![](https://kohajavore.me/wp-content/uploads/2021/01/Ismet-Kallaba-21.jpg)
Që prej më shumë se dy muajsh Serbia gëlon nga protestat paqësore të studentëve, profesorëve të tyre dhe qytetarëve të tjerë, të cilët i janë bashkëngjitur protestës, që si shkas kanë tragjedinë në stacionin hekurudhor në Novi Sad. Ata besojnë se incidenti i ndodhur më 1 nëntor 2024, kur nga shembja e strehës prej betoni vdiqën 15 viktima të pafajshme, mes të cilave edhe dy fëmijë, është pasojë e korrupsionit qeveritar në një projekt të madh infrastrukturor me një kompani shtetërore kineze. Në tremujorin e kësaj tragjedie, studentët dhe protestuesit e tjerë kanë bllokuar të shtunën (1 shkurt 2025) për rreth 24 orë urën kryesore në Novi Sad – Urën e Lirisë, si dhe për tri orë dy urat tjera në këtë qytet – Varadin dhe Zhezhel. Protestat kanë filluar me bllokimin e universiteteve në Novi Sad, Beograd dhe në disa qytete të tjera në Serbi, për t’u shndërruar në protesta masive gjithëpopullore.
Protestat e studentëve kanë paralizuar jetën në Serbi dhe kanë lëkundur ndjeshëm pozitën e Presidentit Aleksandar Vuçiq, i cili deri pak kohë më parë konsiderohej i paprekshëm dhe i gjithëfuqishëm për shkak të përqendrimit të të gjithë pushtetit (pushteteve) në duart e tij. Edhe në të kaluarën ka pasur protesta që janë organizuar kryesisht nga opozita serbe për shkak të manipulimeve zgjedhore etj., por këto janë protestat më të mëdha në historinë më të re të Serbisë. Deri tani, Vuçiqi është treguar gjoja paqësor, duke i lënë studentët të protestojnë me shpresën se kështu do të relativizohen protestat e tyre. Por përkundër kësaj, pakënaqësia dhe vreri ndaj pushtetit dhe intensiteti i protestave ka ardhur duke u rritur. Nga ana tjetër, ai është përpjekur t’i diskreditojë studentët – organizatorët e protestave, duke i akuzuar ata se janë të paguar nga jashtë për ta destabilizuar dhe gjunjëzuar Serbinë. Por akuzat e tij të pabaza, përkundrejt ndikimit që ai ka në median serbe, kësaj radhe duket se nuk kanë pirë ujë! Studentët janë shndërruar në simbol të qëndresës, duke fituar përkrahje dhe gëzuar simpati edhe prej grupeve tjera të popullsisë, të cilët janë solidarizuar me ta. Kështu në këtë përballje, në skenë janë shfaqur dy fytyrat apo imazhet e Serbisë: ajo përparimtare, që personifikohet nga studentët, dhe ajo retrograde që personifikohet nga Vuçiqi dhe ithtarët e tij.
Megjithëse në kulmin e fuqisë së vet politike, i gjendur përballë situatës më të vështirë në karrierën e tij politike, kur sheh se si para syve të tij po i shembet nga brenda kulla e pushtetit që ka ndërtuar vetë, në përpjekje për të shuar pakënaqësinë e protestuesve, ai ka denjuar që të bëjë kurban edhe bashkëpunëtorin (lexo, shërbëtorin) e tij më të ngushtë, kryetarin de jure të Partisë Përparimtare Serbe të Vuçiqit, Millosh Vuçeviq, i cili ka qenë i detyruar të japë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Serbisë.
Vuçiqi është pjellë e politikës nacional-shoviniste serbe të viteve ‘80 dhe ‘90 të shekullit të kaluar, i cili gëzon mbështetjen dhe ka bekimin e Kishës Ortodokse Serbe. Dikur kamerieri i politikanit radikal serb Vojisllav Sheshel dhe ish-ministri i kryetarit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, i dënuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës, ka ndërtuar një pushtet autokratik, duke e drejtuar Serbinë me dorën e hekurt. I konsideruar si dorë e shtrirë e politikës ruse dhe i Putinit në Ballkan, Vuçiq është përpjekur që në sytë e botës dhe të ndërkombëtarëve të luajë rolin e një udhëheqësi të moderuar, i cili gjoja është për zgjidhje paqësore në Ballkan, ndërkohë që me veprimet e tij malinje ka bërë çdo gjë që t’i destabilizojë vendet e rajonit, përfshirë Kosovën, Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën etj., duke mos përjashtuar edhe përdorimin e armëve, siç ishte rasti në Banjska të Kosovës, më 24 shtator 2024.
Duke e njohur mirë Vuçiqin, idhujt e tij shpirtërorë dhe aleatët e tij në politikën e sotme ndërkombëtare, ku para së gjithash bëjnë pjesë Presidenti rus Vladimir Putin, kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, udhëheqësi i serbëve të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, në mesin e tyre edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, s’do mend se si të gjithë autokratët dhe diktatorët ai nuk do të dorëzohet, por do të bëjë çdo gjë për të shpëtuar lëkurën e vet dhe regjimin e tij. Nëse deri tani ai është treguar gjoja si paqësor, në varësi të rrjedhës së ngjarjeve dhe të situatës, ai nuk do të ngurrojë të përdorë dhunën dhe gjithë aparatin shtetëror për të shuar protestat.
Në gjithë këtë vorbull politike në Serbi, pyetja më e qenësishme është: A ka ardhur koha që, më në fund, vetë Vuçiqi të bëhet kurban (si për ironi, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i afërt me presidentin e Serbisë, ka një libër me këtë titull – “Kurban”) i politikës së vet? Largimi i Vuçiqit dhe i sundimtarëve të tjerë autokratë do të ishte shpëtim për vetë Serbinë dhe vendet e tjera autokratike.