Rrok Mirdita

Luljeta Avdiu – Cura

Mons. Rrok Mirdita ka lindur në Këllezen të Ulqinit (Mal i Zi), më 28 shtator 1939. Shkollën fillore dhe të mesme e ka ndjekur në vendlindje. Ka kryer Liceun Klasik dhe studimet filozofike dhe teologjike në Zagreb, me rezultate të shkëlqyera.
U shugurua meshtar më 4 korrik 1965 nga Arqipeshkvi i Tivarit, Aleksander Tokic. Deri në 1973 ka zhvilluar veprimtarinë e vet baritore ndër famullitë shqiptare të dioqezës së Tivarit (Mal i Zi). Në këtë vit dërgohet nga Arqipeshkvi i tij në New York për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve shqiptarë në nevojat baritore pranë qendrës “Zoja e Këshillit të Mirë” në Bronks (Bronx).
Në përkim me Arqipeshkëvin e Tivarit Eminenca e Tij Card. Terence Cook, Arqieshkvi i New York, me një dekret të 19 qershorit 1981 e inkardinon në dioqezën e tij duke e ngarkuar me veprimtarinë baritore pranë qendrës “Zoja e Këshillit të Mirë”.
Në 1985 Eminenca e Tij Kradinal O’Connor Arqipeshkv i New York-ut e emëron administrator të qendrave Katolike Shqiatare “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe “Shën Pali”. Më 28 shtator 1989 emërohet nga i njëjti arqipeshkëv, famullitar i famullisë së re “Zoja e Shkodrës”, e themeluar nga vetë Mons. Rrok Mirdita.
Gjatë viteve në New York do të merret me përkushtim të veçantë me çështjen e të larguarve nga Shqipëria, me të cilët bashkëndan dramën e dhimbjes e fatkeqësinë e të afërmve të mbetur në atdhe, të cilët i trajtojnë si tradhëtarë.
Në 1991 viziton Shqipërinë, që e kishte njohur përmes emigrantëve shqiptarë të ShBA-së dhe solidarizohet me plagët e këtij vendi të martirizuar. Në 1992 Papa Gjon Pali II e emëron Arqipeshkëv i Durrës–Tiranë. Pas këtij emërimi largohet për t’u vendosur në Shqipëri duke u përkushtuar për ngritjen shpirtërore dhe promovimin njerëzor të popullit besuar kujdesit të tij baritor.
Më 24 prill 1993 shugurohet Ipeshkëv nga Papa Gjon Pali II, gjatë udhëtimit të tij apostolik në Shqipëri, në Katedralen e Shkodrës, së bashku me tre klerikë të tjerë të mbijetuar nga regjimi komunist. Të njëjtën ditë bën hyrjen zyrtare në dioqezë së bashku me Atin e Shenjtë.
Në vitet 1994-2000 është president i Caritasit Shqiptar dhe angazhohet fuqishëm në lehtësimin e vuajtjeve të shkaktuara nga lufta e Kosovës. Më 29 mars 1999 u bën thirrje institucioneve të ndryshme katolike të Evropës për t’iu ardhur në ndihmë popullsisë në nevojë të skajshme, thirrje së cilës i përgjigjen me efktshmëri shumë prej tyre.
Në vitin 1996 zgjidhet kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe kryetar i parë i Shoqërisë Biblike Ndërkonfensionale në Shqipëri, shoqëri e sapothemeluar.
Në vitin 2000 Sovrani i Maltës i jep titullin Kapelan i Kryqit të Lartë ad honorem duke e vënë në kategorinë e mësuesit të madh.
Në vitin 2002 përfundon ndërtimin e Kishës Katedrale të Shën Palit në Tiranë, duke i dhuruar bashkësisë katolike një pikë referimi për rritjen shpirtërore, gjë që do të lërë shenjë në zhvillimin shoqëror e shpirtëror të vendit.
Në janar të vitit 2005 Papa Gjon Pali II e lartëson në rangun e Arqipeshkvit Metropolit dhe më 29 qershor të të njëjtit vit merr nga Papa Benedikti XVI në Bazilikatën e Shën Pjetrit Platinium e Metropolit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës i jep titullin Qytetar Nderi, duke vlerësuar ndihmesën e jashtëzakonshme të arqipeshkvit për zhvillimin e harmonisë fetare, rilindjen e besimit në të gjithë vendin dhe maturinë me të cilën ka ndihmuar në kapërcimin e vështirësive politike. Po të njëjtin titull i jep edhe kryetari i Bashkisë Rrëshen për ndihmesën e shkëlqyer në ndërtimin e strukturave kishtare.
Për më se 13 vjet, arqipeshkvi është angazhuar që Kisha Katolike më Shqipëri në këtë dioqezë të rëndësishme, t’i vijë në ndihmë të gjitha kategorive të popullsisë. Për këtë arsye i ka nxitur misionarët që të angazhohen në fushën e arsimit, atë shëndetësore, në mbrojtjen e fëmijëve, në mbështetjen e familjeve në vështirësi dhe në strehimin e të braktisurve përmes hapjes së shkollave fillore (fillore e të mesme), azileve, qendrave sociale, shkollave profesionale, qendrave shëndetësore dhe atyre për fëmijët e braktisur, si dhe një qendër për rikuperimin e të rinjve të prekur nga droga dhe e gjithë kjo pa bërë diskriminime fetare e shoqërore.
Në vitin 2006, presidenti i Republikës së Shqipërisë Z. Alfred Moisiu i ka akorduar “Urdhërin Nënë Tëreza” me motivacionin: “për kontributin e dhënë në ndërtimin e institucioneve të Kishës Katolike në Shqipëri; për vëmendjen e veçantë të dialogut ndërfetar; për angazhimin në themelimin e institucioneve të ndihmës sociale dhe ndihmesës së njerëzve në kushte të pafavorshme”.
Në maj 2006, asambleja e zakonshme e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë e zgjedh rishtas kryetar të saj. Ne vitin 2010 presidenti i Republikës z. Bamir Topi, i akordon urdhrin Gjergj Kastrioti Skënderbeu, më 13 maj 2013 Akademia Ndërkombëtare Bonifaci 8 i akordon titullin “Akademik Nderi”.

Intervista në vazhdim u realizua në vitin 2011, e për realizimin e saj dhe për fotografitë falënderoj mësuesin në pension Zef Mirdita (vëllain e të ndjerit Rrok Mirdita).

Çfarë kujton Imzot Rrok Mirdita nga periudha e shkollimit në barakën e Klleznës?
Kujtimet e mia më të hershme janë jo fort të shkëlqyera. Në vitin 1946, fill pas Luftës II Botërore, nisa shkollën e parë në një barakë të improvizuar në Kllezën të Ulqinit. Kishim një mësues që ishte në gjendje sa për të na mësuar të shkruanim e të lexonim. Janë momente që i mbaj mend mirë. Kushtet ishin jashtëzakonisht të vështira, por dëshira ime për të ndjekur shkollën qe e madhe. Më pas erdhi frekuentimi i shkollës 8-vjeçare në Vlladimir, jo larg kufirit me Velipojën. Ishim një grup nxënësish të 3-4 gjeneratave që mësonim së bashku. Nuk i harroj ato momente të “trushpërlarjes”. Komunizmi sapo kish nisur të konsolidohej dhe marrëdhëniet e Jugosllavisë me Shqipërinë dhe Bashkimin Sovjetik qenë të mira. Mbaj mend se në shkollë brohorisnim tre emrat e diktatorëve përkatës. Unë dhe kolegët e mi, që arritëm të përfundonim 8-vjeçaren (semimaturën) në kushtet e vështira të asaj kohe ishim një numër shumë i vogël. Në vitin ’48 ndodhën tensionet mes shtetit shqiptar dhe atij jugosllav. Gjendja u përkeqësua më shumë për ne. Sot kur reflektoj mbi të kaluarën, krijoj një respekt për veten. Kjo në kuptimin e vullnetit që kam treguar duke insistuar pavarësisht vështirësive, në ndjekjen dhe përfundimin e shkollës.

Cilat kanë qenë vështirësitë me të cilat jeni përballur qysh në fëmijëri?
Vetëm që të shkonim në shkollë duhej të ecnim rreth një orë e gjysmë më këmbë. Kalonim një mal për të arritur te shkolla dhe kjo gjë duhej bërë përditë. Në kohën e dimrit, kur shkurtohej dita, shpesh ktheheshim në shtëpi në mbrëmje. Natën kalonim përrenjtë, rrugët e këqija këmbësore, malin… Në kohë me diell apo me shi, rruga jonë ishte e njëjtë. Në atë kohë nuk kishte as drita. Mbanim ndonjë llambë ose mjete të tjera primitive për të ndriçuar. Por shpesh na mungonte nafta ose vajguri. Vetëm gjatë natës ne mund të përgatiteshim për të nesërmen për në shkollë.

Po marrëdhënia juaj me prindërit, si e pritën ata faktin që ju po vazhdonit shkollën në atë kohë paslufte, pasigurie dhe mjerimi?
Gjithmonë i kujtoj me mirënjohje të thellë. Përballë atij realiteti të vështirë, prindërit patën vullnetin që ne të shkolloheshim dhe brenda mundësive, ata na siguronin kushtet minimale të jetesës si veshmbathjet, ushqimet etj.. Ishim vetëm tre djem nga Këllezna që frekuentonim shkollën. Ishte një vend shumë i vogël, i kufizuar nga largësia dhe kushtet e vështira. Presioni dhe propaganda e fuqishme në anën tjetër nuk qenë aspak të lehta për tu përballur. Një drejtor shkolle në atë kohë nuk ishte thjesht personi që kujdesej për mbarëvajtjen e shkollës, programit mësimor dhe nxënësve, por edhe një njeri i shtetit, madje jo vetëm kaq.

Cila ishte rruga që ndoqët më tej?
Pasi mbarova gjysmë maturën, u regjistrova në gjimnazin klasik të Zadrit pa diplomë, me kusht që diplomën ta çoja më vonë, përndryshe regjistrimi nuk vlente. Vëllai, me atë karakterin e vet të egër të malësorit, shkoi dhe i bëri presion drejtorit të shkollës, derisa ai ia dha diplomën time.

Si ndodhi që vendosët të ndiqnit rrugën e priftërisë dhe a patët vështirësi të tjera?
Është një fakt interesant. Deri në atë moshë unë kam qenë si çdo fëmijë tjetër, madje edhe pak çapkën. Zakonisht të gjithë ne, në fillim të jetës sonë, kemi nga një model që na nxit në njëfarë mënyre. Unë kam pasur fatin të njoh Dom Simon Filipaj, i cili është përkthyesi i parë i Biblës të plotë në gjuhën shqipe. Ai ishte fqinj me ne në fshat.

Ai kishte përfunduar seminarin 8-vjeçar në Shkodër dhe në ’46-n u kthye në vendlindje pasi mbante nënshtetësi jugosllave. Ishte një njeri shumë inteligjent dhe aq i dashuruar me Shkodrën dhe Shqipërinë, sa në çdo fjalë i dilte një përshkrim, një veçanti, diçka nga vendi amë. Ishin tre veta që u detyruan të ktheheshin nga Shkodra dhe pastaj Ipeshkvi i Tivarit, i dërgoi në Zagreb për të kryer Fakultetin Filozofik-Teologjik. Më kujtohen ato net të gjatë të dimrit, kur të gjithë mblidheshim dhe dëgjonim atë të na recitonte, tregonte ndodhi e histori të ndryshme. Interesant ishte fakti se pothuajse gjysmën e Lahutës të Malësisë ai e dinte përmendësh. Në atë kohë nuk kishim as televizorë, as radio. Të gjithë e dëgjonim Dom Filipajn me atë oratorinë dhe diksionin e tij të mrekullueshëm. Në vitet e ’50-ta ai u shugurua për meshtar në Zagreb. Në sytë e mi ky njeri u bë model për t’u ndjekur në jetë. Doja së paku të arrija diçka nga kjo figurë. Me kalimin e viteve nisa të hyja në studime dhe thirrja, që në fillim ishte në përmasat e embrionit, dalëngadalë erdhi të zhvillohej. Ndoqa modelin jo vetëm të një intelektuali, por edhe të një shqiptari të plotësuar. Ne aty kemi qenë jo vetëm të veçuar, por edhe të diskriminuar si shqiptarë. Gjithmonë njerëzit mundoheshin të na trajtonin si një klasë inferiore, ndonëse në publik thuhej se i gëzonim të gjitha të drejtat, njësoj si të tjerët.
(Vijon)


(Vijon nga numri i kaluar)

Intervista në vazhdim u realizua në vitin 2011, e për realizimin e saj dhe për fotografitë falënderoj mësuesin në pension Zef Mirdita (vëllain e të ndjerit Rrok Mirdita).

Siç pamë nga fotografitë tuaja, keni kryer edhe shërbimin ushtarak. Ç’do të thoshit për atë kohë?
E kam bërë ushtrinë në Resen, një vend midis Bitolës dhe Ohrit, jo larg Liqenit të Prespës.
Aty ishte një fenomen interesant, rreth 30 ushtarë qenë nxënës të kategorive të ndryshme, të cilët ndiqnim rrugën për t’u bërë priftërinj. Kjo nuk ishte e rastit. Rruga jonë ishte e vetmja mënyrë që të mund të arsimoheshim dhe të mos mbeteshim të izoluar. Edhe në këtë moment kishte një presion të ideuar me qëllime të mbrapshta. Atëherë sapo do të nisja semestrin e nëntë të shkollimit, kur nga Zagrebi më vjen thirrja për të bërë shërbimin e detyruar ushtarak. E njëjta gjë ndodhte me të gjithë ne. Kjo bëhej jo pa qëllim. Pasi na çonin në ushtri, niste shpëlarja e trurit dhe presioni mbi ne. Mundoheshin të na bindnin me presion jo fizik, por psikologjik (nganjëherë kishin dhe sukses) që ta linim rrugën e priftërisë. Për ne flitej me tallje, sarkazëm e ironi të ndryshme, duke paraqitur gjërat më negative. Nuk qe e lehtë të rezistoje për dy vite me radhë. Secili prej nesh, ndonëse kishim një bagazh të gjerë nga Fakulteti Filozofik-Teologjik i Zagrebit, trajtohej sikur të qe me shkollë të mesme. Pas ushtrisë vazhdova studimet dhe dy vite të tjera dhe në vitin 1965 Arqipeshkvi i Tivarit, Aleksandër Tokiç, më shuguroi si meshtar. (Fund)

Të fundit

më të lexuarat