Gjiri i Valdanosit është një ndër lokalitetet më interesante dhe më të pasura të Ulqinit. Ky gji gjendet 5km në veriperëndim dhe ndodhet mes malit të Mavrianit dhe Mendrës. Ajo çka e bën të veçantë këtë gji janë pasuria e madhe e trungjeve të ullinjve, pastaj është port natyror i anijeve i mbrojtur nga erërat e forta të jugut dhe veriut, ka plazh të virgjër me ujë të pastër deti si dhe është lokalitet i pasur dhe i pahulumtuar arkeologjik.
Fillimi i vitit 2021 shënoi një kthesë të madhe në jetën e ulqinakëve. Pas një viti të rëndë siç ishte 2020-ta, të mbyllur nga Covid 19, ky fillimvit u shënua me lejimin që pronarët e ullishtës së Valdanosit mund të hyjnë në pronat e veta, t’i pastrojnë dhe të kujdesen për to. Ky është vetëm hapi i parë i fitores së pronarëve të ullishtës pas një beteje më shumë se 40 vjeçare. Vlen të theksohet se për herë të parë kjo ullishtë iu mor pronarëve të vet në vitin 1948 në bazë të një ligji që nxori shteti i atëhershëm, duke dashtë që ta shndërrojë në pasuri popullore bujqësore dhe herën e dytë në vitin 1979, kur kundër vullnetit të popullit iu dha në shfrytëzim ushtrisë së atëhershme. Hapi u hodh menjëherë, pronarët nuk pritën që t’u thuhet dy herë dhe menjëherë pas lejimit të dielën e parë iu përveshën punës së pastrimit, normalisht ata që e dinin se ku i kanë pronat dhe kishin qasje, kurse të tjerët presin ndihmën e më të moshuarve ose konsultimin me hartat kadastrale.
Kështu edhe unë bashkë me mikun tim Sami Flamurin dolëm të dielën e 21 shkurtit që t’i bëjmë një vizitë ullishtës së Valdanosit dhe të informohemi me punët e bëra si dhe konstatimin e gjendjes në terren. Makinën e parkuam para ullishtës së Hajro Çaushit dhe vazhduam rrugës së Bishtit në mënyrë që duke përshkuar rrugën e vjetër që supozojmë se duhet të jetë ndërtuar që në antikitet të arrijmë deri ke plazhi i Valdanosit i cili për kuriozitet duhet përmendur se është i gjatë 600m dhe arrin gjerësi deri në 20m por çka është më interesantja në vitin 1968 është shpallur Monument natyror i klasit III.
Samiu mahnitej me rrugën e vjetër me kalldrëmin me gjerësisë dhe cilësinë e punimeve të bëra atëbotë. Sot kur kishte kaluar buldozeri që të hapë rrugën kishte shkaktuar edhe dëme. Vende-vende kalldrëmi i vjetër ishte shkulur, vende-vende muri i thatë ishte rrëzuar, kurse vende-vende rruga ishte zgjeruar mirë. Samiu na tregon se në Kroaci ”Muri i thatë” është shpallur vlerë e trashëgimisë kulturore botërore dhe e mbrojtur nga UNESCO, deri sa ne nuk i kushtojmë kujdes që të mbrojmë as pasuritë arkeologjike (rasti i fundit ai i shembjes së bedenit të kalasë së Ulqinit). Ullishta e Ulqinit është përplot me mikrotoponime tipike vendase si Qafë, Bisht, Anaemalit, Shkalla, Majere, Kroni i thatë etj. Duke ecur bisedonim e shkëmbenim informacione për vjetërsinë e këtyre ullinjve. Sipas studiuesit tonë ulqinak dr Bahri Briskut ullishta e Krruçit dhe ajo e Valdanosit kanë trungjet më e vjetra të ullinjve. Vlen të theksojmë se në Valdanos ka 18000 rrënjë ullinj mijëvjeçarë prej të cilëve më i vjetri i identifikuar është 2000 vjeçar. Deri më 1977 e gjithë ullishta e Valdanosit ka qenë pronë private e afro 200 familjeve ulqinake dhe pastaj me një urdhër shteti vendoset që t’ia japin ushtrisë dhe i shtyjnë pronarët që pa dëshirën e vet t’ia shesin ushtrisë të gjithë këtë pasuri sipas një vlere që vetë e kanë vendos ata (1,5 $ për m2 dhe 60$ për rrënjë ulliri e që kjo vlerë ka qenë shumë herë më e vogël se sa vlera e tregut). Sipas një studimi jo të plotë të kohës së fundit, supozohet se plotësisht janë tharë rreth 1300 rrënjë ullinj kurse mbi 4000 janë në gjendje kritike.
Duke u mahnitur me pejsazhin që shfaqej para nesh, ullinjtë sa vinin e trungjet iu bëheshin më të mëdhenj dhe befas para neve u shfaq një ulli kazan që sipas madhësisë së trungut nuk ishte e vështirë të vinim në përfundim se para nesh u shfaq ulliri më i vjetër i Ulqinit, që së paku ne kishim informata për te. Ishte shumë mbresëlënës dhe vetvetiu të shtynte që t’i afroheshe e të bisedoje me të. Shkrepëm edhe fotografitë dhe vazhduam rrugën duke numëruar llojet e ullinjve që mund t’i gjejmë në këtë ullishtë: kazan, fishkull, shatorr, ullastër, ulli i egër.
Në bisedë e sipër arritëm deri përmbi det dhe vendi që po shkalisnin nga bimësia gjysmëshekullore vëllezërit Naser dhe Hasim Hasa ishte një ballkon natyror që të jepte ndjenjën që po fluturoje përmbi det. Pasi që u përshëndetëm me ta, na shpjeguan se rruga ishte e hapur mu deri te ullishta e tyre dhe se tani për të vazhduar rrugën duhej të zbrisnim kah deti. U kthyem dhe filluam të zbrisnim teposhtë. Në një pikë të bukur vrojtuese u ndalëm që të bëjmë video xhirimin dhe të dëshmojmë lashtësinë dhe rëndësinë e këtij vendi të shenjtë. Bëmë xhirimin duke e emituar drejtpërdrejt në rrjetet sociale dhe pasi që mbyllëm emitimin pas 10 metrash para na doli një krua i vjetër i cili dukej sikurse ishte i strukur pas një druri. U ndalëm dhe bëmë matjet e duhura. Vallë cili është ky krua? Vite më parë kur ishte hapur rruga e poshtme për Bisht kur kishin gjet një krua kishin supozuar se kanë gjetur Kronin e Salë Kikës por a ishte ai apo është ky këtu. Po cili pra është cili? Shumë pyetje e përgjigje asnjë. Në kompleksin e Valdanosit ndodhen Kroni i Zanave, Kroni i Detarëve, Kroni i Salë Kikës dhe Kroni i Vakfit. Por sipas studiuesit prof.dr. Maksut Haxhibrahimit këtu diku gjendet edhe Kroni i Mavrianit. Pra pesë sish, bëmë fotografitë e duhura dhe matjet me shpresë se do të bëjmë identifikimin e të gjitha krojeve.
Duke zbritur rrugës kah deti, në baltën e rrugës identifikova një pjesë ene qeramike të periudhës venedikase. Ja pra edhe dëshmia materiale se këndej pari janë bartur mallrat që binin anijet ulqinake nga mbarë bota. Zbritëm deri në vendin ku dëgjohej sharra motorike dhe aty takuam shokun tim Saidin apo siç ne e quajmë Artan Bilalin. Ai kishte dalë me familje në pronën e vet dhe siç thoshte pas 40 vitesh më në fund po i vë dorë. Shend e verë Artani na ofroi ëmbëlsira dhe me të vërtetë vendi ku gjendej ullishta e tij ishte fare afër detit dhe rruga e asfaltuar vinte deri në pronën e tij.
Ne vazhduam rrugën tonë duke i lënë ullishtarët e kënaqur që kishin mundësi të punonin në pronat e tyre stërgjyshore. Ja pra, drejtësia vonon por nuk harron. Edhe rasti i ullishtarëve të Valdanosit donë Zoti dhe çdo gjë vihet në vend të vet. 7 km rrugë të sapo hapura i përshkuam shumë shpejt dhe duke mos ndjerë lodhjen fare dhe të kënaqur se më në fund drejtësia po vendoset u kthyem te makina duke i premtuar vetes se aventura e radhës do të jetë gjetja apo identifikimi i Kronit të Zanave.
Teksti dhe fotografitë:
Gazmend Çitaku