Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj gjatë vizitës së tij zyrtare në Vatikan, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe delegacioni nga Mali i Zi, është takuar në Selinë e Shenjtë me Papa Françeskun, të cilit i ka dorëzuar në emër të Kuvendit të Malit të Zi ftesën zyrtare që ta vizitojë Malin e Zi, duke thënë se kjo do të ishte vizita e parë e Papa Françeskut në Malin e Zi, ku më pas Papa Françesku dhe Camaj kanë shkëmbyer dhurata protokollare.
Të njëjtën ditë, nënkryetari Camaj me bashkëpunëtorë ka zhvilluar takim edhe me Argjipeshkvin Edgar Peña Parra, zëvendëssekretar shtetëror i Selisë së Shenjtë, i cili ka shfrytëzuar rastin që personalisht ta falënderojë atë për kontributin në ndërmjetësimin e marrjes së lejes për pronën mbi ndërtimin e nunciatës papnore në Podgoricë.
Ndërkohë, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi ka marrë pjesë në Audiencën e Përgjithshme të udhëhequr nga kreu i Kishës Katolike, Ati i Shenjtë Papa Françesku. Pas audiencës në Sallën Pali Vl, nënkryetari Camaj ka vizituar kopshtet e Vatikanit, Bazilikën e Shën Pjetrit si dhe kaloi përmes dyerve të shenjta, të hapura simbolikisht në dhjetor të vitit 2024 në prag të përvjetorit jubilar që Papa Françesku e ka quajtur edhe si viti i shpresës.
Në takimin që nënkryetari Camaj zhvilloi me nënkryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Republikës së Italisë, Fabio Rampeli, ai e ka falënderuar Italinë për mbështetjen që i jep Malit të Zi në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian, duke vlerësuar bashkëpunimin në misionet e NATO-s dhe të KFOR-it.
Duke folur për situatën aktuale politike, Camaj ka shpalosur arritjet e Kuvendit të Malit të Zi, i cili siç ka thënë, i ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm agjendës evropiane, duke miratuar një sërë ligjesh që dëshmojnë qartë kursin pro-evropian të shumicës qeverisëse.
Ai ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me kolegët italianë në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me qëllim që Mali i Zi si vend udhëheqës në procesin e anëtarësimit në BE, të eliminojë edhe një segment drejt përmbushjes së kushteve për anëtarësim.
Nga ana tjetër, nënkryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit italian është shprehur se Italia është e gatshme që të ofrojë të gjithë ndihmën që del nga përvoja dhe ekspertiza që Italia ka në këtë fushë. Rampeli kujtoi se “korrupsioni humb kur qytetarët fitojnë”.
Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se Mali i Zi dhe Italia janë vende mike që lidhen përmes historisë deri në ditët e sotme. Gjithashtu, ata janë pajtuar se të dy shtetet janë të gatshme për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve. Në këtë kontekst, nënkryetari Camaj ka propozuar nxitjen e diplomacisë parlamentare dhe të bashkëpunimit përmes formimit sa më të shpejtë të Grupit Parlamentar të Miqësisë. Njëkohësisht, ai ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve përmes programeve të praktikës si dhe ka ftuar kolegun italian që ta vizitojë Malin e Zi.
Nënkryetari Rampeli gjithashtu e ka mbështetur këtë propozim, duke theksuar se bashkëpunimi me kolegët e Kuvendit të Malit të Zi është i shkëlqyer dhe se formalizimi i një ideje të tillë do të ishte me përfitim të ndërsjellë.
Nga ana tjetër, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj ka kërkuar përkrahjen për kandidaturën e përfaqësuesit të Malit të Zi për nënkryetar të PAM-it (Asambleja Parlamentare e Mesdheut), duke pritur mbështetjen e kolegëve italianë.
t. u.