
E SHALON ATIN
YMER KABASHI
Nga Gurakoci i hip atit vraç,
Ymer Kabashi, pajtimtari autoritativ fisnik,
Është nisur për në Pejë, në kasabanë e madhe.
Në shpinë e mban dajren,
E ka mprehur mustakun që të duket burrërisht, sojnisht.
- Ku je nisur në rrugë të mbarë Ymer Sadiku?
- Në Pejë, kasabanë e madhe. Që ta sjell botën e madhe në shtëpi,
Që ta sjell atë kutinë magjike, e cila flet dhe këndon.
E qofsh i nderuar Ymer Sadiku. Edhe në Gurakoc
Ta dëgjojmë këtë magji njerëzish dhe të botës. Rrugë e mbarë.
Kalëron krenarisht mbi kalin vraç,
E përshëndesin komshinjtë, fistarët e tij,
Ka mjaft kalërim,
Përmes Dobrushës, Banjës, Vitomiricës…
Përcjell me dajre, këndon balada shqiptare.
Udhëton Ymeri mbi kalë,
Udhëton mbi ëndrra,
Se si fshatarët do ta dëgjojnë Nexhmije Pagarushën,
Bilbilin e Kosovës, këngë e pushtetarëve të huaj,
Për këtë reflekton.
Çuditet nga çudia,
Bisedon me vetveten.
Vetëm që ta preku…
E ka parë këtë magji te Jovashi i Llukës,
Të ardhacakut malazez, shtegtari i përhershëm dhe kryengritës.
Është vullnet i Zotit,
T’i përbashkojë të mosmarrurit vesh e ata të pamendët.
Çfarë do të thonë komshinjtë, bashkëfistarët,
Dhe ashtu, për gjithçka dhe për çdo gjë mendon.
I afrohet kasabasë së madhe,
E përshëndesin fëmijët e mëhallës,
Çarshisë përhapet aromë buke, e simiteve, gjevrekëve,
Erëmojnë qebapët, mollët, dardhat e mjalta, pjepëri,.
Të uriturit ushqehen nga aromat,
Këtë herë nuk do të hyjë në hekurishte as në farkëtari.
Drejt në shitore të gjithçmosit.
Shitësi serioz ia tregon Ymerit,
- Ky punon me rrymë, ky tjetri pa rrymë elektrike,
Me bateri, këtë edhe mund ta marrësh në arë. - Në arë? – pyeti i çuditur Ymeri i Sadikut.
- Derisa të hedhësh farë, të mbjellësh, mbledhësh.
- Magji e botës – me entuziazëm bërtet Ymer Sadiku.
E mbajti mend Ymeri se si aktivizohet, se si fiket,
Zgjodhën stacionet. Duhet dije dhe shkathtësi,
Mjafton një herë t’i tregojë,
Ymeri ka kujtesë të shkëlqyeshme,
Këndon Ismet Peja, Pagarusha, këndon Ymeri.
Radioja me bateri e mbush shtëpinë e Kabashit,
Rritej autoriteti i Ymerit,
Flisnin, “siç thotë Ymeri”, “Ymeri këtë e di”…
”Ymeri e ka dëgjuar këtë”, “pyete Ymerin e Sadikut“.
E njohin deri në Klinë, Istog, Dubravë, Zallç, Rakosh…
Ne fëmijët dëgjonim këngët,
Tonat dhe të huajat,
Siç thoshte Ymeri, ”radio është si libri,
Flet, lexon, këndon“.
Ka ardhë bota në Gurakoc,
Përmendet në radio,
Flasin në Prishtinë, kurse ne i dëgjojmë këtu.
Për ne dinë në Beograd, Zagreb, Lubjanë…
Dhe të gjitha këto nga kutia e vogël.
Ymer Sadik Kabashin,
E dinin si pajtimtar ngatërresash
Ku e vendoste besën si themel,
Aty arrihej paqja. Dhe ashtu ndodhte.
Më pastaj, si ai Ymer Sadik Kabashi,
I cili e solli botën në Gurakoc,
Të moçmit propozuan që një rrugë, për nderim të mbaj emrin e tij.
E mbajtën mend koha dhe njerëzit,
Atëherë jemi mrekulluar, e përshëndesnim botën e re.
Siç fliste Ymeri i Sadikut,
“Kur mrekullohesh dhe çuditesh, kjo është kënaqësi shpirti.
Kush nuk mrekullohet, ai nuk ka shpirt,
Nuk e di se çka është meraku”.
I tillë ka qenë Ymeri i Sadikut dhe koha e tij.
Qershor 1966
DUKAGJINI ËSHTË I VOGËL, SHPRESA ËSHTË E MADHE
Pasardhësit e Ymer Kabashit nga Gurakoci,
Kanë mbjellë emra botës,
Ekspertë kompjuterësh në Çikago,
Sportistë në Zvicër,
Violinistë në Zagreb,
Taksistë në Londër,
Politikanë në Sicili,
Rojtarë zoo parku në Shkup.
Mbi tridhjetë pasardhës të Ymer Kabashit,
Kanë mbjellë botës emrat dhe profesionet,
Të mbirë në Gurakoc, Dukagjin,
E pastaj era e shpresës dhe e ekzistencës,
I ka shpërndarë botës si lule qumështi,
Për pjesën e tyre të jetës.
Disa pasardhës të pasardhësve,
Nuk kanë dëgjuar për Ymer Kabashin,
Të rrallët kanë dëgjuar,
Te secili syresh ka mbetur.
DNK e zërit, virtytit, manisë,
Ashtu sikur pemët vazhdojnë të kenë shijen dhe aromën,
Ashtu edhe perimet, insektet, kafshët, zogjtë e njerëzit…
Zvogëlohet edhe bota e madhe,
Dukagjini i vogël me shpresë dhe ëndrra,
Bëhet i madh, por jo i largët,
Njerëzit fluturojnë qiellit, jetojnë nën tokë.
Për Ymer Kabashin këto ishin ëndrra,
Pasardhësit e tij këto i jetojnë,
E diela është e kaluara, e hëna është e tanishmja,
E marta – ardhmëria.
Kështu sot matet koha,
Historia e kohës, e pasjes dhe mospasjes,
Civilizimi është si orë zalli,
Matet dhe përshpejtohet vetë.
Pasardhësit e Ymerit në të tillë
stuhi të kohës shkojnë.
Zhduken, lindin.
Ciklet lindin dhe zhduken.
Gurakoci rritet dhe ndryshon njerëzit, shtëpitë, drunjtë,
Shprehitë, miqtë, festimet, adetet.
Kush mbetet e mban mend, kush shkon harron.
Dhe ky është cikli.
U bie kjo ndërmend
Në çastin e vdekjes.
Edhe… Ymeri dhe pasardhësit e tij, miqtë,
Dhe kalimtarët e tjerë të botës.
Dubai, 25 janar 2024
Përktheu në gjuhën shqipe:
Smajl Smaka