Koha Javore: Vitin që shkoi, Qeveria e Malit të Zi, pas 43 vitesh ua ka kthyer ullishtarëve të Ulqinit pronat e tyre në Valdanos. Çka do të thotë kjo për ullishtarët?
A. Elezaga: Sipas informatave që kemi nga ullishtarët, procesi i kthimit të pronës së ullishtës në Gjirin e Valdanosit nuk është realizuar në tërësi. Dikujt i është kthyer e gjithë ullishta, e dikujt jo, edhe pse ullishtarët kanë dorëzuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për kthimin e saj menjëherë pas vendimit të Parlamentit dhe Qeverisë së Malit të Zi. Një pjesë e ullishtarëve ende nuk kanë marrë përgjigje zyrtare se deri ku ka arritur procesi i kthimit të ullishtës së tyre, përveçse u është pranuar lutja për kthimin e pronës , dhe kjo me kusht nëse nuk ankohet mbrojtësi shtetëror i pronës shtetërore në afatin ligjor.
Koha Javore: Me kthimin e ullishtës disa ullishtarë kanë filluar pastrimin e tokës në ullishtë. Në çfarë gjendje është ullishta e cila për më se 40 vjet nuk është punuar fare?
A. Elezaga: Po, disa ullishtarë të vertetë, të cilët e duan ullishtën dhe e dinë vlerën e ullirit, kanë filluar të pastrojnë ullishtën e vet , edhe pse ende nuk posedojnë dokumentacionin e plotë për kthimin e ullishtës. Gjendja e ullishtës së Valdanosit, sidomos pjesa ku nuk ka shkelur këmba e njeriut plot 43 vite, është katastrofale dhe e mjerueshme. Shumë ullinj janë tharë krejtësisht , ose janë kalbur. Pylli, lari, ferrat i kanë mbuluar ullinjtë deri në maje. Brenda tyre për më se dyzet vite nuk ka depërtuar rrezja e diellit. Domethënë shumica e ullishtës është dëmtuar plotësisht , gjë e cila mund të vërehet në terren.
Koha Javore: Cilat janë problemet kryesore me të cilat po ballafaqohen ullishtarët këtyre ditëve?
A. Elezaga: Problem kryesor për pronarët e ullishtës së Valdanosit është infrastruktura. Në pjesën e ullishtës në Bisht të Malit nuk mund të kalohet me veturë, sepse rrugët ekzistuese janë të ngushta e vështirë të kalueshme. Kjo jo vetëm e ngadalëson pastrimin e ullishtës, por edhe i pamundëson pronarët që të hyjnë lirshëm në ullishtë. Ullishtarët këtyre ditëve janë të shqetësuar edhe nga frika e shpërthimit të zjarrit me rastin e djegies gjatë procesit të pastrimit të ullishtës. Disa pronarë angazhojnë punëtorë që nuk e dinë se sa i rrezikshëm është ulliri kur ndizet flakë. Pylli është i thatë dhe shumë shpejt mund të ndizet.
Ne si shoqatë kemi vënë tabela e shenja nëpër ullishtë për t’i njoftuar të gjithë që të jenë shumë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm gjatë punës në ndezjen e pyllit në ullishtë, sepse një pakujdesi e vogël mund të sjellë shpërthim të zjarrit me pasoja jashtëzakonisht të mëdha. Për fat të keq këto shenja e tabela nuk po respektohen. Në ullishtë çdo ditë vërejmë se ndizen zjarre nga djegia e pyllit , e ne lutemi që ky zjarre mos të dalin nga kontrolli, sepse jemi dëshmitarë të dëmeve të pakthyeshme që shkaktoi zjarri shkrumues dhjetëditor në ullishtën e Bashbylykut në vitin 2018. Nga ana tjetër, organet kompetente nuk marrin masa për ndalimin e ndezjes së zjarrit në pjesët më kritike të ullishtës. Problem shtesë është edhe fakti se ullishtarët nuk kanë ku ta çojnë pyllin e pastruar. Për këtë kërkojmë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave të na sigurojë një makinë e cila bën coptimin apo grimcimin e degëve, dhe në këtë mënyrë të shmangim ndezjen e zjarrit në ullishtë.
Koha Javore: Si mendoni ta bëni rivitalizimin e ullishtës e cila kërkon shpenzime të mëdha financiare?
A. Elezaga: Shoqata e Ullishtarëve “Valdanos” do të organizojë takim me ekspertë të bujqësisë, njohës të mirë të ullishtarisë nga Kroacia dhe Shqipëria , për të na dhënë sugjerime si të rivitalizohet sa më shpejt edhe sa më mirë ullishta e Valdanosit. Këtë takim do ta organizojmë kur të bëhet kthimi në tërësi dhe i plotë i ullishtës. Shpenzimet për pastrimin e ullishtës janë tepër të mëdha, sepse ajo nuk mund të pastrohet me pak para, por kërkon shumë mjete finaciare dhe organizim të madh njerëzor.
Koha Javore: Rrezik për ullishtën paraqet edhe ndërtimi pa leje i cili veç ka filluar në Valdanos. A keni ndërmarrë diçka në parandalimin e këtij fenomeni të paligjshëm?
A. Elezaga: Ndërtimi pa leje është problem tepër i madh. Ai për fat të keq kohëve të fundit po shfaqet në tërë ullishtën e Ulqinit. Aty janë ndërtuar disa objekete e vila. Janë vendosur shtylla elektrike. Disa nga këto objekte çuditërisht janë kyçur në rrjetin elektrik dhe në atë ujit. Pyesim si është e mundur të ndodhë diçka e tillë, kur të gjithë e dimë se ndërtimi në ullishtë është i paligjshëm dhe i ndaluar?
Për të gjitha këto veprime të paligjshme kemi njoftuar institucionet kompetente vendore dhe qëndrore që të marrin masa. Mirëpo, nuk jemi të kënaqur me veprimet e tyre, sidomos me punën e Policisë Komunale, e cila do të duhej të mbikqyrë dhe të procesuojë të gjithë ndërtuesit dhe individët që shkelin ligjin, i cili nuk lejon devastimin e ullishtës, kurse ndërtimi pa leje vazhdon. Ky fenomen shkatërrues po ndodh në sytë e të gjithëve për shkak se, e them me keqardhje, institucionet tona kompetente shtetërorore nuk po e kryejnë detyrën e vet si duhet. Mendojmë se fenomeni i ndërtimit pa leje në ullishtën e Valdanosit duhet të ndalet sa më parë, derisa ende nuk është bërë vonë. Andaj, ne kërkojmë nga isntitucionet përgjegjëse shtetërore të ndihmojnë në rivitalizimin e ullishtës dhe të ndalojnë shkatërrimin e saj. Në të kundërtën, pasojat do të jenë të pakthyeshme dhe të pakompensueshme.
Gj. Gjonaj