Tokio – Kampionia e sapokurorëzuar olimpike, Nora Gjakova, përcolli nga afër luftërat e bllokut të paradites, të martën. Në krahun e djathtë e kishte Loriana Kukën. Pranë Lorianës ishte Akil Gjakova e pranë Akilit kryemjeshtri Driton Kuka.
Organizatorët e garave të xhudos, që janë të njëjtit, janë mësuar me një pamje të tillë. Një grup i vogël sportistësh e drejtuesish nga Kosova. I vogël për nga numri natyrisht. Shumë i madh për nga vepra.
Pas ditës së tretë të garave në Lojërat Olimpike, Kosova ishte e teta në listën e medaljeve. Vetëm superfuqitë e sportit, Japonia, SHBA-ja, Kina, Rusia (që paraqitet si Komiteti Olimpik i Rusisë), Britania e Madhe, Australia e Koreja ishin para Kosovës. Në xhudo, pas tri ditë garash, Japonia i kishte katër të arta, Kosova dy. Të gjitha shtetet e tjera së bashku: asnjë.
Dhe këtë e bën të mundur ky grup i vogël njerëzish.
Është grup i vogël që po e bën krenar të gjithë vendin me të arriturat sportive. Kryesori është trajneri Driton Kuka, që mban të gjithë afër tij. Ai përkrahet nga vëllai Agron Kuka, kryetar i Federatës së Xhudos së Kosovës. Janë aty kampionet olimpike, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi. Është kampioni evropian dhe i shtati në Lojërat Olimpike, Akil Gjakova. Është Loriana Kuka, fituese e medaljeve botërore e evropiane. Është edhe Flaka Loxha, xhudistja që po vjen.
I pari i Federatës, Agron Kuka, ka qëndruar në tribunë i shoqëruar me një pjesë të këtyre xhudistëve. Varësisht kush ka garuar dhe kush ka pasur garë të nesërmen. Ata që kanë garuar kanë qëndruar pak në tribunë. Edhe ata që kanë pasur garë të nesërmen, për të pushuar. Flaka nuk garon në Tokio, por është përfshirë në ekip si partnere e sparingut. Kontribuon mjaft. Në tribunë të arenës Nippon Budokan, grupit të vogël i është bashkuar vetëm edhe fizioterapeuti Fatlind Maraj, që duket i afërt me xhudistët dhe dy drejtuesit e tij. Jo të tjerë.
Në arenë vazhdimisht janë edhe shumë drejtues të KOK-ut dhe zëvendësministrja për Kulturë, Rini e Sport, Daulina Osmani. Vijnë herë pas here edhe drejtues të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Por xhudistët nuk përzihen shumë me ta. Pasi Nora fitoi të artën olimpike në kategorinë deri 57 kilogramë, të hënën, drejtuesit e KOK-ut, të MKRS-së, por edhe i pari i KOKSH-it u afruan te xhudistët për t’i uruar dhe natyrisht për të bërë shumë e shumë fotografi.
Trajneri Kuka poston fotografi vetëm me grupin e tij, me xhudistët dhe vëllain Agronin. Grupi vlerësohet shumë i rëndësishëm për të gjithë pjesëtarët e tij. I besojnë njëri-tjetrit, flasin lirshëm. Çka është më e rëndësishmja që mund të analizojnë secilën luftë e secilin detaj që ndodh në tatami.
Kuka është në kulm të karrierës si trajner. Dy medaljet e arta në “Tokio 2020”, e Norës dhe e Distria Krasniqit, të shtunën në kategorinë deri 48 kilogramë, e kanë konfirmuar nivelin superior të tij. Pa asnjë dyshim është prej më të mirëve në botë aktualisht, sa i takon xhudos. E urojnë herë pas here për suksesin. Një trajner i Britanisë e bëri këtë, ndër të tjera, të martën. Nuk është praktikë të urohen trajnerët e tjerë gjatë garës, por ka përjashtime.
Për paraqitjen në Tokio të Distrisë, Norës e Akilit, Kuka flet me krenari. Për Majlindën ka folur e ka shkruar me shumë emocion. “Krenarinë e veprimtarisë së tij”, Toni Kuka e ka falënderuar publikisht.
Ai është shumë i kënaqur edhe me paraqitjen e Akil Gjakovës, që përfundoi i shtati, të hënën.
Garën nuk e ka përfunduar ende Loriana Kuka, mbesa e Dritonit dhe Agronit. Ajo kishte lënë jetën në Zvicër për karrierë në Kosovë. Për të mësuar nga mjeshtri dhe axha i saj. Loriana garon të enjten në kategorinë deri 78 kilogramë.
“Ka potencial për medalje. Është në nivel me garueset e tjera. Por të shohim”, thotë Kuka.
(Përshtatur nga Koha Net)