupallë, Medvegjë, Kosovë lindore) më 26 qershor 2017 dhe në Prishtinë, më 13 shkurt 2019. Pjesa kryesore e intervistës kishte të bënte me të kaluarën dhe të tashmen e arbëreshëve (arbanasve) të Zarës.
Në fund ai thekson se tekstin e intervistës së botuar në faqet e Revistës “Përpjekja” pas një muaji ia ka dërguar Deshpalit.

Të fundit

më të lexuarat