Kujtimet e mia të paharrueshme nga skena dhe nga vendlindja

Luljeta Avdiu – Cura

Rrugëtimi im: Nga fëmijëria në skenën e Kosovës
Në fëmijërinë tonë, në vitet ’70 të shekullit të kaluar, koha më e dashur për ne, përveç shkollës dhe futbollit, ishte ora e mbrëmjes kur familjarisht mblidheshim te ndokush që kishte televizor për të ndjekur programin televiziv shqiptar. Sidomos të veçanta ishin mbrëmjet e së premtes, së shtunës dhe së dielës. Këto ditë ishin të paharrueshme për mua, sepse të premten në mbrëmje transmetohej një shfaqje teatrale në ekranin televiziv, të shtunën kishte këngë, valle dhe humor, ndërsa e diela ishte e mbushur me dokumentarë dhe filma shqiptarë. Këto ditë ishin shumë të veçanta, dhe i ndiqja gjithmonë me kënaqësi.
Gjithashtu, një tjetër kënaqësi e madhe për mua ishte leximi i librave në gjuhën shqipe. Unë lexoja gjithmonë, dhe për festat e ndryshme shkollore përgatitja ndonjë poezi që e recitoja me pasion të veçantë. Leximi i lekturave shkollore ishte gjithashtu një përvojë shumë e rëndësishme. Përveç leximit të kujdesshëm, na kërkohej të bënim edhe përshkrimin e librave nga këndvështrimi ynë.
Në klasën e tetë lexova pjesën teatrale “Kështjella dhe Helmi”, të cilën e kishim ndjekur edhe si shfaqje teatrale të interpretuar nga Teatri Shqiptar në ekran. Të gjithë shokët e klasës vendosëm ta përgatisnim këtë pjesë për interpretim me rastin e festës së shkollës më 15 maj. U konsultuam me mësuesin tonë të gjuhës shqipe dhe kujdestarin e klasës, Ahmet Gjoni. Përgatitëm pjesën sipas mundësive tona: ndërtuam skenën, përgatitëm skenografinë, kostumet popullore dhe armët si shtiza e shpata. Bënim prova pothuajse çdo ditë dhe gjithçka e bënim me një pasion të veçantë. Ishte hera e parë që në atë shkollë do të përgatitej një pjesë teatrale.
Madje, edhe pasdite mblidheshim për të bërë prova në shtëpitë tona. Shkonim te njëri-tjetri dhe kalonim ditë të tëra duke u përgatitur. Gjithçka po shkonte shumë mirë, derisa ndodhi një ngjarje historike: demonstratat studentore në Kosovë. Kjo ndryshoi gjithçka. Askush nuk guxonte të organizonte më ndonjë aktivitet në gjuhën shqipe. Edhe tek ne ndodhën largime të arsimtarëve nga puna dhe burgosje të disa bashkëvendësve tanë. Ne si fëmijë nuk e kuptonim mirë çfarë po ndodhte, por ndiqnim vetëm urdhrat e mësuesve. Kështu, erdhi urdhri që të mos realizohej shfaqja teatrale dhe të mos mbahej as manifestimi për ditën e shkollës, që zakonisht organizohej çdo vit me program në gjuhën shqipe.
Pas kësaj, gjithçka mbeti si më parë. Në shtëpi vazhdonim me punët tona të zakonshme dhe ndiqnim programin televiziv shqiptar.
Kaluan disa vite dhe unë qëndrova jashtë aktiviteteve kulturore. Më pas shkova në Kosovë dhe u regjistrova në Fakultetin e Xehetarisë në Mitrovicë. Gjatë studimeve njoha shumë shokë dhe një prej tyre më ftoi të interpretoja në një shfaqje që organizonte shkolla e mesme teknike. Bëhej fjalë për shfaqjen “Toka Jonë” në vitin 1985, ku unë luajta rolin e Tuc Makut.U regjistrova në trupën teatrale Sandër Prosi të qytetit, dhe menjëherë rolet në drama të ndryshme filluan të radhiten. Isha pjesë e disa shfaqjeve të paharrueshme, si Vajaku (1988), Shkëndija të rritura në diell (1989), Anija e të marrëve (1990), dhe shumë të tjera. Mitrovica ishte e vogël për trupën tonë teatrale, kështu që filluam të japim shfaqe në të gjitha qytetet e Kosovës, duke ndarë me publikun pasionin dhe energjinë tonë për artin skenik. Çdo shfaqje ishte një mundësi e re për të shpalosur talentin dhe për të krijuar lidhje të thella me shikuesit. Teatri më hyri në zemër, dhe ndërkohë u aktivizova në teatrin e qytetit. Aty kam interpretuar për pesë vite, deri sa u ktheva në vendlindje.Pas kthimit, për disa vite rresht, qëndrova jashtë çdo aktiviteti kulturor.
Në vitin 1990, mora ftesën për t’u bashkuar me Teatrin “Aleksandër Moisiu” në Mitrovicë, ku më ishte besuar roli i Tursun Beut në dramën Epoka para gjyqit. Me këtë rol, për dy vjet radhazi, kemi shfaqur dramën pa ndërprerje në qytete të ndryshme të Kosovës, duke i dhënë jetën kësaj historie dhe duke emocionuar publikun me interpretimin tonë të fuqishëm.
Ndërkohë, mora një ftesë nga Adem Mikullovci, regjisori dhe aktori i njohur kosovar, për të interpretuar një rol në filmin “Një pallto për babin tim në burg”. Pjesëmarrja ime ishte në dy nga katër episodet e këtij filmi kosovar, Fitorja etj. ku dhe fillova të luaj përkrah aktorëve më të mëdhenj të Kosovës si: Adem Mikullovci, Dibran Tahiri, Shani Pallaska, Leze Qena etj. Në fund të vitit 1992 fillon shpërbërja e Jugosllavisë dhe jam detyruar të kthehem në vendlindje.

Teatri për Fëmijë Kacageli: Rrëfimi i një bashkëpunimi dhe fushatës kulturore
Në ndërkohë, mbaja kontakte me shokët e mi me të cilët kisha interpretuar më parë dhe më njoftuan se kishin formuar një teatër për fëmijë, Teatri Kacageli.
Mua më shkoi në mendje të ftoja ata që të vinin dhe të interpretonin një shfaqje në shkollat tona, që fëmijët tanë të mund të shikonin një shfaqje teatrale drejtpërdrejt në skenë. Kontaktova drejtorët e shkollave fillore dhe ata ishin dakord. I ftova shokët e mi nga Mitrovica që të vinin dhe të interpretonin një pjesë teatrale për fëmijë në shkollat tona.
Një prej momenteve më të veçanta për mua ishte kur vendosa që të interpretohej një shfaqje në shkollën Bedri Elezaga në Katerkollë. U organizuam me shokët që fëmijët të prisnin familjet me fëmijë nga Sukubina, ndërsa të rriturit t’i prisnin ata që jetonin këtu. Gjithçka u rregullua dhe u bë ftesa për teatrin, dhe kështu realizuam interpretimin e një shfaqjeje teatrale në shkollën tonë, në shkollën fillore Bedri Elezaga dhe në shkollën Gj. Kastrioti-Skenderbeu në Krajë. Kjo për mua ishte diçka e jashtëzakonshme, një ngjarje që kurrë nuk më kishte shkuar në mendje, por që u realizua.
Këtu, përveç që shihja një shfaqje pas shumë vitesh, pashë diçka të veçantë—shihja fëmijët duke interpretuar në skenë. Interpretonin vetëm fëmijët. Kjo më la shumë përshtypje. Në mendjen time mbeti përherë se si rreth meje kishte kaq shumë talente të rinj, të cilët shfaqnin aftësi të jashtëzakonshme në shumë aspekte.
Rrugëtimi i Teatrit të Fëmijëve ‘Zgjimi’: Një Histori pasioni dhe sakrifice
Në vjeshtën e vitit 1996, ideja e teatrit për fëmijë më erdhi përsëri në mendje dhe kërkova tekste teatrore për fëmijë. Një tekst që më ra në dorë ishte “Me Lizen në pritje të vitit të ri”, një pjesë me shumë emocione. Mblodha fëmijët në ambientet e bashkësisë lokale dhe filluam përgatitjet për shfaqjen. U mblodhën shumë fëmijë, kryesisht nga Sukubina, Boret dhe Dragina. Ishin gjithsej 33 fëmijë që për herë të parë kishin kontakt me skenën, me teatrin, me interpretimin. Punuam pa ndërprerje për rreth dy muaj, që të ishim gati përpara vitit të ri.
Me në fund, ëndrra ime u bë realitet. Me datën 26 dhjetor të vitit 1996, u bë premiera e pjesës teatrale “ME LIZEN NE PRITJE TE VITIT TE RI”. Premiera u mbajt në Kino Sallen në Katerkollë. Ishte diçka fantastike, një ngjarje që nuk mund të përshkruhet për mua dhe për të gjithë fëmijët pjesëmarrës. Po ashtu, edhe për shikuesit ishte një ngjarje e veçantë, sepse të gjithë komentet e tyre flisnin në këtë mënyrë. Kjo shfaqje pati edhe dy interpretimet e tjera në Ulqin. Megjithatë, fëmijët që interpretuan atje donin të vazhdonin të interpretonin, por situata momentale dhe rrethi shoqëror, si dhe pushteti që nuk lejonte asnjë lëvizje me teatër, bënë që mundësitë për vazhdim të ishin të kufizuara. (Vijon)


(Vijon nga numri i kaluar)
Pasi teatri duhej të ekzistonte ndonjëherë dhe të ishte i regjistruar si një entitet, ne e regjistruam si pjesë të SHKA Zgjimi nga Sukubina. SHKA Zgjimi kishte disa aktivitete kulturore dhe kishte marrë pjesë me një program të pasur në aktivitete kulturore të komunës së Ulqinit. Lajmi për formimin e teatrit të fëmijëve në Sukubinë mori jehonë, dhe kjo bëri që të na vinte një ftesë për të marrë pjesë në festivalin e teatrove të fëmijëve që mbahej në Mitrovicë. Ne e pranuam ftesën dhe përgatitëm shfaqjen “NJË ZEMËR E HUMBUR”. Me këtë pjesë morëm pjesë në festivalin e fëmijëve në Mitrovicë. Kjo ishte diçka e veçantë. Ishte viti 1997, dhe situata në ish-Jugosllavi ishte shumë problematike, por ne, me mbështetje nga Komuna e Ulqinit dhe Qendra për Kulturë, mundëm të merrnim pjesë aty.
Një ngjarje shumë e veçantë ishte se 22 fëmijë nga Sukubina udhëtuan dhe qëndruan disa ditë në Kosovë pa shoqërimin e prindërve të tyre. Kjo ishte diçka e paimagjinueshme, por u realizua në mënyrë perfekte. Ne prezantuam arritjet tona dhe kulturën tonë, diçka që nuk ishte paraqitur kurrë në atë qytet nga Ulqini dhe nga Ana e Malit. Edhe ky ishte një moment që nuk mund të përshkruhet, një ngjarje e veçantë për të gjithë ne. Për këtë pjesëmarrje, pushteti komunal na falënderoi, ashtu si edhe mediat në gjuhën shqipe në komunën e Ulqinit dhe ato në Kosovë, që ishin të censuruara në atë kohë.
Me pjesën “Një Zemër e Humbur”, bëmë diçka tjetër të veçantë që është e vështirë të përshkruhet. Në bashkëpunim me kryetarin e atëhershëm të Art Clubit, Z. Nail Draga, organizuam një udhëtim në Shkodër për ta prezantuar shfaqjen atje. Z. Nail u kujdes që të organizohej udhëtimi në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Shkodër. Kjo ishte një përpjekje shumë problematike, pasi duhej të organizonim rrugën përmes Podgoricës dhe Tuzit për të arritur në Shkodër, duke pasur parasysh kalimin kufitar dhe nevojën për pasaporta për fëmijët, fjetjen dhe ushqimin. Këto kërkonin shumë para. Unë ndërhyra personalisht dhe vizitova të gjithë biznesmenët në Ulqin dhe Katerkollë, të cilët më ofruan mbështetje, duke u angazhuar jo vetëm moralisht, por edhe materialisht. Me ndihmën e tyre, siguruam mjetet për udhëtimin dhe pasaportat grupore për fëmijët.
Shkuam në Shqipëri, në Shkodër, me të gjithë fëmijët e “Zgjimit”. Qëndruam dy ditë, dhe ishte realizimi i një ëndrre të madhe për të gjithë ne – interpretimi i një pjesë teatrale në Shkodër. Ishte ëndrra e parë e realizuar për shumë artistë të mëdhenj shqiptarë.
Merreni me mend, për më pak se një vit ekzistence të teatrit të fëmijëve “Zgjimi”, shfaqjet e kësaj trupe u luajtën në dy shtete jashtë Malit të Zi: në Kosovë dhe në Shqipëri. E gjitha kjo ka shumë për të thënë, dhe unë nuk kam fjalë të mjaftueshme, sepse koha kur u realizuan këto udhëtime dhe situata ekonomike dhe politike në Jugosllavi dhe në Ballkan ishin shumë problematike për ekzistencën tonë, fëmijëve të Sukubinisë. Megjithatë, me shpirtin dhe entuziazmin tonë të paimagjinueshëm, realizuam aktivitete kulturore jo vetëm në vendlindjen tonë, në Anën e Malit, por edhe jashtë vendit. Ushqeheshim me kulturën shqiptare që e prezantonim, dhe nuk ekzistonin pengesa, sepse ishte dëshira dhe vullneti i fëmijëve, i prindërve dhe i të gjithëve nga Sukubina dhe Ana e Malit që të ecnim përpara.
Kjo pjesë teatrale u prezantua edhe për publikun në Katërkollë dhe në Ulqin.
Në ndërkohë, përgatitëm disa pika muzikore me valle popullore, këngë dhe skeçe, dhe me një program gjysmë ore morëm pjesë në manifestimin madhështor “Ditët e Verës në Krajë”, që mbahej në periudhën korrik-gusht në Ostros. Kjo ishte diçka tepër e veçantë, sepse për herë të parë, ne përfaqësonim Anën e Malit. Më e rëndësishmja ishte që, për herë të parë, edhe fëmijët dalin në skenë me pika muzikore dhe pjesë humoristike. Kjo ishte një arritje e madhe për ne dhe një mundësi për të shfaqur talentin dhe pasionin tonë para publikut të gjerë.
Erdhi fundi i verës dhe filloi shkolla. Teatri i fëmijëve “Zgjimi” nuk donte ta ndalte punën e vet. Filluam me përgatitjet e një pjese tjetër. Behej fjalë për pjesën “Klasa e çapkënëve”. Ishte një pjesë komike dhe kërkonte jashtëzakonisht shumë përgatitje; shumë kohë na u desh dhe kishim mjaft pengesa deri sa doli premiera e saj, që ishte diçka e veçantë. Premiera dhe dy shfaqje u bënë në Katerkollë dhe në Ulqin, në kino sallat.
Situata politike e asaj periudhe nuk na mundësoi që me këtë pjesë të dilnim edhe në trevat shqiptare jashtë Malit të Zi dhe ta përsërisnim suksesin e mëparshëm.
Në këtë periudhë, i nderuari Z. Emin Halili, regjisor shqiptar nga Ana e Malit, bëri diçka që vështirë mund të mendohej dhe shumë më vështirë të realizohej. Ai mendoi dhe realizoi pjesën e parë teatrale për të rritur në Ulqin. Behej fjalë për një pjesë alternative që titullohej “Ora Bizare” me tekst të poetit tonë Basri Çpriqit (10 poezitë e tij), dhe me regji e skenografi të Emin Halilit. Rolin kryesor e interpretoi Blerim Gjoci, aktori dhe regjisor i famshëm kosovar.
Premiera dhe disa shfaqje ishin në Ulqin, dhe më pas me këtë pjesë teatrale morëm pjesë dhe e prezantuam, jo vetëm Ulqinin, por edhe Malin e Zi, dhe Jugosllavinë (e cila ishte në bllokadë ekonomike botërore), në dy festivale botërore: në festivalin e teatrove alternative botërore në Sarajeve dhe në festivalin e teatrit në Kairo, Egjipt (ky festival ishte i dyti në botë për nga madhësia).
Për këtë teatër dhe për këto prezantime të kulturës sonë, për pjesëmarrjen tonë në këto festivale, do duhej një libër i veçantë, një manifestim i veçantë në këtë qytet, që të kujtohen këto ngjarje të mëdha dhe sakrificat e mëdha që kemi bërë në ato kohë për ta mbajtur gjallë kulturën shqiptare në Mal të Zi.
Me rolin në dramën Servantesi dhe Dulcinea, një shfaqje që u realizua edhe në Bjello Pole në vitin 2014, fitova çmimin Aktori më i Mirë, një vlerësim që ishte kulmi i angazhimit dhe pasionit tim për artin teatror.

Këto ishin, në pika të shkurtra, disa nga aktivitetet e mia dhe të bashkëpunëtorëve të mi, shokëve dhe shoqeve të mia, kolegëve të mi, artistëve të Anës së Malit, që unë i paraqita këtu. Nuk i paraqita ashtu si duhet, si janë në të vërtetë ata, MADHËSHTORË, por thjesht sa për ti përkujtuar ato çaste të veçanta, të paharrueshme për mua dhe për të gjithë ata që kanë qenë pjesëmarrës në këto ngjarje madhore për popullin tonë, për Sukubinën, për Anën e Malit, për Ulqinin e sidomos për Malin e Zi.
Të falënderoj ty, Luljeta, që ma mundësove që të paraqes disa kujtime të mia këtu.

Të fundit

më të lexuarat