
Sipas Dr. Bahri Briskut toponime të shtresës shqipe i takojnë oronimi Mali i Sumës dhe Suma, i cili si vendbanim për herë të parë përmendet në vitin 1355, kurse në Defteret turke të Sanxhakut të Shkodrës paraqitet në trajtën Sunja. Brisku më tej konkludon se duke qenë toponim mesjetar nuk ka të bëjë me oronimin Sumë e Postribës dhe se ky toponim është tipik vendas. Shaban Peraj përmend të dhënat e Marjan Bolicës (1614), ku ai thotë se fshati Suma përbëhet prej 19 shtëpive, me komandant Pal Niki dhe 40 burra të gatshëm për armë, vazhdon Hajredin Muja, i cili sjell një përshkrimi kishtar të vitit 1777 ku del se Suma ka një shtëpi katolike me 5 frymë. Nga të dhënat e regjistrimit të popullsisë së vitit 1991 dhe ai 2003, Suma nuk figuron në të dhënat dhe kjo ka mundësi që të shpjegohet me atë se pas tërmetit të vitit 1979 popullsia janë shpërngulur nga ky fshat dhe sot nuk ka asnjë banorë. Gjithsej mund të numËrohen afërsisht 7 shtëpi, por banorë që jetojnë në Sumë nuk ka. Për të dhëna arkeologjike të parët që kanë shkruar kanë qenë Andrija Joviçeviqi i cili është ngjitur në vitin 1912, pastaj grupi kroat i alpinistëve, kurse më gjithëpërfshirësi bashkëvendasi ynë arkeologu Dr. Anton Lulgjuraj, i cili ka botuar një studim lidhur me Malin e Sumës ku identifikon dy faza të fortifikatës – njëra e periudhës III-II p.e.r. dhe i takon periudhës ilire të mbretit Gent dhe tjera mesjetare (shkëputur nga artikulli Megaliti i Malit të Sumës me autor Gazmend Çitaku).
Me të drejtë Dr.Ruzhdi Ushaku shkruan: ”Ulqini me rrethinë është dhe mbetet një trevë joshëse, me një të kaluar historike specifike e atraktive, trevë ku shekujt paluan faqe të lavdishme por dhe të errëta të jetës, të njohura dhe të panjohura, që presin të shpalohen, të përjetohen dhe të përjetësohen me fuqinë e argumentit shkencor dhe me fuqinë artistike, si dy të vërteta jetësore që shpesh shkojnë krahas, gërshëtohen e plotësohen mes veti”.
Duke ecur rrugës që çon për tek burimi, gjatë pauzave të ndryshme nxënësve u tregova për legjendën E shkruar nga Dr.Ruzhdi Ushaku në librin me titull “Ulqini në përmasa kërkimi dhe frymëzimi”.
Nxënësit e klasës së VIII-të dëgjonin me vëmendje rrëfimin.
Legjenda e Malit të Sumës
Gojëdhënat janë të lloj-llojshme dhe kuptohet në versione të ndryshme, duke filluar prej atyre se kjo ishte një fortifikatë apo pushimore për mbretërit apo sunduesit ilirë të kësaj hapësire, deri te legjenda sipas të cilës këtu u zu rob Shën Gjon Vladimiri nga perandor Samuili. Nuk do mend se disa gjurmë të kësaj legjende gjejnë mbështetje në faktin se sipas Kronikës së Priftit të Dioklesë, dhe në disa burime të tjera, thuhet se Vladimiri u zu rob në një vend afër Tivarit dhe se për një kronikë të asaj kohe nuk mund të pritet ndonjë saktësim më i madh gjeografik ku ka ndodhur kjo ngjarje. Sidoqoftë, Samuili më vonë, apo dikush tjetër më herët, do të ketë arritur të zinte rob ndonjë sundues i cili aty mund të kishte qenë i strehuar qoftë për rekreacion, qoftë për t’i shpëtuar armikut. Por, është e vërtetë se në këtë pikë strategjike dhe të papushtueshme një tog i vogël luftëtarësh do të mund t’i bënte ballë një fuqie shumëfish më të madhe ushtarake, përveç ndonjë depërtimi më të lehtë me tradhëti që ka mundur të ndodhte. Bedeni megjithatë hesht. Heshtim edhe mbetjet e saranxhës së dimensioneve relativisht të mëdha e punuar me gurë dhe gëlqere për rezervat e ujit të domosdoshëm për jetë dhe ekzistencë në këtë vend me bukuri që vret. Gërmadha thua se pret që të zhvarroset nga ngujimi mijëvjeçar, por ende janë të rrallë ata që do të mund t’i hynin kësaj aventure të vështirë dhe të shtrenjtë.
Më rradhiten kujtime dhe asociacione se ky monument i lashtë i shndërruar në gërmadhë gati të padukshme, mund të ketë shërbyer në kohë të ndryshme për qëllime të ndryshme dhe se këta gurë, themele, kjo saranxhë, këto fragmente të tjegullave, po të dinin të flisnin do të na tregonin për idila dashurie, përjetime frike e tmerri në errësirën e netëve të gjata dhe shekujve, në ndërrimin e stinëve me vapë dhe rrebeshe e rrufe që shkrepnin që nga antika perënditë vendore. Historia për Vladimirin, qoftë kjo edhe si ngjarje e mëvonshme, mund të jetë edhe si legjendë më e kapshme historikish, dhe se fati i këtij të shenjti u lidh, pa marrë parasysh hipotezat dhe mendimet për prejardhjen e tij, me historinë e Kishës së Shën Mërisë apo të Zonjës së Papërlyer të Krajës, me shkuarjen e tij në Prespë dhe me vrasjen e tij me tradhti më 1016 nga Vladislavi, para dyerve të kishës. Por çka i shtyri epirotasit, siç ceket në një vend, që më 1215 t’i çojnë arkivolet e Vladimirit dhe Kosarës në Durrës e pastaj në Elbasan ku gjenden edhe sot në Manastirin e Shën Gjonit? Këtu duket se legjenda afrohet me ngjarjet historike për princ Shën Gjon Vladimirin që e nxiti piktorin shqiptar Konstantin Shpatarakun që kujtesën në Shën Gjon Vladimirin ta përjetësojë në shekullin XVIII në ikonën e këtij shenjti. Mbetet që legjenda për Vladimirin apo Shën Gjon Vladimirin të lexohet jo vetëm historikisht, por edhe të përjetohet intelektualisht e artistikisht. Në disa burime thuhet se vendbanimi i sotëm i Katërkollit, i quajtur dhe i shënuar edhe me variantin tjetër Vladimir (në një pakt të vitit 1405 si Shën Vladimir, krahas me Shën Mërinë në luginën e Romaneut të Rumisë) sipas të gjitha gjasave, shënim i redaktorit, duhet të lidhet me po këtë mal apo kështjellën ku sipas legjendës ka jetuar një kohë dhe ka qenë i robëruar Shën Gjon Vladimiri. Mali në fjalë njihet me emrin Mali i Sumës (Mali Sum’s), e për këtë mal legjenda mbi Krojet e Sumës dhe sundimtarin i cili vriste çdo të ri i cili nuk mund t’i numëronte saktësisht sa kroje ka rrëzë Malit të Sumës.
Këtë legjendë e përjetova në mënyrë të veçantë kur pas zbritjes shumë të vështirë nga ana veri-perëndimore arritëm te Kroni i Sumës i cili gjendej afër 3-4 shtëpive të vetmuara. Kroni i Sumës, për ekipin dhe për mua, mund të thuhet se ishte “Kroni i shpëtimit”, sepse në atë vapë që na zuri, shishja e ujit që e pinim nga një gërç sa për t’ i lagur buzët, ishte gati e shterur. Në jetën time kurrë nuk kam pirë ujë më të mirë. Ajo pije hyjnore sikur më solli prej agonisë në jetë. Do të thoshte dikush se ashtu më është dukur sepse isha i lodhur, i raskapirut dhe i etshëm, por jo. Nuk dija të ngopesha me atë freski e shije dhe nuk më rëndonte aspak pesha e tre katër litrave që i piva me intervale; në një burim më tej, kur sërish me kapi etja, uji që piva ishte krejtësisht me shije tjetër. Nuk më habit se ky krua kryesor e kishte marrë emrin Kroni i Sumës, sepse ai ishte eliksir i vërtetë për çdo kalimtar, për banorët e këtyre tre-katër shtëpive në afërsi, të cilat në këtë tokë përcëlluese dhe natyrë mjaft të vrazhdë të tokës arbërore ishte burim i jetës, burim hyjnor. (vazhdon)

(Vijon nga numri i kaluar)
Duke iu afruar ngadalë rrëzës së malit ku i kishim parkuar veturat, mendoja si në ëndërr në toponime e emra familjarë që ishin rrënjosur dhe dëshmuar historikisht në mesjetë si ata Suma, e më konkretisht fshati Suma në veri të Bunës, si dhe Dhimitër Suma i cili me vojvodë Bogojen në vitin 1332 qëndroi në krye të kryengritjes kundër mbretit Dushan, pra mu në vitin historik kur Brokardi në Tivar, pra jo shumë larg Malit të Sumës, dëshmon paradoksalisht se shqiptarët kishin librat e tyre që i shkruanin me gërma latine, e ku për fat të keq nuk gjetëm, të paktën deri më sot, asnjë gërrithje shkrimi në gërmadhat e fortesës së Malit të Sumës. Zinxhiri i këtij emri familjar vazhdon në rrjedhat e kohës edhe në vitin 1425 më emrin e familjes bujare Suma, e me këtë emër familjar quhej edhe një peshkop i Lezhës në vitin 1426. Në vazhdim, në vitin 1816 përmendet një tregtar shkodran me emër Antun Suma në veloren “S. Nicolo” ku ishte kapiten i quajturi Jusuf Jakov Nicov. Edhe në Ulqin, sipas disa shënimeve, deri në fillim të shekullit XX, ka jetuar familja e pasur Suma (Summa), ndoshta me ndonjë lidhje me atë të Dhimitër Sumës. Ky emër familjar Suma ka qenë i përhapur edhe gjatë mesjetës: në Drisht dhe në Tuz më 1330 përmendet edhe Pjetër Suma, kurse në fillim të shekullit XVII një fshat në Anë të Malit njihet me emrin Suma (Summa), apo shtëpia e famshme e Sumës në gadishullin e Sukës në Ulqin, ku qëndroi disa ditë knjaz Nikolla, shtëpi kjo që u përjetësua në disa fotografi të vjetra. Hallkën e zinxhirit të këtij emri familjar të pashkëputur e kisha pranë meje, para meje, e kisha në emrin familjar të këtij djaloshi bujar dhe të shkathët, i cili me durim e sukses të plotë na ktheu shëndosh e mirë deri në vendin kur para rreth 7 orësh ishim nisur për një aventurë jo të vogël për të kërkuar gërmadhat e kështjellës në Malin e Sumës. U ndamë përzemërsisht prej këtij djaloshi të guximshëm me dëshirë dhe shpresë se do të takohemi edhe ndonjëherë në jetë, por sa më takon mua, kurrë më në një aventurë të tillë, sepse për diç të tillë më nuk mbetet kohë as fuqi fizike. Ajo mund të mbetet vetëm një hallkë kujtimi apo nxitjeje që dikush tjetër në një kohë të ardhme të shërbejë si hallkë kërkimi të misterit të Malit të Sumës, ashtu siç mbeti legjenda dhe dëshmitë onomastike me këtë emër impresiv por që, duhet ta pranoj, e përjetoj me një rrëqethje plot emocione dhe etje fizike për ta shuar nën Kronin e Sumës dhe mallëngjim e etje shpirtërore për të mësuar e ditur diç më shumë për misterin e Malit të Sumës.
Të ulur dhe duke shijuar natyrën e bukur, nxënësve u tregova legjendën e radhës treguar nga banori i fshatit Brajshë, i ndjeri arsimtari Kasem Ceka.
“Në kohën e ekzistencës së qytetit të lashtë të Shasit i cili ka ekzistuar deri në shekullin XVI, është menduar që uji i Brajshës të çohet në Shas për të cilën ekziston një legjendë.
Sipas legjendës kryetari i Shasit ka dërguar dy njerëz që të numërojnë burimet e ujrave në fshatin Brajshë. Këta dy njerëz kur u lodhën u ulën të pushojnë. U shtrinë në tokë duke vendosur kokën në këmbët e tjetrit. Mirëpo një zanë mali kur i pa u çudit. Ajo kërkoi takimin me zanat e tjera duke ju thënë se sot kishte rastis të shihte trup njeriu me dy koka. Zanat e tjera nuk i besuan duke i thënë se një gjë e tillë është e pabesueshme dhe e pamundur. Zana që i kishte pa u betua me zë të lartë e tha: “O pasha 92 burimet që i ka Mali i Brajshës, kam pa njeri me dy koka”. Dy njerëzit e shtrirë e dëgjuan zërin e zanës së malit dhe nuk patën nevojë të vazhdojnë rrugën për të numëruar burimet”.
Interesant është edhe artikulli i botuar në gazetën kroate në vitin 1960 i autores Marijana Gushiq me titull: ”Mali i Vladimirit dhe Liqeni i Shasit”.
Në një mëngjes të vonë vjeshte, plot aromë dhe shkëlqim jugu, u larguam nga zhurma e autobusit në Krythë. Miku ynë nga kjo zonë na shoqëroi për tek fshati Lulaj rrëzë kodrës, fshehtësinë e të cilës dëshirojmë ta mësojmë. Një e moshuar e këndshme dhe e rregullt 97-vjeçare ”jo e shkolluar” sa duhet, edhe pse e verbër, fjalët i rridhnin si libër herë në gjuhën shqipe, e herë në gjuhën tonë.
“Gjergj, bir! Më beko mua të moshuarën! Për Malin e Vladimirit dëshiron të dish? Malin e Vladimirit, Malin e Sumës. Atje është edhe sot kisha e mbretit, kisha e mbretërisë. Me të dy emrat e quajmë këtë mal. E mbaj mend mirë, më kujtohet se si kunati më ka folur për të.
Njerëzit u ngjitnin në mal. Atje janë 24 burime, 24 ujna të gjalla, kurse në maje të malit është burimi kryesor. Ujë i gjallë, gropa e të cilit dihet edhe sot. Nalt është shkuar për çdo vit të marteve në ditën e të gjithë shenjtërve. Nuk e di se pse pikërisht në atë ditë, por kështu ka qenë thonë. Janë ngjitur pleq e të rinj. Edhe të sëmurët janë ngjitur. Atëherë rruga të ka çuar drejt e te kisha e mbretit, atje në maje. Njerëzit janë ngjitur në maje pa priftin, po përherë pa priftin.Vajzat të zbukuruara me lule dhe gratë që mbartnin ushqim, qirinj dhe shumë lule.
Të sëmurët e kanë pirë atë ujë dhe më pas aty kanë hedhur pare. Kush i ka marrë paratë?
Çobanët, biri im! Barinjtë që kanë kullotur bagëtinë kanë marrë paret dhe ushqimin.
Atje në maje është një lëndinë, një fushë e gjërë, aty edhe është mbledhur populli. Kjo ka ndodhur shumë kohë para kohës sundimit të turqve, në kohën e sundimit të perandorëve kaurr. Më vonë tregtarët turq të leshit në atë gropë grumbulluan aq shumë lesh sa që e varrosën ujin dhe leshi i grumbulluar aty doli në Lumin Buna afër Shën Gjergjit. Sepse aty çonte lagu dikur, nga Mali i Vladimirit në qytetin e Shasit, e nga këtu në Shën Gjergj në Bunë.
Po sot?J o sot nuk ka as lagunë as ujë. Nuk ka as ujra të tjera. Është vetëm burimi në maje, aty ku kanë mbushur ngarkesat me lesh. Ka burim uji të gjallë, një krua i mrekullueshëm rrugës që ngjitesh në maje. Mos e pi atë ujë bir, është i ashpër, ta djeg qiellzen si ngrica, mund të të dëmtojë…”.
Të magjepsur nga natyra, uji i kronit dhe legjendat interesante, para se të largoheshim në një copë dërrase shkruajta një fragment nga Prof. Ruzhdi Ushaku.
”Ky burim, këta gur, këto fragmente të tjegullave, po të dinin të flisnin do të na tregonin për idila dashurie, përjetime frike e tmerri në errësirën e netëve të gjata dhe shekujve dhe në ndërrimin e stinëve me vape e rrebeshe e rrufe që shkrepnin që nga antika perënditë vendase”.