Dy ditë bashkimi, arti dhe aktivizmi për natyrën

Kampi dyditor në Ulqin nuk ishte një ngjarje e zakonshme. Ishte një manifest për natyrën, një akt solidariteti dhe bashkimi, një dëshmi se zërat e qytetarëve janë të aftë të ndikojnë politikën dhe zhvillimet që prekin mjedisin dhe të ardhmen tonë të përbashkët

Nën moton “Plazhi i Madh apo Mashtrimi i Madh”, një grup prej disa organizatash joqeveritare nga i gjithë Mali i Zi mblodhi qindra qytetarë në një kamp dyditor (2-3 maj 2025) publik në qendrën e kiteboarding-ut të plazhit “Laguna”, buzë Plazhit të Madh në Ulqin, me synimin për të ndërgjegjësuar publikun mbi rëndësinë e ruajtjes së Plazhit të Madh si një pasuri natyrore e përbashkët, që nuk duhet lënë në duart e interesave ndërtimore dhe investimeve të pakontrolluara.

Një vend që i përket të gjithëve
Plazhi i Madh është më shumë sesa një destinacion turistik. Ai është një ekosistem unik, një hapësirë me rëndësi jetike për biodiversitetin, një pasuri kulturore dhe një trashëgimi natyrore e përbashkët. Me këtë ndërgjegjësim, organizatorët e kampit – nën mbështetjen e Komunës së Ulqinit dhe me pjesëmarrjen e organizatave si Shoqata Malazeze e Ekologëve (CDE), Fondacioni Petroviq, KANA, EXPEDITIO, dhe shumë të tjerë – krijuan një platformë për edukim, art, debat dhe veprim konkret.

Dita e parë – Edukim dhe art në shërbim të natyrës
Aktivitetet nisen më 2 maj, në orët e pasdites, me një edukim praktik në terren mbi vlerat ekologjike të Plazhit të Madh dhe zonës përreth, udhëhequr nga ekspertët e Shoqatës Malazeze të Ekologëve. Kjo pjesë solli një kuptim më të thellë të rëndësisë së ruajtjes së sistemit të lagunave, dunave dhe specieve të rralla që jetojnë në këtë mjedis delikat.
Më pas, Fondacioni Petroviq dhe eksperti Millivoja Ceroviq prezantuan temat “Valorifikimi i mbetjeve” dhe “Eco Granulat Energies”, duke e vendosur fokusin në çështjet e menaxhimit të qëndrueshëm të mbetjeve dhe rëndësinë e ekonomisë rrethore në mbrojtjen e mjedisit.
Në të njëjtën ditë, adhuruesit e natyrës patën rastin të përjetojnë një përvojë të rrallë përmes vëzhgimit të shpendëve, ndërsa debati “Frymëzim nga Jugu” tuboi së bashku qytetarë, artistë dhe aktivistë për të reflektuar mbi identitetin dhe të ardhmen e Plazhit të Madh si simbol i lirive natyrore.
Mbrëmja u shndërrua në një festë të artit dhe ndërgjegjësimit. Muzikanti Shule Jovoviq me trion e tij solli tinguj që rezononin me frymën e detit dhe tokës. Violinistja Tanja Shevaleviq – Bogdanoviq, në bashkëpunim me DJ Chevalier, krijuan një bashkëdyzim të veçantë ndërmjet muzikës klasike dhe asaj elektronike. Dita u përmbyll me projeksionin e filmit dokumentar “Punëtorët e egërsirës” të regjisorit Mlladen Ivanoviq, një portret i fortë i lidhjes njerëz-natyrë.

Dita e dytë – Diskutim, pastrim dhe bashkëpunim ndërmjet brezave
Mëngjesin e 3 majit, kampi vazhdoi me një diskutim publik mbi sfidat dhe mundësitë për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Plazhit të Madh. Në panel morën pjesë personalitete me ndikim: Sonja Dragoviq (KANA), Aleksandra Kapetanoviq (EXPEDITIO), Shkëlzen Sulejmani (sekretar për Urbanizëm i Komunës së Ulqinit), si dhe princi Nikolla Petroviq Njegosh, i cili theksoi se “trashëgimia natyrore është përgjegjësi e të gjithëve, jo vetëm e institucioneve”.
Pas diskutimit, qindra pjesëmarrës, të pajisur me doreza dhe qese, iu bashkuan aksionit simbolik të pastrimit të Plazhit të Madh – një veprim konkret që përforcoi mesazhin se kujdesi për natyrën fillon me secilin prej nesh.
Më pas, dita vazhdoi me performanca muzikore: Edon Ceka (Cedon) solli tinguj të bukur me kitarë, të shoqëruara me zërin e tij unik, DJ Magdalena krijoi atmosferë energjike, dhe harpistja Milica Kankarash – Berber e mbylli programin muzikor me një performancë që tërhoqi vëmendjen dhe shpirtin e audiencës.
Në orën 20:00 u dha një shfaqje nga Teatri 303, me titullin “Qeveria e 44-të në episodin: Dubai 3”, ndërsa në orën 21:30, u prezantua projeksioni filmik dhe biseda: “Ndaloni Aeroportin” nga regjisori Artan Rama, i cili dokumenton ndikimet e rënda të projekteve ajrore mbi mjedisin.

Fëmijët, kuzhina, kultura – pjesë e pandashme e kauzës

Kampi ofroi një program të dedikuar për fëmijët, nga ora 10:00 deri në 17:30 të dy ditët, me aktivitete kreative, edukative dhe rekreative që i afruan brezat e rinj me natyrën në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe argëtuese.
Banorët vendas u kujdesën për mikpritjen tradicionale përmes gatimeve tipike të kuzhinës ulqinake, duke ofruar shije lokale për vizitorët.
Në tri ekspozita të përhershme u prezantuan vepra të cilat shprehin vizualisht lidhjen mes njeriut dhe natyrës: “Horizonti i Lirisë” nga fotografi Danillo Novoviq, “Bota e fshehur e Plazhit të Madh” nga Shoqata Malazeze e Ekologëve dhe “Beach Land Art” nga artisti Marko Petroviq Njegosh.

Një mesazh që duhet të dëgjohet
Kampi dyditor në Ulqin nuk ishte një ngjarje e zakonshme. Ishte një manifest për natyrën, një akt solidariteti dhe bashkimi, një dëshmi se zërat e qytetarëve janë të aftë të ndikojnë politikën dhe zhvillimet që prekin mjedisin dhe të ardhmen tonë të përbashkët. Pjesë e programit ishte edhe një tur me biçikleta përgjatë vijës bregdetare të Plazhit të Madh, i organizuar nga Klubi i Çiklistëve ”Buna”, duke promovuar lëvizjen e qëndrueshme dhe ndërveprimin e shëndetshëm me natyrën.
Në përfundim, mesazhi i këtij aktiviteti ishte i qartë dhe i fuqishëm:
“Plazhi i Madh nuk është tokë për ndërtime. Ai është tokë për jetë, për frymëmarrje, për natyrë të paprekur. Ta mbrojmë tani – ose do ta humbasim përgjithmonë”.
Ky aktivitet u mbështet nga Komuna e Ulqinit dhe informacionet e plota rreth programit dhe logjistikës ishin të qasshme përmes rrjeteve sociale të Shoqatës së Ekologëve të Malit të Zi (CDE). Transporti falas për pjesëmarrësit u organizua nga Podgorica, duke lehtësuar pjesëmarrjen dhe përfshirjen e sa më shumë njerëzve në këtë nismë gjithëpërfshirëse.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat