Udha te Gjyteza e Dinoshës

Sami Flamuri

“Historia është një tokë e huaj,
atje çdo gjë është ndryshe”
L. P. Hartley

Parafrazoj Shekspirin kur them se rasti është mbreti i botës. Edhe takimi im me z. Muhamed Gjokajn nuk ishte rastësi, por jam i bindur se do do të ndodhë diçka e mirëpritur nga ne të dy. Pasi ishim të ftuar në një emision televiziv (Focus, TV Teuta, 3.2. 2022) që të analizojmë ngjarjet e fundit politike në Mal të Zi, ajo çka na bashkoi ishte historia e shqiptarëve, kurse për analizat përkatëse ia lëmë shikuesit verdiktin e fundit.
Historia flet me shekuj dhe kur vjen te lashtësia jonë pellazgo-iliro-arbërore, atë na e kanë shkruar të huajt, andaj më pëlqeu ftesa e z. Gjokaj se ia vlen mundi dhe të filloj rrugëtimin tek e kaluara jonë në trevat shqiptare në Malin e Zi.
Malësia/Malcia, trevë e cila aq sa është e njohur mbart në vetvete misteret e një lashtësie që aq mjeshtërisht e përshkruan Homeri shqiptar, At Gjergj Fishta te vepra e tij monumentale “Lahuta e Malcis” (1937), vulosi në kujtesën e shqiptarëve eposin e kreshnikëve.
“Kur të kesh kohë, bajmë nji shetitje deri te vendet arkeologjike në Dinoshë… që nga koha e bronzit?! Rri i hapur për këtë”.
Porosia e Muhamedit ishte e qartë: vendbanimi i Dinoshës dhe fshehtësitë e saj ishin aq pranë dhe aq afër. Vendosa që të nisem udhës së zbulimit, ku udhërrëfyesi vendas ishte gati të shtunën e 12 shkurtit 2022. Malcia ime e dashur e priste birin e saj.
Pas një bisede paraprake me mikun tim Gazmend Çitaku, i cili në pamundësi që të më bashkëngjitet, më porositi që në Dinoshë ka ekzistuar “Aquaducti”, ujësjellësi i kohës romake, me gjatësi afro 15 km (më vonë mora vesh se ai ishte edhe më i vjetër), i cili furnizonte nga lumi Cem me ujë qytetin antik Dioklea (Dukla).
Siç u tha, ashtu edhe u bë. Në orën 10 erdha nga Ulqini në Tuz, komunën më të re shqiptare në Mal të Zi. Muhamedi me djalin e tij 19-vjeçar Beratin, më priste me padurim dhe pa humbur kohë Dinosha na priste, e cila është fare pranë Tuzit, vetëm 5 km nga qendra.
Ndalesa e parë ishte lumi Cem, i pastër si loti te shkëmbinjtë e thepisur dinarikë, që nga fjalët e Muhamedit merrnin qasje tjetër: “Sami, s’ka pjesë të kti lumi që s’ka toponime shqiptare! Ja ‘Dhëmbi i gjarprit’, ‘Shpell’ Farku’, ‘Haxhajt’, ‘Brigjezat’, ‘Shpella e Aishes’.” Kanalet gurore ishin pamja mahnitëse se si malcori e përçoi këtë lumë për digat e veta, ujitjen dhe doemos përdorimin e tij për mullinjtë e ujit antik, që sot ishin të heshtur, ashtu si koha që këta njerëz krenarë dhe bujarë i bëri të mos jenë më në trevat tona.
Po Dinosha, ku është?
Sipas A. Joviqeviqit në Dinoshë dhe Milesh (1920) ekzistonin 80 shtëpi, nga të cilat 68 ishin të besimit islam dhe 12 të atij katolik.
Në vitin 1941 Dinosha ka pasur 62 shtëpi – në Dinoshë 31, kurse në lagjet e saj Tojeq 17, Lulanaj 8 dhe tek Rranxa e Pllanicës 6.
Po të njëjtin vit, renditen këto vëllazëri; Gjokajt (8 shtëpi), Dukajt (5), Beqajt (19), Kajoshajt (11) dhe Nikajt (1). Po ashtu përmenden në Tojeq – Lulanajt (10) dhe një pjesë e Kajoshajve (3) te Rranxa e Pllanicës me Gjokiqët e Dinoshës (12).
Në vëllazërinë e Grudës jetojnë me shekuj disa fise: Ivezaj, Sinishtaj, Kalaj, Lulgjuraj, Gjokaj, Berishaj, Gjolaj, Vuçinaj, Bojaj, Vulaj, Stanaj, Lulanaj, Kajoshaj, Beqaj, Kërnaj, Pepaj, Hakshabanaj, Gilaj, Pecaj dhe Fërluçkaj.
Dhe ja befas, zemra e Dinoshës, para neve Xhamia e Dinoshës – Grudë. Sipas gojëdhënave që qarkullojnë, kjo është ndër xhamitë më të vjetra të ndërtuara në Malësinë e Madhe. Thuhet se është ndërtuar në vitin 1770, te brinja e Gjokajve.
Edhe pse e lashtë, Xhamisë së Dinoshës, në pamje të parë i ishin bërë ca meremetime të mëvonshme, pothuajse butaforike, pa asnjë shije, sepse kjo faltore është një margaritar i stilit osman që meriton të kthehet në identitet, por si duket pret ditë më të mira.
Ajo ruante një thesar, mu kolonën antike të “Gjytezës” që po na priste, mbi një kodër afro 111 metra lartësi. “Po ta shofim”, i thashë Muhamedit, i cili tani po më përgatiste për “Gjytezën” ilire.
“Po kjo kullë”, e cila është mu përtej oborrit të xhamisë, “e kujt është”?, e pyeta befasisht mikëpritësin tim. Sikurse kishte mbetur në kohë! ” Eh, mor Sami, ajo është e Baca Kurtit!”
Ndër personalitetet më të shquara të Malësisë pa dyshim radhitet edhe Baca Kurt Gjeka (Gjokaj). U lindi rreth vitit 1807 në fshatin Milesh – Grudë. Me këtë burrë në zë për trimëri dhe mençuri krenohet jo vetëm fisi i ti,j por edhe fiset e tjera të Grudës, Hotit, Trieshit e Kojës. E vranë në pabesi malazezët në vitin 1881.
Dita me diell. Po na priste “Gjyteza”, për të cilën Muhamed dhe Berat Gjokaj ishin të sigurt se do të më lënte pa fjalë! Ishte pikërisht Muhamedi që e shoqëroi një ekspeditë polake nga Varshava, së cilës do t’i referohem se çka gjetën në Gjytezën e Dinoshës.
Si për inat na ishte vërsulur era. Udhërrëfyesi im këmbëngulte se Dinosha është e njohur për erërat e saj të forta dhe të thata. Ne po ndiqnim shtegun e dhive, ku përveç tyre vetëm edhe kuajt e egër që bridhnin këtyre kodrinave, ishim mysafirët e vetëm.
Sikurse edhe më premtoi Muhamedi, pas gati 30 minutash ecje, lart kodrinës me shkurre dhe ferra, filluan të dukeshin muret… “Ja, dolëm… Po ku jemi o i bekuar! Ja pra, e gjithë fusha e Dinoshës dhe ajo e Zetës. Shif nga këtu. Glauku i Taulantëve (335-302 p.e.s.) sundonte nga ky vend”.
Qyteza (Gjyteza) ka qenë pjesë integrale e sistemit planetar përreth Liqenit të Shkodrës (Lacus Labeatis), dhe element i strukturës paraurbane dokleate.
Sipas matjeve të Bugaj/Lutovac/Polak/Trzeciecki (2013), shpati në formën e një trekëndëshi të përzgjatur, me sipërfaqe 2.5 ha, rrethohej nga mure të fuqishme mbrojtëse, të cilat krijonin një fortifikim po trekëndësh me majën nga lindja.
Shpati nuk pirret njëcopësh, por ndërpritet nga tre breza shkëmborë. Brezi i parë që nis 90 m poshtë majës, përforcohet prej një muri i cili veçonte një akropol 0.40 ha. Në mesin e tij, muri çahej nga një hyrje korridor 1.5 m e gjerë, vijon rreth 100 m poshtë murit të akropolit dhe 200 m poshtë majës. Muri përbëhet nga faqet anësore me blloqe mesatare, deri të mëdha (0.50×0.25 m, 1.30×0.40 m) dhe mbushja e mesit me çakllin e përfituar nga nxjerrja e blloqeve. Në ruajtjen e tyre në mur, shihet synimi për t’i vendosur dyst dhe jo kuturu, si dhe përpjekja për ruajtjen e horizontalitetit nëpërmjet nivelimit me rrasa.
Forma drejtkëndëshe e blloqeve nuk është thjesht pasojë e shtresëzimit të rregullt të formacioneve shkëmbore, por edhe e synimit për trajta sa më gjeometrike. Kjo tërthorazi dëshmon përdorimin rëndom të mjeteve të rënda metalike të punës, vareve dhe çekanëve, por ende jo të daltave.
Si të tilla fugat mbeten të mëdha, 5-10 cm. Nëse këto fuga kanë qenë të mbushura apo jo me llaç balte dhe guralecë, kjo nuk dihet. Si e tillë teknika paraqitet më e avancuar se muret tip gajtan të fazës së parë të hekurit, duke afruar Dorzin 2 (8/7 p.e.s).
Sipërfaqja prej 2.5 hektarësh, e madhe për qytezat e hekurit të parë, tregon për Dinoshën si kryeqendër krahinore. Dinosha ka qenë kryeqendër e pellgut verilindor, atij të Dokleas, e nuklit gjeografik të cilin perandori Dioklecian (284-305 e.s.), me origjinë nga kjo rrethinë, e ktheu në epiqendër të provincës së Prevalit.
S’kishte se si të mos merrja edhe ca pamje filmike, ku Muhamed Gjokaj shpalosi të dhënat e kësaj treve e cila, brez pas brezi i mbart legjendat e gjigantëve ilirë.
Me keqardhje erdhi edhe koha e zbritjes, ku kjo ditë që filloi buzë lumit Cem tani po merr epilogun e vet te Gjyteza mijëvjeçare…
Vizita ime përfundoi me një drekë me “kaçamak” vendi në restorantin “Troja”. Ishte kjo një ditë që do ta mbaj gjatë në kujtesë si një thesar, ku vetëm shqiptari dhe malësorët të atillë janë, ku miku nderohet, dhe më në fund faqja e bardhë mbizotëron çdo gjë tek aristokracia e shqiptarisë.

Të fundit

më të lexuarat