Në vend të komunikacionit më cilësor dhe të ndërlidhjes së qytetarëve nga Kosova me ata të kryeqytetit, brenda një kohe rekord kanë fituar edhe një “fundjavë nga ferri”
Vringëllima me armë, mitingu në Mitrovicë dhe fjalët e rënda, janë efektet e çmendurisë propagandistike të quajtur Me tren nga Beogradi deri në Mitrovicë (të Kosovës), shkruan e përditshmja e Beogradit Danas, transmeton Koha.net.
Në fakt kështu ka mundur ta konkludojë secili që sadopak e ka futur mendjen në veprim pasi të ketë marrë vesh se çfarë do të ishte ai treni që do të qarkullojë.
Teprimi, kiçi dhe provokimi i hapur ishin gjithçka, por jo një parakusht për një udhëtim të qetë.
Tingëllonin cinike t’i quajmë arsyetimet se dekorimi i trenit ishte një promovim i trashëgimisë kulturore .
Sepse, treni që duhet të qarkullojë nëpër Serbi iu dedikohet mbi të gjitha qytetarëve të saj, të cilët e dinë çka janë Deçani, Graçanica, Patrikana e Pejës, Prizreni, dhe kuptohet atyre të cilëve kjo do t’iu pengojë, e këta janë shqiptarët nga Kosova.
Kompozicioni i dekoruar së jashtmi me mesazhe që me siguri do të shkaktojnë provokim, ndërsa nga brenda me mure të stërmbushura me posterë manastiresh e shenjtorësh, që për nga estetika më shumë i shkonin një tribune tifozësh ose diçka që i përgjigjej sensibilitetit të këshilltarit me vepra penale, Misho Vaciqit.
Një dekor i tillë mund të provokonte vetëm – konflikt.
Që ndodhi thuaja me shpejtësi rrufeje.
Pasoi xhirimi i rremë (?) i hekurudhës së minuar, dalja në terren e forcave speciale policore të Kosovës, ndalja e trenit në Rashkë, kthimi i tij pas, e pastaj breshëria e i zjarrtë verbale, me tendencë që të shndërrohet në breshëri plumbash.
Kuptohet, në distancë të sigurisë nga Beogradi.
Presidenti i Serbisë po ashtu, ndoshta në turrin e epsheve të tij patriotike ose nga dëshira që të mbledh ndonjë poen për mandatin eventual të dytë , përpak nuk bëri thirrje për luftë të përgjithshme (siç u shpreh që nuk do të ishte për herë të parë) duke harruar se kërcënimi i tij i papërgjegjshëm do të thoshte konfrontim me Aleancën e NATO-s, e për në këtu, pavarësisht nga ditët më të mira të historisë ushtarake serbe, fundi dihet që më parë.
Fatkeqësi për të gjithë. Dhe me siguri disfata ushtarake e Serbisë. Të cilën kemi pasur rastin ta shohim deri sa presidenti dhe kryeministri i tashëm ishin në koalicion qeverisës në fund të nëntëdhjetave, përcjell Koha.net. Ndërsa nuk kishte lumturi edhe kur ishin “opozitë konstruktive” në regjimin e Millosheviqit në fillim të ’90-tave.
Kryeministri, në stilin e tij, sërish u përpoq të luaj rolin e shpëtimtarit, duke dhënë urdhër që treni të kthehet pas në mënyrë që të shmangen konfliktet.
Nga ana tjetër, drejtori gjithmonë kryengritës i Zyrës për Kosovën (në Qeverinë e Serbisë), Marko Gjuriq, serbizimin e tij e demonstroi gjatë gjithë udhëtimit deri në Topçider (stacion në Beograd), ku doli (prej trenit).
Në vend të përgjegjësisë, zyrtarët tanë fshiheshin pas reagimeve të palës kosovare, ndërsa do t’i pyesja se çfarë do të ndodhte me lëvizjen e lirë sikur p.sh. nga Prishtina në drejtim të Nishit ose Beogradit të nisej treni me ngjyrat e Kosovës ose p.sh. të Shqipërisë, ndërsa enterieri të ishte i mbushur me portretet e të parëve të tyre kombëtarë?
Në cilin kilometër saktësisht do t’i vihej flaka, të gjuhej me gurë ose të minohej?
Fatkeqësisht, ky aksion propagandistik fatkeq nuk është i vetmi këto ditë.
(…)
Dhe të dihet, ky pushtet nuk është i vetmi që ka pëlqyer të tensionojë situatën në Kosovë deri në kufijtë e luftës. Të rikujtojmë Jarinjen e para disa viteve, kur prapë ishim në buzë të përleshjes së armatosur.
Prandaj, në vend të lojës me zjarr, pushteti do të mund të bënte punën që e ka për detyrë.
Në këtë rast që qytetarët të mund të udhëtojnë drejt nga Mitrovica deri në Beograd e pas.
Dhe këtë nëse ka mundësi më shpejt se 50 km në orë, përkatësisht më shkurt se 11 orë, që do të ishte një sukses i madh për Qeverinë.
Ndërsa lojërat e fjalët e mëdha të lihen. Jeta nuk është fushatë parazgjedhore.