Fokusi në promovimin e përvojave autentike

Diskutimet u përqendruan në avantazhet e rajonit ndërkufitar dhe mënyrat për të zhvilluar koncepte të reja që përputhen me prirjet moderne të turizmit. Një nga idetë kryesore të diskutuara ishte promovimi i modelit të ri të quajtur “workation”, që nënkupton kombinimin e punës me pushimet në destinacione turistike. Ky koncept është veçanërisht tërheqës për vizitorët digjitalë dhe profesionistët që punojnë në distancë

Ulqin – Në kuadër të projektit “Nga idetë fiktive të hoteleve tek ato reale, për forma inovative të turizmit”, të hënën në Ulqin u mbajt tryeza e rrumbullakët me temën “Rikonceptimi i mikpritjes: transformimi i modeleve të turizmit për vizitorët e së nesërmes”. Kjo nismë është pjesë e programit Interreg IPA Adriatiku Jugor dhe synon të promovojë forma të reja dhe të qëndrueshme të turizmit në rajonin ndërkufitar.
Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues të Shoqatës së Hotelierëve të Malit të Zi, qeverisjes vendore, Organizatës Turistike të Ulqinit, institucioneve publike, menaxherë të kompanive hoteliere, agjenci udhëtimesh, operatorë e inovatorë turistikë, si dhe përfaqësues të iniciativave private dhe shoqatave profesionale. Diskutimet u përqendruan në avantazhet e rajonit ndërkufitar dhe mënyrat për të zhvilluar koncepte të reja që përputhen me prirjet moderne të turizmit. Një nga idetë kryesore të diskutuara ishte promovimi i modelit të ri të quajtur “workation”, që nënkupton kombinimin e punës me pushimet në destinacione turistike. Ky koncept është veçanërisht tërheqës për vizitorët digjitalë dhe profesionistët që punojnë në distancë. Tryeza vuri në dukje potencialet e zonave kufitare, duke përfshirë Ulqinin, rajonin përgjatë lumit Buna dhe liqenit të Shkodrës, si dhe zonën e Krajës, për të tërhequr këtë kategori të re turistësh.
Panelistët ndan përvojat pozitive dhe strategjitë që mund të ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve turistike të rajonit. Fokusi ishte në promovimin e përvojave autentike, krijimin e kushteve për punë dhe relaks, si dhe ofrimin e shërbimeve inovative që plotësojnë nevojat e turistëve modernë.
Me rritjen e popullaritetit të punës në distancë dhe kërkesës për përvoja të personalizuara, rajoni i Adriatikut Jugor ka mundësinë të pozicionohet si një destinacion ideal për vizitorët digjitalë – turistët e së nesërmes. Përmes projekteve si ky, rajoni jo vetëm që ofron mundësi për zhvillim ekonomik, por edhe për afirmimin e identitetit të tij kulturor dhe natyror në arenën ndërkombëtare.
Projekti realizohet nga Universiteti i Salentos (Itali), SviluppoItalia Molise, “People in Focus” (Shqipëri) dhe OJQ “Horizonti i Ri” (Mali i Zi), ndërsa bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat