Xhorxhina Bami & Vuk Tesija
Një marrëveshje mbrojtjeje, e nënshkruar midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës ka ndezur një mosmarrëveshje diplomatike me fqinjin e tyre, Serbinë, e cila ende e sheh Kosovën si pjesë të territorit të saj dhe nuk e njeh pavarësinë e saj.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiq akuzoi Kroacinë dhe Shqipërinë se po nisin një “garë armatimi” në rajon duke nënshkruar marrëveshjen me ato, që ai i quajti “institucione të përkohshme” në Kosovë, që do të thotë qeveria e vendit.
“Është një situatë e vështirë për ne, por e kemi kuptuar mesazhin e tyre. Dhe ne do ta mbrojmë vendin tonë, do t’i pengojmë ata dhe gjithmonë do ta mbrojmë me sukses nga çdo agresor potencial, qoftë ky edhe i fuqishëm”, ka thënë Vuçiq.
Por Kroacia ka thënë se nuk kishte nevojë për lejen e Serbisë për të nënshkruar asgjë. Ministri i Mbrojtjes Ivan Anushiq tha se koha kur Zagrebi kërkonte miratimin e Beogradit për veprimet e tij kishte kaluar prej kohësh dhe nuk do të kthehej më.
“Ne jemi një shtet i pavarur për 35 vjet dhe kemi duruar pesë vjet agresion dhe politika që promovuan një narrativë të tillë”, tha Anushiq, duke iu referuar luftës së pavarësisë së Kroacisë në vitet 1990 kundër Ushtrisë Jugosllave të udhëhequr nga Serbia.
“Bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Kosovën fokusohet në shkëmbimin e njohurive, bashkëpunimin ndërmjet industrive ushtarake dhe mbështetjen për aspiratat euroatlantike të Shqipërisë dhe Kosovës”, shpjegoi Anushiq në rrjetin social X.
Mosmarrëveshja nisi pasi Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan të martën e kaluar (18 mars 2025) Deklaratën e Përbashkët të Bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.
Deklarata, së cilës mund t’i bashkohen edhe vendet e tjera, bën thirrje për përgjigje të përbashkëta ndaj sfidave të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të kërcënojnë stabilitetin rajonal, deklaroi Ministria kroate e Mbrojtjes pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Por ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Bratisllav Gashiq e quajti atë një “iniciativë provokuese” nga vendet fqinje.
“Nënshkrimi i memorandumit “pa konsultim me Beogradin paraqet konfirmim të korrektësisë së investimit strategjik në forcimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura Serbe”, tha Gashiq.
“Është një iniciativë provokuese e shteteve fqinje që është në kundërshtim me përpjekjet për të forcuar sigurinë rajonale”, shtoi ai.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla – Schwarz u përgjigj duke shkruar në X të mërkurën e kaluar se ajo “dënon fuqishëm deklaratën kërcënuese të Serbisë” dhe akuzoi Beogradin se kërkon të vazhdojë “politikat e tij hegjemoniste në rajon”.
Gërvalla – Schwarz shtoi se Serbia nuk mund të jetë faktor stabiliteti pa e njohur Kosovën.
Ministria e Jashtme e Kosovës gjithashtu i kërkoi Serbisë që të zbatojë marrëveshjet ekzistuese. Të dy vendet arritën një marrëveshje normalizimi të marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja, në shkurt 2023. Marrëveshja thoshte se ata duhet të “zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëri-tjetrin mbi bazën e të drejtave të barabarta” dhe të udhëhiqen nga “respektimi reciprok për pavarësinë, autonominë dhe integritetin e tyre territorial, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin”. Por kjo marrëveshje mbetet kryesisht e pazbatuar deri më tani.
(BIRN)