Simon Filipaj-misionar i fesë dhe identitetit kombëtar shqiptar

Organizimi i shënimit të përvjetorëve për personalitete të ndryshme, paraqet moment të veçantë nderimi dhe reflektimi për jetën dhe veprimtarinë e tyre. I tillë është edhe ky takim që ka të bëjë me 25-vjetorin e vdekjes se imzot Simon Filipaj (1925-1999), klerikut dhe përkthyesit të nderuar të literaturës liturgjike, dëshmon përkushtimin nga kisha katolike, famullia e Shën Gjergjit dhe Arkipeshkvia e Tivarit, për këtë personalitet të nderuar me përmasa fetare e kombëtare. Dom Simon Filipaj kudo ku ka jetuar e vepruar ka lënë emër të nderuar, andaj kujtohet me respekt nga qytetarët, besimtarët, studiuesit dhe intelektualët

Nail Draga

Pikërisht në këtë përvjetor do të përpiqem të prezantoj disa momente të bashkëpunimit me intelektualët në Ulqin e më gjerë, që janë më rëndësi për opinionin e gjerë, për të kuptuar veprimtarinë e tij jetësore në shërbim të fesë dhe të identitetit kombëtar shqiptar, duke mbetur model për kohën kur jetoi dhe veproi.

Prezantimi para opinionit vendas
Ngjarje e veçantë për qytetin e Ulqinit paraqet data e 20 marsit 1992, sepse nga OJQ “Art Club”, është organizuar takimi me dom Simon Filipaj. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse kjo ishte hera e parë që një klerik i nderuar, përkthyes e krijues i prezantohet publikut vendas. Pas veprimtarisë kushtuar jetës dhe veprës së hafiz Ali Ulqinakut, që është mbajtur me 15.2.1992, ishte kjo mbrëmja e dytë kushtuar figurave të anatemuara dhe të panjohura për opinionin e gjerë.
Veprimtaria është mbajtur në sallën e madhe të KK të Ulqinit me një pjesëmarrje të madhe t; të pranishmëve. Por nuk është për të çuditur një pjesëmarrje e tillë, sepse për të parën herë qytetarët e Ulqinit dhe të rrethinës kishin rastin të dëgjojnë drejtpërdrejt imzot dom Simon Filipaj në lidhje mbi veprimtarinë e tij jetësore, krijuese dhe liturgjike.
Por me ketë rast duhet të përkujtoj opinionin e gjerë, se gjatë vitit 1991 dom Simoni ishte i sëmurë dhe ka qenë shtruar disa muaj në spitalin e Cetinës. Duke marrë parasysh se ai e kishte përkthyer Biblën në shqip por në sajë të rrethanave ende ishte e pabotuar në shqip, kishte arsye që të ishte i shqetësuar dhe nga spitali i shkruante dr. dom Lush Gjergjit në Kosovë ”… luteni të bëni çmos për botimin e Mesharit dhe të Biblës. Mos lejoni të shkoj në dhe pa i parë”(28.2.1992). Por po ashtu Lush Gjergjit i lenë edhe porosinë se “… nëse vdes para botimit të Biblës, atëherë kopjen e parë ma bjer te varri im”. Ndërsa Lush Gjergji i përgjigjet se “…ne Biblën nuk e botojmë për varre, por për të gjallë. Ajo do të jetë përmendorja më e lavdishme e jotja, e kishës sonë për mbarë popullin shqiptar”.

Shpërblimi Vjetor i Art Club-it për vitin 1992
Nga viti 1991, “Art Club-i”, filloi për të ndarë çmimin vjetor për të arriturat në fushën e shkencës, artit dhe të kulturës. Ishte kjo një nismë fisnike për të vlerësuar punën profesionale dhe pasionin e krijuesve të fushave të ndryshme. Për vitin 1992, u formua Komisioni i shoqatës për ndarjen e Shpërblimit vjetor me kryetar të ndjerin prof.Bajram Rexha. Pas vlerësimit të kandidaturave të ndryshme komisioni në unanimitet vendosi që shpërblimi vjetor për vitin 1992 ti jepet dom Simon Filipaj për veprimtarinë në fushën e përkthimeve liturgjike në gjuhën shqipe dhe kontributin e dhënë kulturës kombëtare shqiptare.

Pjesëmarrës në simpoziumin shkencor
Duke dëshiruar që të shënojmë një përvjetor të kulturës sonë me rastin e 440-vjetorit të botimit të librit të parë shqip “Art Club-i” organizoi simpoziumin me titull “Meshari i Gjon Buzukut-Monument i Kulturës Shqiptare (1555-1995)” me 19-20 maj 1995 në Ulqin.
Në këtë simpozium ka marrë pjesë edhe dom Simon Filipaj me kumtesën me titull ”Meshari-doracak kulti-vështirësitë e përkthyesit dhe të shtjellimit kritik “. Në këtë kumtesë profesionale nga aspekti i përkthimit në fillim na paraqet raportet tona shoqërore në të kaluarën dhe tash ku duhet cituar në mes tjerash se“…fati i mirë historik për ne ka vijuar të na bëjë leqe e dredha, herë më të mëdha e herë më të vogla, kështu qe nëse s‘kemi marrë vetë në thua, të tjerët na e kanë qitur cungun e rrëzimit ndër këmbë, nëse na ka lënë në qetësi i huaji, na ka marrë në pikë të qafës i veti”(1995).
Nuk ka dilemë së këto vlerësime janë aktuale edhe sot në mesin tonë.

Takimi komemorativ për Nënë Terezën
Lajmi i vdekjes së Nënë Terezës me 6 shtator 1997, jehoi në tërë hapësirën mbarëkombëtare. Andaj duke çmuar lart veprimtarinë e saj humanitare anekënd botës, edhe ne në Ulqin vendosëm që të mbajmë një takim komemorativ.
Organizimi i takimit u bë nga “Art Club-i” ku fillimisht kemi vendosur një shpallje në hyrje të Komunës së Ulqinit, për të gjithë të interesuarit. Takimi u mbajt në sallën e madhe të KK të Ulqinit me 9 shtator 1997. Pa hezitim fjalën e rastit kemi vendosur që ta mbaj dom Simon Filipaj, si meshtari më autoritativ në ketë mjedis, i cili këtë propozim e pranoi më kënaqësi. Ishte ky një organizim shumë domethënës, sepse mblodhi numër të konsideruar pjesëmarrësish, duke dëshmuar se ajo është e të gjithë shqiptarëve, pa marrë parasysh përkatësinë konfesionale. Duhet cekur se më atë rast nga të gjithë të pranishmit u mirëprit propozimi që një shesh apo rrugë në qytetin e Ulqinit të mbajë emrin e saj.

(Vijon)

Të fundit

më të lexuarat